Fioralba Dizdari: Në konkursin e parë si modele, ika fshehurazi prindërve

Fioralba Dizdari: Në konkursin e parë si modele, ika fshehurazi prindërve
 

 

Fiori - siç e thërrasin miqtë dhe të afërmit - është një vajzë shtatlartë, me sy të kaltër, tipare jo tipike shqiptare, të cilat bien në sy menjëherë e që këto ditë ishte vështirë ta takoje, sepse karriera e saj e mbante me orë të zgjatura në xhirime dhe photoshooting. Në një vend si yni, ku moda është një profesion i vështirë, Fioralba Dizdari ka lënë gjurmët e saj, me shumë finesë. Nuk është imponuar me bombardim lajmesh apo intervistash, nuk ka zgjedhur të jetë pa pushim në ekran, ka zgjedhur profesionalizmin e lehtë-lehtë është sot një nga modelet profesioniste më në zë në botën e modës.

Vjen nga një familje intelektuale, që nuk e kishte me shumë dëshirë pasionin e saj. Por ajo u morr me modeling që në fillimet e shkollës së mesme dhe u bë e njohur si Modelja më e Mirë e Vitit në Shqipëri, për vitin 2004. Më pas pozon për fotografët ndër më të njohurit, Ilia Tërpini, Fatos Pustina, Bevis Fusha, etj. Në vitin 2005, arrin në finale në spektaklin e parë të “Ford Super Models” organizuar në Shqipëri nga fotografi i mirënjohur Fadil Berisha. Po në vitin 2005, Fioralba shkon në Paris, ku nënshkruan një kontratë pune me Elite Model Management, një nga agjencitë më prestigjioze në botë, ku starton në botën e modelingut dhe bashkëpunon me fotografë të njohur si Jean Bernard Thiele, Bruno Jiminer, pozon për revistën e njohur franceze, Madame Figaro ku reklamon veshje të Christian Dior, Paco Rabanne etj. Krahas kësaj, realizon disa reklama si dhe sfilon në sfilata të ndryshme, si ajo e veshjeve të Ditës Italiane të Modës, për 100-vjetorin e Pavarësisë, të stilistëve Ema Koja, Mirela Nurçe, Fevzie Çamer etj. Sot, Fioralba Dizdari është një vajzë e bukur, që di se çfarë do nga jeta, e pasuruar me përvojë dhe me ambicie, na rrëfehet thjeshtë dhe me elegancë mbi atë që ëndërronte e mbi atë që gjeti në pasionin e saj për të bukurën.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Si të gjitha vajzat kur keni qenë e vogël, i kishit me qejf veshjet, takat dhe tualetet e mamit?

 

Kur isha e vogël, prisja me padurim të ikte mami në bibliotekë të studionte. Sapo ajo dilte nga shtëpia, merrja rrobat e saj, bëja sfilata nëpër shtëpi, në majë të takave dhe sigurisht nxitoja t‘i vija nëpër vende, që mami mos ta merrte vesh, ndryshe bëhej nami; ha ha ha ha...

 

Keni filluar modelingun në moshë shumë të re, por është e duhura. Si ishte atëherë dhe si e shikoni tani?

 

Kur unë kam fituar “Modelja me e mirë e Shqipërisë” kam qenë vetëm 16 vjeç dhe kam qenë e vetmja në Shqipëri që lidha kontratë me agjencinë e modelingut Elite Model Managment, një ndër më prestigjiozet në botë, dhe fillova të punoja në Paris. Imagjino sa mbrapa ka qenë! Modelingu kur nisa unë, ka qenë në hapat e parë në Shqipëri, por dhe me gjerë në Europë. Ende ishte treg në zhvillim, tashmë ka evoluar. Problemi është se nuk ka treg të mirëfilltë këtu, kështu ende nuk mund të konsiderohet punë me kohë të plotë, por ka ndryshime. Ndërkohë, jashtë kufijve shqiptarë, - gjithçka sa i takon këtij profesioni, - ndryshon. Ka firma të njohura botërore që presin të prezantojnë koleksionet e tyre, jo vetëm në veshje, por parfume, make-up, bizhuteri, etj. Ka gamë të gjerë prodhimi produktesh dhe agjenci që merren me menaxhimin e modeleve për këtë fushë kaq të bukur siç është moda.

 

Sa dakord ka qenë familja juaj, me këtë vendim?

 

Fillimisht nuk ishin dakord dhe nuk e kisha përkrahjen e tyre, sepse nuk besonin tek sistemi, - për vetë kushtet aktuale ku ndodhej vendi, - sepse nuk kishte eksperienca të mirëfillta për këtë gjë. Madje, në konkursin e parë që mora pjesë si modele, në të gjitha takimet që bëheshin për të përzgjedhur 20 vajzat finaliste, kam ikur fshehurazi. Kur m’u thanë se do të isha në 20 finalistet, atëherë lajmërova familjen për t’i thënë: “Ja, shikojeni, më përzgjodhën në 20 më të mirat! Ndaj ejani dhe flisni me produksionin”. Kështu i binda, duke i treguar nga afër që vleja.

 

Çfarë mendoni se kanë parë në fillimet tuaja fotografët apo stilistët, të cilët ju dalluan nga vajzat e tjera? E kam fjalën fizikisht.

 

Fizikun tim të gjatë, elegancën dhe sytë bojëqielli. Në fotot e para që kam realizuar, panë fotozheninë, përmasat, ecjen e spikatur. Këto cilësi mendoj kanë parë tek mua.

 

Është e vështirë për një modele, të ruajë përmasat trupore? Ju a bëni shumë sakrifica?

 

Nuk është e lehtë. Modelet nëpër botë bëjnë dieta drastike sepse agjencitë e modeleve janë strikte. Nëse lëviz 1 cm, është e pafalshme në industrinë e modës. Por unë nuk jam për këto dieta kaq të forta, duhet ngrënë shëndetshëm, duke e shoqëruar, gjithmonë, me ushtrime fizike. Kam fatin të kem metabolizëm të mirë. Miqtë e mi të ngushtë, shpeshherë ma vënë në dukje duke më thënë se u shëndoshëm prej teje, - ha ti, hamë dhe ne; ha ha ha. Por kujdesem të mos konsumoj yndyra të tepërta, pije me konservues dhe pi shumë ujë.

 

Gjatë gjithë karrierës tuaj, keni bashkëpunuar me fotografët më të mirë në vend. Ndër ta edhe me të madhin, Fadil Berisha. Më tregoni ndonjë mbresë nga bashkëpunimi me të...

 

Per Fadilin kam shumë për të thënë. Është ndër njerëzit më pozitivë që njoh, gjithmonë në ndihmë të shqiptarëve. Veç natyrës me diell që e karakterizon, është dhe profesionist shumë i mirë. Një mësues i madh dhe njeri mjaft i kujdesshëm në raport me të tjerët. Studio e tij është në qendër të Manhattan-it në New York, ku takohesh me emra të mëdhenj, jo vetëm shqiptarë. Mendoj se ka arritur suksese në karrierën e tij, duke fotografuar dhe punuar me personazhe që i kemi parë nëpër filmat më të bukur të Hollivudit.

A ju “thërret” ende Amerika e largët? Ju ishit pak kohë më parë. A do të riktheheni atje?

 

Po. Isha përpara një muaji. Amerika më thërret gjithmonë, më duket se është bërë pjesë e imja tani. Më merr malli kur nuk iki! Do të rikthehem shpejt dhe do të vij me projekte të reja.

 

Sa profesionalizëm ka në botën e marketingut të modës në Shqipëri, dhe sa më shumë duhet të mësohet?

 

Nëse do që të jem e sinqertë, profesionalizmi në Shqipëri, ka mungesa të theksuara dhe kjo jo vetëm në fushën e modës. Kanë filluar ndryshimet pozitive, por ende ka punë për të bërë. Ka njerëz me të cilët kam punuar këtu dhe janë superprofesionistë. Dinë çfarë po bëjnë dhe çfarë kërkojnë; ka të tjerë që nuk dinë nga ta nisin.

Tashmë kanë rënë paragjykimet. Modelet janë të kultivuara e të shkolluara. Ju vetë jeni diplomuar në ekonomi. Mendoni se një ditë do të punoni në profesion?

 

Ai ka qenë plani B, të vazhdoja shkollën që një ditë, kur nuk do merresha më me modeling, të punoja në profesion. E kam praktikuar për një kohë të shkurtër kur kam lënë mënjanë për pak modelingun. Sigurisht, e kam në planet e mia. Ndoshta do të me shihni shpejt, edhe në zyrë.

 

E pengon dashuria një modele?

 

Nëse je e dashuruar dhe dashuria ndodhet në Tiranë, e pengon pak, se duhet kaluar më shumë kohë këtu apo jo? Ha ha ha ha, por me sakrifica arrin t’i bësh ato punë që kanë rëndësi për ty, profesionalisht.

 

Cilat janë pasionet tuaja, jashtë modelingut?

 

Ka shumë. Udhëtimet është një prej tyre. Më pëlqen të shoh vende dhe kultura të reja, palestra, gatimi, më pëlqen të gatuaj për njerëzit e dashur, politika dhe aktualiteti politik prej vitesh, është gjithmonë në vëmendjen time, piano është një pasion tjetër i imi, që e kam lënë pak pas dore, por do të rikthehem shpejt nën tingujt e saj.

 

Keni menduar ndonjëherë të luani në film? Po të prezantoni në televizion?

 

Filmi ka qenë dëshira ime para disa vitesh, por nuk i kam kushtuar vëmendjen e duhur që ta realizoj. Edhe prezantimi, kam bërë gjëra të vogla në lidhje me këtë, hera-herës. Duke qenë se aparati fotografik dhe ekrani i përkasin të njëjtës familje, e gjej veten mirë tek televizioni.

 

A mendoni se femra shqiptare, veçanërisht ato të njohura si ju, duhet të angazhohen më shumë në nisma sociale?

 

Po, pse jo. Figurat publike kanë gjithmonë ndikim në nisma sociale, duke qenë se kanë ndjekësit e tyre, mund të jenë një zë i fuqishëm veçanërisht në media. A s'janë femrat gjysma e popullsisë?

 

Ke hasur në xhelozi të hapur në botën e modës? Sa selektive je ndaj ofertave që të paraqiten?

 

Kam hasur në xhelozi të mëdha jashtë dhe brenda Shqipërisë. Nuk mund t’i anashkalosh. Ana pozitive është se të përgatisin për t’i parë gjërat në një këndvështrim jo aq naiv.

Jam selektive më shumë në Shqipëri, për nga ana profesionale, por kur me vjen ndonjë propozim interesant, nuk nguroj të pranoj.

 

A jeton dot në kamje një modele e suksesshme si ju në Shqipëri? Nëse jo, pse?

 

Nga modelingu në Shqipëri, një modele nuk fiton kaq shumë, sepse siç e përmenda më lart, nuk ka treg të mirëfilltë për kaq shumë punë. Jashtë kufijve shqiptar, pa diskutim po.

 

 

Më tregoni ndonjë projekt tuajin të afërt. Ku e shikon veten pas dhjetë vjetësh? Moda do të jetë ende pjesë e jetës tënde?

 

Kam një projekt të afërt, por nuk dua ta zbuloj derisa të realizohet. Pas 10 vjetësh do të doja të arrija synimet që i kam vënë vetes. E shoh veten edhe në biznes. Moda do jetë gjithmonë pjesë e jetës time.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: