Femrat kërkojnë më shumë punë se meshkujt

Femrat kërkojnë më shumë punë se meshkujt
Shërbimi Kombëtar i Punësimit tregon nga totali prej 92 mijë punëkërkuesish, 53 mijë prej tyre vjet ishin të gjinisë femërore, shumica me shkollë 9-vjeçare

***

Në Shqipëri, ato që kërkojnë më shumë punë rezultojnë se janë femrat dhe jo meshkujt. Kështu rezulton të paktën sipas të dhënave më të fundit të ofruara nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, sipas të cilave, niveli i femrave që paraqiten pranë zyrave shtetërore në kërkim të një vendi pune është më i lartë se ai i meshkujve.

Konkretisht, nga 120 mijë punëkërkues të papunë që ky institucion ka raportuar në rang vendi për vitin e kaluar 2016, 53% e tyre kanë qenë femra. Një tregues në rritje ky, teksa në vitin pararendës, ka qenë më i ulët, vetëm 50% e totalit, e duke treguar kështu epërsinë që femrat kanë pësuar gjatë vitit të kaluar në lidhje me shtimin e tyre të kërkesës për të gjetur një vend pune.

Nga ana tjetër, duket se në rritje paraqitet edhe numri i femrave kryefamiljare që janë të papuna dhe paraqiten pranë zyrave të punës për të kërkuar ndihmë punësimi. Kështu, kjo kategori rezulton se zë 15% të totalit, nga niveli prej 12% që zuri gjatë vitit të kaluar, duke folur kështu për shtimin e numrit të femrave që iu duhet të kujdesen vetë për familjen dhe fëmijët e tyre, e që janë të papuna.

Sikundër, çka bie në sy në tabelën e shifrave të ofruara nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit është edhe fakti se sa i përket nivelit arsimor, gati gjysma e femrave që kërkojnë punë, rezultojnë se janë vetëm me shkollë 9-vjeçare, rreth 47% e totalit të tyre. Pasuar nga femrat të cilat zotërojnë vetëm dëftesën e shkollës së mesme të përgjithshme, të cilat zënë 27.9% të femrave që janë në kërkim të një pune pranë zyrave shtetërore të punësimit. Por edhe ato që kanë një diplomë universiteti, nuk e përjashtojnë një alternativë të tillë, teksa gjenden të papuna, sepse siç tregon Shërbimi Kombëtar i Punësimit, janë rreth 7.5% e totalit të femrave të papuna që trokasin pranë tyre për të gjetur një vend pune.

 

DUKURIA

Gjysma e kërkesave për punë,

  për profesionet elementare

Rreth gjysma e kërkesave për punë nga kategoria e të papunëve në rang vendi, rezulton se bëhet për profesionet elementare. Kjo referohet nga të dhënat kombëtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, sipas të cilave, 51% e totalit të kërkesave për punë gjatë vitit të kaluar, 2016, pranë zyrave të tij janë bërë pikërisht për të tilla profesione. Kështu, punëtorët e minierave, ndërtimit dhe të bujqësisë paraqiten edhe punëkërkuesit më të mëdhenj në rang vendi.

Në shifra konkrete, vjet rezultuan rreth 41 mijë punëkërkues të papunë që i përkisnin kategorisë së profesioneve elementare, ku përfshihen punonjësit e shërbimit, të bujqësisë, minierave, ndërtimit, transportit, përgatitjes së ushqimeve apo shërbimeve të tjera.

Ku nga këta, 18.000 punëkërkues i përkasin sektorit të ndërtimit dhe minierave, duke u ndjekur nga bujqësia me rreth 6.000.

Nga ana tjetër, kategoria tjetër e të papunëve që kërkojnë një punë janë ata që zotërojnë një zanat, përkatësisht 14.251 të tillë gjatë gjithë vitit të kaluar 2016, kryesisht në botën e artizanatit, por edhe atë të elektro-teknologjisë. Ku nga këta, rreth 9.000 rezultojnë si punëkërkues afatgjatë, çka tregon se kanë më shumë se një vit që nuk kanë arritur të punësohen.

Gjithashtu, referuar Shërbimit Kombëtar të Punësimit rezulton se arsimtarët janë kategoria me numrin më të lartë të të papunëve në rangun e specialistëve me arsim të lartë në rang vendi. Konkretisht, në fund të vitit të kaluar 2016, në total rezultuan rreth 753 të papunë, të regjistruar pikërisht me profesionin e arsimtarit.

Vjet, më shumë të punësuar nga zyrat e punës

25170 të papunë në total rezultuan se u punësuan gjatë viti të kaluar nga zyrat e punësimit, krahasuar me 20140 të tillë në vitin pararendës 2015

Viti i kaluar, 2016, rezultoi sipas Shërbimit Kombëtar të Punësimit, si viti i cili arriti të punësonte më shumë punëkërkues pranë zyrave të punës. Konkretisht, sipas të dhënave të tij, nëse në vitin pararendës 2015, në total u punësuan 20140 persona të tillë, vjet ata u shtuan duke arritur në shifrën prej 25170. Për të referuar kështu një trend pozitiv të punësimit të atyre që kërkojnë ndihmën e shtetit për të gjetur një vend pune. Nga ana tjetër, ekspertët e këtij institucioni pohon se sa u përket grupmoshave, numri më i madh i atyre që janë punësuar vjet, ka qenë pikërisht i moshave 25-29 vjeç, respektivisht me nivelin prej 17% të totalit. Pasuar nga grupmosha 30-34 vjeç, të cilët kanë qenë një shifër prej 13.5% të totalit të atyre që kanë gjetur një vend pune, tek zyrat e punës. Kurse nëse do të merrnim si kriter atë të arsimimit, rezulton se shansin më të madh të punësimit nga shteti, vjet e kanë patur pikërisht personat që zotërojnë një dëftesë të shkollës së mesme, përkatësisht duke zënë 36.5% të totalit. Pasuar nga ata me arsim 9-vjeçar që zënë rreth 32.7% të totalit.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: