Ervin Bushati: Kriza politike, patjetër që sjell ngërç ekonomik

Ervin Bushati: Kriza politike, patjetër që sjell ngërç ekonomik
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

“Në rastin që krijohet një krizë politike, patjetër që kjo do të sjellë ngërç ekonomik, pasi ato janë të lidhura në simbiozë me njëra-tjetrën”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, deputeti socialist dhe anëtar i komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Ervin Bushati, duke komentuar efektet e krizës së muajve të fundit në ekonomi dhe tek biznesi në veçanti. Duke shtuar në këtë kuadër faktin se “në gjithë këto vite, qeveritë shqiptare nuk kanë punuar për të ndihmuar motorin kryesor ekonomik, që është biznesi”. “Është vepruar pa pasur një plan të qartë se ku do të shkojë ekonomia. Dy janë arsyet kryesore të mbylljes dhe të asfiksimit të ekonomisë shqiptare: patronazhi politik dhe monopoli në treg. Ka ardhur koha që biznesi të çlirohet nga monopoli, ajo duhet të dalë nga ndikimet politike”, pohon ai.

***

Mendoni se kriza disamujore politike pati ndikim tek ekonomia e vendit?

Do të gënjenim veten po të thonim që kriza politike, e cila vijoi me muaj të tërë, nuk solli asnjë efekt për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në rastin që krijohet një krizë politike, patjetër që kjo do të sjellë ngërç ekonomik, pasi ato janë të lidhura në simbiozë me njëra-tjetrën. Çadra nuk i duhej Shqipërisë në këto momente, pasi efekti në ekonomi i asaj çadre ishte si një gangrenë që bllokoi gjithë Shqipërinë. Të fusësh në ngërç gjithë ekonominë, gjithë reformat dhe gjithë ambiciet për t`u futur në Bashkimin Evropian është absurde. Është absurde pasi çdo gjë ndodhi vetëm nga frika që kryetari i PD-së, Basha ka për veten e tij, frika që ai ka nga reforma në drejtësi çoi në këtë situatë.

Njerëzit janë të gjithë njësoj, reagojnë njësoj. Ekonomia është e fokusuar më shumë nga besimi, se sa mirë do të jetë e ardhmja nesër. Por në qoftë se nuk je i sigurt për jetën që të pret nesër dhe mendon që do të ketë trazira, destabilitet në vend, atëherë fillon dhe harxhon më pak. Nuk bën ato blerje apo shpenzime që do të doje të bëje. Kjo pasi njerëzit në rast trazirash do të investojnë shumë më pak, do të konsumojnë më pak, njësoj si konsumatori, ashtu edhe biznesi, dhe kjo u ndje edhe këto tre muaj bojkot ku çadra u sigurua që kjo të ndodhte. Por në rast se konsumi do të pakësohet, blerjet do të bien, import-eksporti do të bjerë, investimet e huaja apo vendase do të ulen, atëherë ç’mund të presim, domosdo do të kemi rënie të ekonomisë. Ishte e pritshme që destabiliteti politik do të ndikonte në ekonominë e vendit dhe kjo është mëse e dukshme në këto tre muaj.

Biznesi para pak ditësh doli publikisht dhe kërkoi stabilitet nga politika. Si do ta vlerësonit këtë apel të tij?

Në gjithë këto vite, qeveritë shqiptare nuk kanë punuar për të ndihmuar motorin kryesor ekonomik, që është biznesi. Eshtë vepruar pa pasur një plan të qartë se ku do të shkojë ekonomia. Dy janë arsyet kryesore të mbylljes dhe të asfiksimit të ekonomisë shqiptare: patronazhi politik dhe monopoli në treg. Ka ardhur koha që biznesi të çlirohet nga monopoli, ajo duhet të dalë nga ndikimet politike. Në kapitalizëm, vlerat i krijon vetëm kapitali.

Situata e monopolit në treg nuk lejon të operojnë biznese të reja që do të rrisnin dhe punësimin e shqiptarëve. Këto dy situata e mbysin biznesin, punësimin dhe ekonominë familjare shqiptare. Një ekonomi e hapur për të gjithë dhe një liberalizim real i tregut ekonomik do të ishte e vetmja rrugë shpëtimi për ekonominë tonë. Kjo arrihet vetëm nëpërmjet funksionimit të sundimit të ligjit dhe reformave strukturore të thella dhe gjithëpërfshirëse në të gjithë spektrin. Ndaj e them me bindje e besim të plotë: Sot duhet një vullnet i zjarrtë politik për të shfarkëtuar zinxhirin vicioz të ekonomisë feudale dhe të mbyllur që është mbledhur rreth qafës sonë në vite”, vullnet ky që ne e kemi dhe e kemi treguar në këto 4 vite qeverisje. Ne jemi të vendosur që biznesi të ketë vëmendjen që i takon. Në projektet tona biznesi ka patur përparësi dhe shumë projektligje janë hartuar në ndihmë të biznesit.

Para nënshkrimit të marrëveshjes, ekspertët dhe vetë ish-ministri i Financave ngritën zërin për kthim të vëmendjes tek ekonomia dhe biznesi. Por tani pas saj, si paraqitet situata? Çfarë ka ndryshuar realisht për sipërmarrjen private?

Ne si mazhorancë i kemi bërë të gjitha detyrat në konceptet ekonomike se çfarë duhet bërë. Reformat strukturore, parametrat makroekonomikë janë mbajtur shumë mirë dhe rezultatet janë dhënë. Në këto vite qeverisjeje unë nuk mendoja që do të kishim këto rezultate që kemi arritur. Defiçiti është shumë i ulët, borxhi është nën kontroll, reformat strukturore janë shumë të thella, reforma në drejtësi ka qenë kryesorja, si dhe mbeten reforma e pensioneve, reforma në ernergji, reformat në financat publike. Ne nuk jemi Zvicra në mes të Ballkanit që të themi që çdo gjë do të arrihet në një mandat, nuk kemi thënë këtë, reformat bëhen që të kemi një të ardhme më të mirë.

Po të kemi parasysh krizën globale, atë në Evropë, apo tek fqinjët tanë dhe mbi të gjitha në optikën tonë, ashtu si e morëm ekonominë nuk kishte premisa për të patur një zhvillim, pra kishte një rritje 3 herë më të vogël se kjo që kemi sot, kishim një defiçit buxhetor 2-3 herë më të madh se ky që kemi sot. Ajo që vlen të theksohet është se ne punuam për të ulur borxhin kombëtar dhe jemi i vetmi vend mesa di un sot, të paktën në Evropë, që ka një defiçit buxhetor më të ulët sesa rritja ekonomike. Defiçiti ynë buxhetor është 2% ndërsa rritja 3.4%, pra të kesh një defiçit buxhetor gati dy herë më të vogël se rritja ekonomike është një super konsolidim fiskal. Mendoj dhe them me bindje se kemi bërë një punë mjaft të mirë deri më tani dhe kemi ndërtuar një rrugë në të cilën mund të ecim me hapa të sigurt.

Në një ekonomi maten tre parametra kryesorë, ku kryesorja është rritja në raport me GDP-në, dhe për sa kohë rritja është pozitive dhe është e kënaqshme atëherë nuk duhet humbur durimi, pasi sot ajo që është e sigurt është se sot konsumohet më shumë si nga qytetarët ashtu edhe nga bizneset.

Meqë jemi në fushatë elektorale. Ç’vend zë ekonomia te premtimet e saj dhe cilat janë disa nga platformat kryesore ekonomike që do t’i paraqiten elektoratit?

Nëse do të bënim një analizë se ku kemi arritur deri më tani, personalisht dhe profesionalisht do të thoja se sot jemi shumë më mirë se disa vite më parë. Që në fillimet e qeverisjes sonë ne kemi patur një program të qartë se çfarë duhet bërë dhe ku duhet të shkojmë për të patur një qeverisje sa më të mirë dhe sa më poduktive për qytetarët. Shtyllat kryesore të kësaj qeverisjeje janë disa, pasi në vendin tonë ka mjaft për të bërë, por tre mbeten fushat kryesore- arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Këto janë tre fusha ku asnjëherë nuk mjafton investimi si dhe janë sfida për çdo shtet të zhvilluar. Gjithashtu, një nga reformat më të vlerësuara dhe më të rëndësishme për ekonominë në Shqipëri është reforma në sektorin energjitik.

Por nuk duhet të harrojmë që janë marrë shumë reforma për të stabilizuar dhe rritur performancën ekonomike, si ulja e ekonomisë informale, tregtia e jashtme, lehtësimi i investimeve, reduktimi i barrierave për biznesin, punësimi etj.

Mos harroni se këto që po ndodhin, siç është konsolidimi i mëtejshëm fiskal apo ulja e borxhit, po ndodhin në një vit zgjedhjesh parlamentare. Nuk ka ndodhur në historinë e financave publike të 20 viteve të fundit, që një qeveri të ketë përgjegjshmërinë maksimale për të vazhduar konsolidimin fiskal në një vit elektoral. Ditët me modele të vjetra ekonomike tashmë kanë ikur edhe për vendin tonë. Ky përmirësim i vlerësimit ekonomik, u atribuohet reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat kanë nisur të japin efekte pozitive.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: