Euro e dobësuar, kreditë po jepen vetëm në lekë

Euro e dobësuar, kreditë po jepen vetëm në lekë
Kreditë po preferohen gjithmonë e më tepër që të merren në lekë dhe jo në euro, si nga individët, edhe nga bizneset. Kjo është dukuria më e fundit që konstatohet nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilëve dobësimi i monedhës evropiane në tregun shqiptar të këmbimit valutor, duket se ka sjellë një preferencë në rritje të kreditimit në monedhën vendase. Konkretisht, në raportin e saj “Tendencat e Kreditimit”, banka qendrore raporton se “në fund të muajit shkurt të këtij viti, kredia në lekë për individë shënoi një rritje vjetore prej +11.4%, më e larta kjo e viteve të fundit. Në fund të muajit shkurt, kredia në lekë për individë përbënte 58% të kredisë për individë, përkundrejt 55% që përbënte një vit më parë”. Por edhe faktin tjetër se “rritja e kredisë për biznese është përcaktuar nga kreditimi në lekë, i cili vijon të rritet me ritme të larta prej 10.5%, normë kjo ndër më të lartat e katër viteve të fundit”. Që të dyja këto, shifra të cilat tregojnë tendencën në rritje të marrjes së kredive në lekë, në harmoni kjo edhe me politikën e zgjedhur prej vetë bankave. “Politikat e bankave për të përputhur monedhën e financimit me monedhën e të ardhurave, kanë ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të individëve për rrezikun e kursit të këmbimit dhe ka forcuar preferencën e tyre për kredimarrjen në lekë”, sqarojnë lidhur me një dukuri të tillë ekspertët e BSH-së. E thënë në terma më konkretë, ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë rezulton se paguhet në lekë, edhe bankat u sugjerojnë që kreditë t’i marrin po në lekë, pikërisht për shkak të një përllogaritjeje më të saktë të kësteve prej secilit, por edhe raportit mes të ardhurave dhe shlyerjes së kredisë.

 

 

Më shumë kreditohen individët, bankat më skeptike për bizneset

 Bankat rezultojnë të jenë më “dashamirëse” me individët kur bie fjala për dhënien e një kredie, sesa me bizneset. Këtë e fakton raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit ritmet e kreditimit të individëve rezultojnë të jenë më të larta, sesa ato të bizneseve. “Kredia për biznese ka ngadalësuar më tej ritmet e rritjes. Norma vjetore e rritjes së këtij portofoli prej 1.8% është ndër më të ulëtat në harkun kohor të një viti”, citon BSH lidhur me këtë dukuri. Duke shtuar nga ana tjetër se “kredia për individë u rrit me nivelin prej 5.3%, e mbështetur si nga financimi për konsum ashtu edhe për blerje banese”. Dy shifra këto të ndryshme nga njëra-tjetra dhe që flasin pikërisht për një trend të shtuar të përkrahjes më shumë të individëve për akordimin e një kredie. “Dobësia e kreditimit të bizneseve përcaktohet si nga kushtet ende të shtrënguara të kreditimit nga bankat, ashtu edhe nga kërkesa e ulët nga ky segment”, sqaron gjithashtu BSH-ja. Për të vijuar më tej me faktin se sipas sektorëve të ekonomisë, vihet re se bankat kanë vijuar të mbështesin me kredi sektorin e tregtisë, hotelerisë dhe restoranteve, ku konkretisht kredia për këtë sektor shënoi një rritje vjetore prej 5.2% në muajin shkurt, përkundrejt rritjes prej 4.0% në tremujorin paraardhës. Gjithashtu, raportohet se në rritje të moderuar gjatë këtyre dy muajve ka qenë edhe kredia për sektorin e ndërtimit dhe ajo për sektorin e bujqësisë, të cilat u rritën me 1.3% secila. Ndërkohë që kredia për sektorin e industrisë dhe ajo për sektorin e shërbimeve u tkurrën përkatësisht me 2.4% dhe 1.1% secila.

 

Sa kanë rënë konkretisht normat mesatare të interesit për kreditë?

Norma mesatare e interesit për kredinë në lekë për bizneset private, sipas Bankës së Shqipërisë, ka shënuar rënie në muajt janar dhe shkurt, duke arritur në 7.34%, nga 8.03% që ishte në fund të vitit të kaluar. Teksa norma më e ulët raportohet të ketë qenë ajo e over-drafteve, e cila ka rënë me rreth 1.16%, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Nga ana tjetër, BSH raporton se norma mesatare e interesit për kreditë në euro për bizneset private rezultoi mesatarisht 4.76% në muajt janar dhe shkurt, ose 0.1% më e ulët se në tremujorin e mëparshëm. “Norma e interesit për kreditë në euro të bizneseve ka ndjekur një trend të dallueshëm rënës vitet e fundit. Ajo ka zbritur në nivelet aktuale, nga mesatarisht 5.96% dhe 5.14%, që shënonte në vitet 2015 dhe 2016. Rënie kjo që ka qenë e pranishme në të gjitha llojet e financimit”, sqarojnë ekspertët e BSH-së. Kurse në lidhje me normat e interesit për kreditë në lekë për individët, shtojnë se ato kanë shënuar rritje në dy muajt e parë të vitit. “Interesi mesatar rezultoi 7.52% në këta dy muaj, ose 0.45% më i lartë se në tremujorin e mëparshëm”, sqaron BSH. Për të vijuar se rritja e normave të interesit vërehet tek të gjitha segmentet, por është më e dallueshme tek kreditë overdraft. “Në dy vitet e fundit, normat e interesit për individët ka shfaqur trendin më të fortë rënës, ndihmuar, krahas politikës monetare, edhe nga rritja e konkurrencës mes bankave në këtë segment të kredisë. Në terma mesatarë, ajo ka zbritur nga 10.0% në vitin 2014, në 8.7% në vitin 2015 e më tej në 7.2%, në vitin 2016. Ndërkohë, niveli aktual i normave të interesit mbetet më i ulët se një vit më parë, përpara uljes së normës bazë të interesit me 0.5%”, thekson gjithashtu BSH-ja.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: