ENIGMAT E PARLAMENTIT TË RI - Nga ALFRED PEZA

ENIGMAT E PARLAMENTIT TË RI - Nga ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nëse PD-ja nuk e shfrytëzon edhe mundësinë politike të orëve të fundit, për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit, atëherë po mundohem të rendis disa nga ngjarjet dhe dukuritë kryesore që pritet të "prodhojë" beteja elektorale për Parlamentin e ri në Shqipëri.

Së pari, skena politike shqiptare nga tri, pritet të bëhet de facto njëpolare, që do të thotë, se nisur nga projeksioni i votave të 2013, të konvertuara në mandatet që mund të prodhojë 2017, do të kemi një Parlament të ri të mbizotëruar totalisht nga PS-ja. Sipas politologëve, Ramës i takon të ketë në duar 100 deri në 110 mandate, në një sallë me 140 deputetë.

Në këto kushte, jo vetëm PD-ja që është vetëpërjashtuar nga skena, por edhe roli i LSI megjithëse mund të ketë një numër më të madh mandatesh përfaqësimi se aktualisht, relativizohet ndjeshëm në vendimmarrjen e ardhshme. Duke i dhënë mundësinë PS që të ketë dorë të lirë për të realizuar të gjitha reformat e dëshiruara, por duke e vënë nga ana tjetër, përpara një përgjegjësie shumë më të madhe politike, për të mos abuzuar në asnjë rast e për asnjë arsye, me këtë mundësi. Sepse përndryshe, e gjitha mund ti kthehet në një boomerang.

Së dyti, kalimi i Ilir Metës në zyrën e qytetarit Nr. 1 të Republikës, i jep mundësinë partisë së tij LSI, që të shfrytëzojë këtë periudhë të qenies së PD jashtë Parlamentit, për të realizuar ambicien e vjetër, të kalimit nga partia e tretë, në partinë e dytë të spektrit politik shqiptar. Duke u munduar jo vetëm që të mbushi boshllëkun e lënë në sallë nga Basha-Berisha, por edhe në terren. Me siguri, duke e spostuar edhe programin politik, elektoral dhe qasjen filozofike, nga e majta aktuale, drejt qendrës, e me gjasë me një tendencë drejt qendrës së djathtë të spektrit politik shqiptar. Me synimin që ta rikonfirmojë këtë realitet, edhe në zgjedhjet e mëpasme, të përkthyer në mandate përfaqësimi si në pushtetin qendror, ashtu edhe në atë lokal.

Së treti, në kushtet e qëndrimit për herë të parë në historinë e pluralizmit jashtë sallës së Parlamenti, PD dhe partitë e tjera aleate tradicionale të saj të së djathtës shqiptare, pritet që të kalojnë një proces reformimi. Duke u riformatuar për t’iu përshtatur një realiteti të ri politik, i ndryshëm nga ai i 1990 kur ato u themeluan, por edhe të ndryshme nga tani, kur lidershipi i vjetër, me apo pa pahir, do jetë i detyruar që t’i lëshojë vendin, një lidershipi të ri.

Ky moment pritet të jetë në mënyrë kritike, shumë delikat për PD sidomos. Po të kemi parasysh se asaj do i duhet të ripërshtatet politikisht në kushtet e reja të vendit, pa Berishën si kryetar "de facto", pa filozofinë e antikomunizmit që e përdorte si flamur betejash sa herë që i duhej kundër PS dhe të majtës. Por edhe në kushtet e një shoqërie të re kapitaliste, ku me rikthimin sërish në skenë për garën tjetër, e sigurt se do të gjejë përballë një tjetër steriotip elektorati që ndodhet në ndryshim të përshpejtuar. Sepse një numër gjithnjë e më i madh votuesish, ka lindur pasi ishte rrëzuar komunizmi.

Nga ana tjetër, po kristalizohet një e djathtë e re ekonomike, me një klasë të re kapitaliste dhe të pasurish, që nuk kanë asgjë të përbashkët me përfaqësuesit e së djathtës së deridjeshme historike, ku ajo është mbështetur. Ndaj PD-së do t’i duhet që të gjejë rrugë dhe një strategji të re, për t'iu qasur dhe për të joshur, target-grupet e një të djathte tradicionale dhe moderne.

Së katërti, hapësira e madhe e lënë bosh nga PD dhe aleatët e vet minorë, sigurisht që do të mbushet. Të paktën përkohësisht. Sepse edhe në jetën shoqërore, veprojnë ligjet e fizikës. Njëra prej të cilave, është ajo e ruajtjes dhe e shndërrimit të energjisë. Sipas së cilës, asgjë nuk humbet, gjithçka shndërrohet. Në këtë rast, vakuumi që po lë PD nuk do të humbasë. Ajo po shndërrohet që tani, në një hapësirë të re "gjuetie" dhe "peshkimi" drejt elektoratit të saj, jo vetëm për PS dhe LSI, por edhe për partitë e tjera më të vogla, të vjetra e të reja. Të cilat shohin tek kjo hapësirë e lënë djerrë, një shans që i vjen veç një herë në jetë, për të zaptuar "territore" të reja politike dhe elektorale. Që sigurisht, do bëjnë gjithçka për t’i bërë të tyret. Sepse edhe vetë zgjedhësit shqiptarë janë pragmatistë dhe ndjejnë nevojën jo vetëm për të votuar, por edhe për t’u mbështetur nesër tek njëra apo tjetra forcë politike, për nevojat dhe qëllimet e tyre jetësore.

Së pesti, Parlamenti i ri ka si detyrë parësore dhe themelore, implementimin sa më të shpejtë dhe efikas, të reformës në Drejtësi, të miratuar korrikun e kaluar, me votat e 140 deputetëve të Kuvendit aktual. Për t’i hapur rrugën zbatimit në praktikë të kësaj reforme aq shumë të mirëpritur nga shqiptarët dhe nga ndërkombëtarët, për Shqipërinë.

Së gjashti, hapi tjetër që pritet të vijë menjëherë pas kësaj, është hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një kapërcim i madh ky, i vonuar përgjatë këtyre 27 viteve të post komunizmit, atëherë kur euroskepticizmi është në kulmin e vet. Por, një moment historik për një vend të varfër, e që deri pak vite më parë konsiderohej nga vetë Brukseli, gati një rast i pashpresë,  jo vetëm për shkak të problemeve me standardet demokratike dhe nivelin social- ekonomik.

Së shtati, "The Economist Intelligence Unit" në raportin e fundit për Shqipërinë shprehet tejet optimist për treguesit pozitive gjithnjë e në rritje të ekonomisë së vendit. Duke vlerësuar se gjatë periudhës në vijim do të ketë përshpejtim të kësaj rritje, duke sjellë krahas të tjerave dhe uljen e mëtejshme të borxhit publik dhe defiçitit fiskal. E shoqëruar kjo edhe me efektet pozitive jo vetëm në aspektin psikologjik të reformës në drejtësi, ekspertët parashikojnë shtimin e investimeve vendase e të huaja, boom-in e sektorit të turizmit dhe uljen e papunësisë. Gjë që pritet të sjelli një etapë të re në standardin social- ekonomik të jetës së qytetarëve shqiptarë.

Së teti, zgjedhjet e 18 qershorit, duken një mundësi e artë për të bërë edhe një proces përfundimtar të turbullimit dhe kthjellimit të madh jo vetëm të skenës politike shqiptare në tërësi, por edhe të vetë elitës së saj në veçanti. Pasi duket të jetë një moment ideal, për daljen nga skena e të gjitha partive, të elitës së vjetër që dominoi skenën post komuniste, deri më sot. Ky rotacion i  elitave ka nisur të ndodhë vite më parë, në mënyrë pak a shumë normale, nëpërmjet një periudhe tranzitore. Por që pritet të realizohet përfundimisht, me daljen nga skena edhe të atij që hyri vrullshëm e përdhunshëm i pari në të, Sali Berishës. Ndërkohë që në sallën e Kuvendit, po futen gjithnjë e më shumë deputetë që kanë lindur pas 1990, me shkollim e kulturë perëndimore, të rritur në një vend të hapur e në liri. Duke krijuar premisat për krijimin e një elite tjetër, edhe më të re politike. E cila mund të marrë në duar fatet e drejtimit të vendit, pas pak vitesh.

Këto e shumë të tjera, mund të jenë disa nga përgjigjet që pritet të japë, zgjidhja e enigmës që pritet të prodhojë 18 qershori. E sigurtë është se e dëmtuara e madhe e gjithë kësaj historie, nuk pritet të jetë PD dhe lidershipi i saj aktual. Të cilët në fund të fundit, do të korrin atë që kanë filluar të mbjellin në çadër (por edhe më parë), që më 18 shkurt. Të dëmtuarit kryesorë, janë qytetarët shqiptarë që e kanë mbështetur dhe votuar opozitën aktuale. Por edhe të gjithë ata që prisnin të shihnin dhe vlerësonin ofertën e re politike dhe elektorale të saj, si një alternativë reale, për të ardhmen e afërt të tyre dhe të Shqipërisë. Kjo është arsyeja, se përse është kaq shumë e rëndësishme për mazhorancën aktuale, që të dijnë të shikojë sa më qartë dhe të lexojnë sa më mirë, mesazhin që vjen nga ky moment kaq delikat nëpër të cilin po kalon demokracia shqiptare.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: