FORUM/ APOLLON BAÇE: NJË SËMUNDJE QË NGA AKUTE KALOI SËRISH NË KRONIKE

FORUM/ APOLLON BAÇE: NJË SËMUNDJE QË NGA AKUTE KALOI SËRISH NË KRONIKE
Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

Apollon Baçe vlerëson se humbësit realë janë minorenet: “Djathtas vetëm partitë dhe jo “liderët”, të cilët PD i rimori në sqetull, dhe majtas partitë bashkë me liderët (përjashtuar Gjinushin e shkathët që ja shiti partinë simbolit të antifashizmit, intelektualitetit dhe pastërtisë morale Tom Doshi)”. Baçe është pesimist për të ardhmen kur thotë se “me kryetarë partish që vazhdojnë të caktojnë deputetët si sulltani oborrin”, ka “një sëmundje që nga akute kaloi sërish në kronike”.

Analiza e plotë:

Për të përcaktuar se kush fitoi dhe kush humbi, duhet ditur raporti me kë dhe këtu pyetja ngatërrohet, pasi palët po tentojnë fuzionin: Compromesso Storico-n / kompromisin historik Italian (aleancën komunisto-demokristiane të viteve ’70), ose, pak më zbutur, “Große Koalition-in/Koalicionin e Madh gjerman (Kristian Demokrat: CDU, CSU dhe Social Demokrat: SPD). Si e tillë, përplasja e zhurmshme mes të dyve rezulton absurde dhe komike, si në këngën “La note di Arisa” të San Remos: “ Pa fitues dhe pa humbës, e tëra mu në mes”.

Nisur nga ligji i hartuar bashkërisht , sipas të cilit kryetari partisë emëron oborrin e deputetëve, ky bashkim nuk do krijonte një sistem bipartiak, pasi PD dhe PS nuk kanë vullnet partiak, por vullnet kryetarësh partie. Strukturë që i përgjigjet bukur mirë strukturës jo fatlume dhe jetëgjatë të duumvirat-it romak, qeverisjes nga dy persona.

Në këtë raport nuk humbet as populli, i cili nuk ja kishte takatin një viti të prapë me mitingje, grindje, çadra, diku dhunë dhe rënie ekonomike. Jo se rënie nuk do ketë, pasi nga qarkullimi do zhduken 10-15 miliard eurot e drogës. Por kjo rënie do jetë graduale, e pa instrumentalizuar, pa largim turistësh dhe investitorësh. Humbësit realë janë minorenet: Djathtas vetëm partitë dhe jo “liderët”, të cilët PD i rimori në sqetull, dhe majtas partitë bashkë me liderët (përjashtuar Gjinushin e shkathët që ja shiti partinë simbolit të antifashizmit, intelektualitetit dhe pastërtisë morale Tom Doshi).

Formalisht këto do jenë zgjedhjet më të rregullta të Shqipërisë postkomuniste, zgjedhjet me legjislacionin më të mbarë për demokraturën dhe më të prapë për demokracinë: Me kryetarë partish që vazhdojnë të caktojnë deputetët si sulltani oborrin, me kushte asfiksuese për partitë dhe idetë e reja, me një diasporë që e mban gjallë Shqipërinë dhe nuk ka të drejtë të shprehet se kush duhet ta drejtojë Shqipërinë. Shkurt një sëmundje që nga akute kaloi sërish në kronike.

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: