Europa, rivalët e Kukësit “trembin” edhe Liverpulin, shanse për Skënderbeun e Partizanin

Europa, rivalët e Kukësit “trembin” edhe Liverpulin, shanse për Skënderbeun e Partizanin
Trajneri Ernest Gjoka, ka hartuar një plan konkret për Europën. Kampionët e Shqipërisë synojnë të kalojnë një tur të Champions dhe më tej të sigurojnë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League

Nga Aranit Muraçi

Kampionët e Celtic, e mbyllën sezonin pa asnjë humbje në Skoci, duke vendosur një rekord që është gati ta vendosë edhe ekipi kampion i Shqipërisë, Kukësi. Në javën e fundit të kampionatit, që do ta luajë ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, Kukësi ka si objektiv ta mbyllë sezonin pa humbje, ndërkohë që pas ndeshjes së mbetur, ekipi i drejtuar nga Ernest Gjoka, do të shpallet zyrtarisht kampion për herë të parë në Shqipëri.

I pyetur nga “Albanian Free Press” për ndonjë objektiv të mundshëm që ka Kukësi në Kupat e Europës, trajneri Ernest Gjoka, tha se çdo gjë i mbetet kohës: pas titullit do të diskutohet me presidentin Safet Gjici, mbi planin e ardhshëm në Europë. Ndërkohë, Kukësi do të hartojë javën e ardhshme një plan konkret për Europën, një sukses i mundshëm historik, sado premtues të jetë plani, duket gati i pamundur. Kjo pasi kampionët e Skocisë, apo ndoshta edhe  ata të Austrisë dhe të Danimarkës, mund të jenë kundërshtarët e parë të Kukësit në Champions.

Kukësi

Kukësi penalizohet nga koeficienti i ulët 4.550, sipas përllogaritjeve të UEFA-s për klube, nga fakti që është pjesë e një kampionati të nivelit të ulët si Shqipëria dhe fakti se nuk ka përvojë në Kupat e Europës. Kukësi, aktualisht, pozicionohet në vendin e 21-të, nga 29 skuadra që hyjnë në këtë fazë, të cilave u shtohen edhe 5 ekipet e kualifikuara nga turi i parë. Nuk janë shpallur ende skuadrat kampione në disa vende si Poloni, Hungari, Moldavi e Bosnje, por në bazë të koeficientit për Kukësin do të jetë i pashmangshëm vendi në vazon e dytë të shortit. Kjo do të thotë se që në turin e parë kualifikues ekipi kampion i Shqipërisë është i detyruar të luajë përballë rivalëve më të fortë.

Kundërshtarët

Përveç skocezëve të Celtic, po aq të frikshëm konsiderohen edhe austriakët e Salzburg, danezët e Copenhagen dhe bullgarët e Ludogorets, në vazon e ekipeve favorite, sikurse janë edhe bjellorusët e BATE Borisov, apo qipriotët e APOEL, e sllovenët e Maribor, pa përjashtuar azerët e Qarabag. Janë ekipe kampione të disa prej vendeve që kanë arritur më herët kualifikimin në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Po aq të frikshëm për Kukësin janë edhe kampionët suedezë të Malmö, kazakët e Astana, serbët e Partizanit të Beogradit si dhe kroatët e Rijekas, apo norvegjezët e Rosenborg dhe gjithashtu izraelitët e Hapoel Be’er Sheva. Thuajse të gjitha ekipe me eksperiencë dhe me arritje në Kupat e Europës.

Europa League

UEFA në turin e dytë kualifikues të Champions League si dhe në raundin e parë të Europa League, bën një ndarje gjeografike paraprake, e cila përcaktohet vetëm pak orë përpara hedhjes së shortit. Gjithsesi, Kukësit i nevojitet thjesht një mrekulli për t’u kualifikuar në raundet e para të Champions, me qëllim që të pretendojë kualifikimin në fazën e grupeve.

Në fund para fazës së grupeve në Champions, shorti mund ta vërë Kukësin përballë ekipeve si Liverpul, Sevilja, apo Napoli. Në këto kushte, skuadra kampione e Shqipërisë që kishte ndërtuar një plan për të arritur suksesin e parë në historinë e futbollit shqiptar, vështirë të ndërtojë një plan të madh për të pasur sukses edhe në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka mund të besojë te realizimi i një tjetër misioni historik, ai i Europa League.

Trajneri vlonjat i Kukësit u shpreh optimist për të përsëritur të njëjtin sukses të Skënderbeu, dy sezone më parë. Në rast se Kukësi eliminohet në raundin e fundit kualifikues të Champions League, kalon automatikisht në fazën e grupeve të Europa League. Gjoka premtoi se vetëm pas titullit kampion, presidenti Safet Gjici ka dhënë garanci për të ndërtuar një ekip të suksesshëm në Europë dhe piketoi se objektiv pikërisht fazën e grupeve të Europa League.

 

Gjoka sheh larg...analizon Liverpulin

Trajneri Ernest Gjoka duket se ka nisur të mendojë që tani për kundërshtarët e mundshëm në Champions League, madje për kundërshtarët me të cilët mund të ndeshet në fazën “Play-off” për një vend në fazën e grupeve. Gjoka ka shpërndarë një video nga ndeshja e fundit e Premier League, mes Liverpul dhe Middlesbrough, së cilës i bëhet analiza taktike e golit. Fitorja 3-0 e mbajti Liverpul në vend të katërt, duke i siguruar një biletë në Champions. Liverpul mund të takohet me Kukësin në Champions, një tur para fazës së grupeve, nëse verilindorët kalojnë raundin e dytë kualifikues.

Skënderbeu dhe Partizani, me shanse 

Skënderbeu dhe Partizani do të diskutojnë në përballjen direkte mes tyre në Korçë, për vendin e dytë dhe te tretë të kampionatit, pozicione që sigurojnë nga një biletë në Europa League. Bileta e tretë për ekipet shqiptare do të vijë nëpërmjet finales së Kupës së Shqiupërisë, por nëse Skënderbeu fiton ndaj Tiranës, kjo bileta i kalon vendit të katërt në kampionat, që mbahet nga Luftëtari. Në rast se fiton Tirana, do të jenë bardheblutë në Europa League, ndonëse në javën e fundit duhet të fitojnë ndaj Vllaznisë në Shkodër për të siguruar mbijetesën.

Skënderbeu dhe Partizani, përveç ndeshjes së mbetur mes tyre, por bëjnë edhe llogaritë për Europën dhe duket se janë të favorizuara në shortin e 19 qershorit. Kundërshtarët e tyre në turin e parë të Europa Ligës do jenë më modestë dhe potencialisht të kalueshëm. Skënderbeu e ka koeficentin 6.9 dhe madje nëse do ishte në turin e dytë të Europpa Ligës do ishte sërish në vazon favoritëve, ndërsa Partizani e ka koeficentin 3, koefiçent i mjaftueshëm për të qenë në vazon e parë. Pjesëmarrja në dy ture evropiane për ekipet shqiptare do të thotë 450 mijë euro. Kjo shumë akordohet nga UEFA.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: