FIFA fshin emrat e dy gjyqtarëve, në Shqipëri kontestohet "i vetmi"

FIFA fshin emrat e dy gjyqtarëve, në Shqipëri kontestohet "i vetmi"
Shqipëria ka vetëm një gjyqtar të FIFA-s. Edhe pse është kontestuar gjatë ndeshjes së fundit, Kukësi-Skënderbeu, mbetet zyrtarisht gjyqtari i vetëm me stemën e FIFA-s, në Shqipëri.

Lorenc Jemini dhe Andi Koçi jo vetëm janë të pezulluar, por kanë mbetur edhe pa stemën e FIFA-s. Shqipëria aktualisht ka vetëm një arbitër që plotëson kriteret për të gjykuar ndeshjet ndërkombëtare, të paktën sipas FIFA-s dhe ai është Enea Jorgji.

Skeda në faqen zyrtare të organizmit botëror të futbollit tregon se me stemën e FIFA-s figuron vetëm emri i Enea Jorgjit, ndërkohë që mungojnë emrat e dy arbitrave të tjerë që kanë pasur këtë stemë, Lorenc Jemini dhe Andi Koçi, të dy të pezulluar pa afat para nga Komisioni i vlerësimit dhe i meritës pranë Komitetit të Arbitrimit. Mungesa e emrave të tyre në faqen e FIFA-s lë të kuptohet se Jeminit ashtu edhe Koçit, iu është hequr stema e FIFA-s, si rrjedhojë edhe e drejta për të gjykuar në ndeshjet ndërkombëtare. Nga FSHF ende nuk ka patur një konfirmim zyrtar në lidhje me këtë vendim.

Për ta marrë stemën e FIFA-s, për vendet e mbetura bosh, në vend të Lorenc Jeminit dhe të Andi Koçit, në listë shihen dy gjyqtarët e rinj, Eldorjan Hamiti dhe Juxhin Xhaja.

Nga të dhënat del sesa pa vend ka qenë kontestimi i fundit i gjyqtarit më të mirë që ka Shqipëria sot. Akuzat nga Skënderbeu ndaj Jorgjit mund të cilësohen krejt normale,  edhe nëse provohet se gjyqtari gaboi, sikurse është normale kur dihet se gabon çdo gjyqtar i çdo kampionati, madje edhe ai që gjykon finalen e Kupës së Botës. Ai gjithnjë kontestohen nga ekipi i penalizuar. Por në botë janë pamjet filmike që tregojnë se kur gjyqtari gabon, ndërsa në Shqipëri një gjë e tillë nuk vërtetohet për shkak të mungesës së teknologjisë. Gazetarë që vendosin pikat mbi “i” dhe mbivendosin veten në rolin e “kompetentit” i shtohen zhurmës së kontestimit ndaj gjykimit në vendin tonë.

Nuk është aspak normale, që gjyqtari i vetëm me stemën e FIFA-s në vendin tonë kontestohen nga të gjithë aktorët dhe mediat, por nuk merren në mbrojtje as nga institucioni i gjykimit ku bën pjesë. Në rastin e fundit, nga kontestimi me apo pa vend ndaj tij, ndoshta nevojitej një deklaratë mbrojtëse nga institucioni i futbollit, që organizon garën, se Enea Jorgji edhe mund të ketë gabuar siç i ndodh edhe gjyqtarit më të mirë në botë, por në fakt, “ai është gjyqtari më i mirë që ka Shqipëria sot dhe  i vetmi me stemën e FIFA-s”. Ndryshe, duhet pranuar se futbolli shqiptar po luhet pa gjyqtarë.

/a.m/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: