FORUM/ PLATOR NESTURI: NË PLANIN AFATGJATË ËSHTË RAMA AI QË IMPONON LOJËN

FORUM/ PLATOR NESTURI: NË PLANIN AFATGJATË ËSHTË RAMA AI QË IMPONON LOJËN
Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

Plator Nesturi mendon se në planin afatgjatë është Rama ai që imponon lojën. Kurse parashikon se “një qeveri njëmujorëshe me teknikë të PD, vështirë se mund të ndikojë në zgjedhjet e 25 qershorit”. “Ndaj, - thotë Nesturi, - për Ramën nuk është ndonjë humbje e dhimbshme lëshimi i disa posteve kur ai e ka të qartë se opozita ishte e papërgatitur për një fushatë të shpejtë dhe sipas gjasave PS në zgjedhjet e 25 qershorit do të jetë sërish forcë e parë”.

Analiza e plotë:

Ndarja e pushtetit nëpërmjet futjes se ministrave të propozuar nga opozita, natyrisht të jep përshtypjen se në planin strategjik PD ka bërë një arritje të madhe në betejën e saj. Dhe në fakt të dyja forcat kryesore duhet të jenë të kënaqura. PS që arriti të tërheqë PD në zgjedhje pasi një fitore pa pjesëmarrjen e opozitës do të ish pa ndonjë vlerë dhe jo afatgjatë.

Ndërsa PD ka se çfarë të dëshmojë para mbështetësve të saj si arritje dhe si optimizëm zgjedhor.

Por në planin afatgjatë besoj se është Rama ai që imponon lojën. Kryeministri arriti që të mos bëjë lëshim në shtyrjen e zgjedhjeve dhe në krijimin e hapësirave që do të prishnin skemën e tij tashmë të ngritur elektorale.

Një qeveri njëmujorëshe me teknikë të PD vështirë se mund të ndikojë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ndaj për Ramën nuk është ndonjë humbje e dhimbshme lëshimi i disa posteve kur ai e ka të qartë se opozita ishte e papërgatitur për një fushatë të shpejtë dhe sipas gjasave PS në zgjedhjet e 25 qershorit do të jetë sërish forcë e parë.

Njëkohësisht, me këtë lëvizje Rama arriti të shmangë dhe formulën e koalicioneve çka i lehtëson peshën e marrëveshjeve parazgjedhore, por dhe dëmton rëndë partitë e vogla. Duke arritur një marrëveshje direkte me Bashën, njëkohësisht kreu i PS kërkon të defaktorizojë dhe LSI.

Madje duket se beteja e vërtetë në fushatë do të jetë midis PS dhe LSI. Surprizat mund të jenë të shumta ndaj Rama për të shmangur çdo komplikim kërkon të arrijë në 71 mandate për ta patur si salvaxhente për çdo rast.

Gjithsesi dilema se çfarë do të sjellin rezultatet e 25 qershorit do të përmblidhen në pyetjen: 25 qershori do të prodhojë një qeveri të dobët dhe opozitë të fortë, apo një qeveri me supermaxhorancë dhe opozitë të pandijshme? Marrëveshjet e fundit sugjerojnë se do të jetë kjo e dyta...

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: