FORUM/ EDISON YPI: FITOI SHUMICA DHE BASHKË ME TË, FITUAN TË GJITHË

FORUM/ EDISON YPI: FITOI SHUMICA DHE BASHKË ME TË, FITUAN TË GJITHË
Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

Edison Ypi thotë se “Basha dhe Rama nuk janë humbës, as fitimtarë, janë autorë: dhe shton se “humbën ose fituan ata që nga marrëveshja do vuajnë ose gëzojnë”. Për Ypin, humbën ndër të tjerë, “të papërgjegjshmit për fatet e vetes dhe të shoqërisë”. Kurse fituan ndër të tjerë, “ata që e dinë se Politika nuk është zeje por shkencë e vështirë që mësohet në universitete, akademira, dhe përsoset duke e ushtruar”. Ypi mendon se “fitoi shumica” dhe se “bashkë me shumicën, fituan të gjithë”.

Analiza e plotë:

Basha dhe Rama nuk janë humbës, as fitimtarë, janë autorë. Humbën ose fituan ata që nga marrëveshja do vuajnë ose gëzojnë.

Humbën,

Të papërgjegjshmit për fatet e vetes dhe të shoqërisë, ata që për Politikën kanë përfytyrim banal, primitiv, si zbavitje, si muhabet.

Materialistët të cilët konsideratat për Politikën i kushtëzojnë me rrethanat e interesit të ngushtë personal, e shumta familjar.

Të paaftët fatalistë që nuk besojnë tek vetja, dhe për rrjedhojë u duket se e keqja është e pafundme.

Inatçinjtë, ziliqarët që nuk shquhen për punë dhe pasuri, zullumqarët që ëndërrojnë trazira për tua rrënuar pasuritë atyre që i kanë bërë me djersë dhe gjak pune vendi dhe kurbeti mes një mijë vështirësish.

Anonimët parazitarë, shushunjat gjakthithëse të pluralizmit, dallaveraxhinjtë e xhindosur që iu prishën hesapet.

Mafiozët e çdo kallëpi. Posaçërisht blerësit e votave që ndjehen ngushtë me penalizimet e reja.

Ca Don Kishotë të cilëve çdo herë që afrohen zgjedhjet Shqipëria u duket det me kos, vijnë edhe nga jashtë me lugë në brez, dhe presin të bëhen deputetë dhe ministra pa asnjë zotësi dhe asnjë meritë, thjesht sepse ashtu ua thotë mendja e ç’kurdisur.

Pra humbi pakica.

Fituan,

Ata që e dinë se Politika nuk është zeje por shkencë e vështirë që mësohet në universitete, akademira, dhe përsoset duke e ushtruar.

Qindra mijë që kanë ngritur shtëpi të reja, vila, biznese, të cilat duan të vazhdojnë ti gëzojnë, dhe kanë plane për më mirë në të ardhmen.

Shqiptarët seriozë me vetëdije sociale. Ata që besojnë tek vetja dhe komuniteti. Ata që e kanë të qartë se deputetë dhe ministra nuk mund të bëhet kushdo. Ata që e dinë se respektimi dhe zbatimi i Ligjit është frutdhënës për secilin dhe për të gjithë.

Fitoi shumica. Bashkë me shumicën, fituan të gjithë.

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: