FORUM/ SONILA MEÇO: MARRËVESHJA, PASQYRË E NJË SHTETI TË RËNË TOTALISHT

FORUM/ SONILA MEÇO: MARRËVESHJA, PASQYRË E NJË SHTETI TË RËNË TOTALISHT
Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

Për opinionisten e mirënjohur, Sonila Meço, “marrëveshja justifikoi mjetet, por jo qëllimin”. Ajo vlerëson se “kjo marrëveshje, është pasqyrë e një shteti të rënë, totalisht, në çdo sektor jetik”. E në këtë pikë, Meço beson se “nuk ka kuptim të diskutojmë kush fitoi e kush humbi”, pasi “është arritur marrëveshje mbi gërmadhat e një republike që na ka zënë për poshtë, ku qytetari ende ndjen se është zari i lojës politike”. Sonila Meço është e bindur se “marrëveshjen e vërtetë dhe fituesin e saj e kanë në dorë vetëm shqiptarët, për të zhbërë një herë e mirë një sistem që riciklon vetveten me lehtësinë e papërballueshme të rotacionit”.

Analiza e plotë:

Marrëveshja justifikoi mjetet, por jo qëllimin. Për këtë nuk besoj se ka vend për të diskutuar të fituar e të humbur mes Ramës e Bashës. Nuk nisi për këtë qëllim kjo betejë, me gjithë dëshirën e kryeministrit polisportiv që veshur me bluzën e Juventusit, e shihte herë si shah e herë si poker atë çfarë ndodhte pak metra larg zyrës së tij me kosh basketbolli.

Lulzim Basha si lider i opozitës hyri në Çadrën e Lirisë i bindur se me këtë pushtet dhe Edi Ramën në krye nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Duke evoluar gradualisht në konceptin e një Republike të Re, që garanton pjesëmarrjen qytetare, balancë pushtetesh dhe fundin e oligarkisë politiko-financiare që ka kapur vendin.

Rama i qëndronte idesë se një qeveri e ardhur në pushtet me vota, me legjitimitetin e një furie 1 milion shuplakash nuk mund t’i nënshtrohej kërcënimit të një çadre që pushtetin e do në tavolinë e me të legjitimon njëkohësisht edhe autoritetin e bjerrur të liderit të saj.

Dhe një opozitë deri dje e rrudhur, e fyer, përjashtuar e denigruar, e pallogaritur nga pushteti, sot i ka zënë gjysmat e vendeve në tavolinën e qeverisë Edi Ramës.

Asnjë opozitë në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka siguruar kaq pranë fushatës garanci të tilla në zgjedhje. Por nuk largoi dot Ramën, do të hyjë në zgjedhje me të si udhëheqësin e një qeverie të përbashkët.

Koha nuk i jep kohë të sigurojë dekriminalizimin e administratës, ndikimin e një industrie kanabisi që ka qarkulluar mjaftueshëm sa mos e tremb një kolonel sado i zoti në krye të Ministrisë së Brendshme.

Opozita do të ketë tashmë përgjegjësinë e organizmit të zgjedhjeve me kreun e KQZ-së e bashkë me ministrat e krerët e disa agjencive do ngjajnë gardiane më shumë se kontribuues të asaj për të cilën aq shumë artikuluan kordat zanore të Lulzim Bashës, Republikën e Re pa Edi Ramën.

Ky i fundit në anën tjetër humbi mjetin më domethënës të retorikës, se nuk lëshohet një pushtet i dalë nga vota, megjithëse ruajti karrigen e vet, në të cilën është ulur aq pak për punë e më shumë për propagandë e karshillëk opozitës.

Pas këtyre bilanceve mjafton t’i hedhësh sytë marrëveshjes së firmosur, hartuar në zyra larg këtij vendi, nga njerëz që nuk kanë pasaportën shqiptare, për të parë aty pasqyrën e vërtetë jo të një pushteti, por një shteti të rënë, totalisht, në çdo sektor jetik.

E këtu nuk ka kuptim të diskutojmë kush fitoi e kush humbi, sot është arritur marrëveshje mbi gërmadhat e një republike që na ka zënë për poshtë. Ku qytetari ende ndjen se është zari i lojës politike.

Asaj loje që ngushtoi sërish demokracinë në dy pole, duke bërë të pamundura alternativat. Dhe se marrëveshjen e vërtetë dhe fituesin e saj e kanë në dorë vetëm shqiptarët, për të zhbërë një herë e mirë një sistem që riciklon vetveten me lehtësinë e papërballueshme të rotacionit.

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: