“FILOZOFËT” E PASDITEVE - NGA MERI DISHNICA

“FILOZOFËT” E PASDITEVE - NGA MERI DISHNICA
Nga MERI DISHNICA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

E ndodhur, së fundmi, në plazhet e jugut, me ngutin e një shkrimi të pambaruar, vërej se nuk ka gjë më produktive se deadline-t. Ndoshta është efekti i perëndimit në plazh, ndoshta efekti i pijes, ndoshta ndonjë pickim helmues i insekteve vendase (uroj, jo!). Gjithsesi e trullosur, ulem të shkruaj. Me rroba banje ende të lagura në trup, me guralecë gjithandej.

Shoh njerëz që nuk gjejnë forcën të ngihen nga shezlonët, të frymëzuar nga perëndimi i diellit, më së shumti, përpara detit të përflakur të pasdites. Të ulur apo të shtrirë mbi peshqirë të njomë, me pije apo pa pije në dorë, me cigare, por gjithsesi të përhumbur… dhe akoma me pamje nga deti.

Më ka bërë gjithmonë përshtypje një lloj plogështie që të kaplon pasditeve në plazh, plogështi e shprehur në veprime idiote ritualesh plazhi, apo në biseda të çuditshme me elokuencë “filozofësh”, vetëm e vetëm sepse zhurmat e dallgëve janë sfondi perfekt për meditim (me zë të lartë).

Magjia e muzgut dhe hapësira e pafundme para syve, e bëjnë këtë moment të ditës të kthehet në një çast reflektimi. Ulet tempi i bisedave, por thellohet serioziteti i stisur nga flladi i freskët i perëndimit. Të kap melankolia teksa sheh vijën e pafund të horizontit, dhe pastaj mendon se ka gjëra në jetë që nuk do t’i arrish kurrë, sado larg ta hedhësh gurin në drejtim të tij... edhe nëse hedhjes spektakolare i shton gjithë mllefin e botës sa të të këputet krahu…

Teksa lë gjurmët në breg, thuajse bën bilancin e jetës aty për aty, dhe po aty mbyllet se tashmë të ka rënë dielli në kokë. Sytë marrin atë lloj shikimi largpamës që të bën të dukesh më i zgjuar, pavarësisht diellit në sy, pijes dhe… atij që po të buzëqesh përballë. Oh! Çaste të tilla janë mjaftueshëm për të ushqyer një shpirt për një ditë, dhe personalisht do të luftoja për to (d.m.th. për të “kapur” më shumë perëndime dielli).

Biseda që përziejnë meditimin filozofik me gurët e bregut, duke rreshtuar gurët a thua se po vendos rregull në mendimet e tua. Rituali vazhdon duke mbledhur apo thyer guacka, duke zhytur këmbë e duar në rërë, duke bërë foton e 100-të të perëndimit. duke u habitur se sa bukur është, edhe pse është e njëjta pamje dhe i njëjti kënd perëndimi, çdo herë që je aty.

Pjesë e ritualit është dhe të fiksosh dallgët të përplasen në breg dhe pastaj të vinë tek këmbët dhe të fusin të dridhurat…, të zgjojnë nga meditimi, apo më keq të prishin emrin e atij/asaj që kishe shkruar në rërë apo në gurë…

Me pamje nga deti, tashmë të habitur nga elokuenca e dallgëve dhe e fjalëve, të ngopur me foto, të dendur me plane dhe me pije. E ndërsa filozofia e muzgut vazhdon, duhet të lirojmë shezlonët, sepse aty më vonë do të flitet ndryshe… Të tjerë do të kalojnë a do të ndalojnë, do bëjnë tjetër lloj filozofie…

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: