FORUM/ EDUARD ZALOSHNJA: MARRËVESHJA NUK ISHTE NJË AKT DORËZIMI I RAMËS

FORUM/ EDUARD ZALOSHNJA: MARRËVESHJA NUK ISHTE NJË AKT DORËZIMI I RAMËS
Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

Eduard Zaloshnja pohon faktin se “kur nënshkruhet një marrëveshje, secili nga nënshkruesit përfiton prej saj”. Zaloshnja thotë se marrëveshja nuk ishte një akt dorëzimi i Ramës. Kurse më tej analizon se çfarë fituan konkretisht, Rama dhe Basha. Për të dytin, Zaloshnja çmon se “Basha i krijoi shansin partisë së tij të ketë të njëjtat opsione si PS-ja (mund të synojë 71 mandate ose që të krijojë koalicion paszgjedhor qeverisës, të vogël apo të madh)”. Kurse shpjegon edhe pse “Basha arriti që ta rrisë profilin e tij si udhëheqës i PD-së”.

Analiza e plotë:

Kur nënshkruhet një marrëveshje, secili nga nënshkruesit përfiton prej saj. Përndryshe, do të kishim të bënim thjesht me nënshkrimin e një akti dorëzimi të njërës palë ndaj tjetrës. Dhe padyshim, marrëveshja Rama-Basha, e cila shënoi mbylljen e protestës 90 ditore të opozitës para Kryeministrisë, nuk ishte një akt dorëzimi i kësaj të fundit.

Dhe pyetja, në fakt, është se çfarë ka përfituar Rama e çfarë Basha.

Rama siguroi votimin e komisioneve të Vetingut, i cili ka qenë dhe mbetet kryefjala e fushatës së tij elektorale, si dhe siguroi futjen e opozitës në zgjedhje. Një fitore e tij në zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës do të kishte qenë thjesht një fitore "si e Pirros". Qeverisja e tij nuk do ta kishte të gjatë, pavarësisht se qeverinë mund ta votonin mbi 100 deputetë të tij. Me opozitën jashtë parlamentit dhe në protesta permanente, vendi nuk qeveriset dot lehtë.

Gjithashtu, Rama siguroi shansin që të garojë pa krijuar një koalicion parazgjedhor me LSI-në dhe partitë e tjera të majta. Kjo gjë i krijon atij mundësinë që të tërheqë drejt PS-së votuesit e këtyre partive, të cilat i kanë pas mbajtur pranë përmes patronazhit politik. Në qoftë se PS-ja arrin të marrë të paktën 71 mandate, Rama mund të qeverisë pa u detyruar ta ndajë pushtetin me parti të tjera. Ndërsa nëse vetëm i afrohet 71 mandateve, do të kërkojë që parti të vogla apo deputetë të veçantë t'i bashkohen mazhorancës. Por tani, pas zgjedhjeve dhe jo paraprakisht para tyre...

Në rastin më ekstrem, Rama mund t'i kërkojë Bashës të bëjnë një koalicion të madh, i cili të përmbyllë reformën kushtetuese dhe zgjedhore brenda 2 vjetësh, për të shkuar në zgjedhje të reja me një sistem zgjedhor që do siguronte qeverisje nga njëra prej dy partive të mëdha.

Basha i krijoi shansin partisë së tij të ketë të njëjtat opsione si PS-ja (mund të synojë 71 mandate ose që të krijojë koalicion paszgjedhor qeverisës, të vogël apo të madh). Ndërkohë ai arriti që ta rrisë profilin e tij si udhëheqës i PD-së, sepse i tregoi elektoratit të vet që këmbëngulja e tij e detyroi kundërshtarin të bënte një tërheqje të pjesshme.

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: