FORUM/ ALFRED PEZA - “Basha, aspirant real për të qenë një ditë kryeministër”

FORUM/ ALFRED PEZA - “Basha, aspirant real për të qenë një ditë kryeministër”
Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

Alfred Peza mendon se “i fituari më i madh në planin personal, sigurisht është Lulzim Basha”, duke shpjeguar se Basha “u ngrit për herë të parë qyshkur se është zgjedhur, në lartësinë e të qenit edhe kryetar "de facto" i opozitës kryesore në Shqipëri, duke rritur aksionet e tij si brenda partisë së vet, ashtu edhe në një plan më të gjerë politiko-elektoral”. Për z.Peza, ky akt e bën Bashën, “aspirant real,- nëse vijon në këtë rrugë,- për të qenë një ditë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë”.

Analiza e plotë:

Më të fituar nga kjo marrëveshje dolën në radhë të parë qytetarët shqiptarë. Të cilët nuk e meritonin që stabiliteti dhe qetësia e tyre të merrej peng nga lojërat e liderëve politikë për interesat e ditës.

Një stabilitet që në rast agravimi apo zgjatje të mëtejshme të situatës, rrezikonte edhe stabilitetin makro-ekonomik të vendit e për rrjedhojë, drejtpërsëdrejti edhe interesat financiarë të qytetarëve të thjeshtë dhe komunitetit të gjerë të biznesit.

E fituara e dytë e madhe është sistemi ynë demokratik, i cili mbeti i pacënuar. Kjo sepse nuk u prekën afatet kushtetuese për mbajtjen e ditës së zgjedhjeve, por as edhe elementët e tjerë të këtij procesi.

Në të kundërtën, kjo marrëveshje mund të prodhonte një kazus të rrezikshëm që minonte në mënyrë të parikuperueshme, stabilitetin afatgjatë e demokratik të vendit, duke prodhuar kriza ciklike.

E fituara e tretë, është imazhi i Shqipërisë në sytë e opinionit publik ndërkombëtar e kryeqendrave të saj vendimmarrëse. Për rrjedhojë nuk u cënua por përkundrazi fitoi, procesi integrues i vendit drejt BE.

Fitoi gjithashtu dëshira e madhe e shqiptarëve për të patur më në fund, një proces "vetingu" për gjyqtarët dhe prokurorët. Si një mundësi për reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, e cila bëhet edhe garante e sistemit demokratik dhe e reformave të thella të shtetformimit modern që janë ndërmarrë. Së fundi, përfitoi edhe klasa politike.

Mes tyre sigurisht, dy protagonistët e kësaj marrëveshje Kryetari i PS, Rama dhe ai i PD, Basha.

I pari, siguroi jo vetëm legjitimitetin e zgjedhjeve, por edhe të qeverisë së re që do të dali nga ky proces.

I fituari më i madh në planin personal, sigurisht është Lulzim Basha. I cili u ngrit për herë të parë qyshkur se është zgjedhur, në lartësinë e të qenit edhe Kryetar "de facto" i opozitës kryesore në Shqipëri.

Duke rritur aksionet e tij si brenda partisë së vet, ashtu edhe në një plan më të gjerë politiko-elektoral.

Një akt që e bën aspirant real,- nëse vijon në këtë rrugë,- për të qenë një ditë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë.

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: