FSHF, “ok” licencimit të klubeve për Europën, Skënderbeu pret Etikën

FSHF, “ok” licencimit të klubeve për Europën, Skënderbeu pret Etikën
Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi janë tre ekipet shqiptare që kanë fituar zyrtarisht të drejtën e pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Kukësi do luajë në Champions League, ndërsa Partizani dhe Skënderbeu kanë fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Europa Ligë. Luftëtari, Vllaznia dhe Tirana, gjithashtu me shanse për të marrë pjesë në Kupat e Europës, kanë përpiluar dokumentacionin në FSHF.

Luftëtari si vendi i katërt, e fiton të drejtën e Europa League, nëse kupën e fiton Skënderbeu. Tirana nëse fiton në finale të kupës ndaj ekipit korçar, pavarësisht se nuk mbijeton në Superiore. Vllaznia kishet gjithashtu shanse deri pak javë më herët, si Luftëtari, për vendin e katërt, por tani i duhet të sigurojë mbijetesën. Megjithatë, në FSHF konfirmohet se klubet janë licencuar, edhe Tirana megjithëse me vështirësi.

Bardheblutë humbën të drejtën në analizën e parë të licencimit, por fituan të drejtën e pjesëmarrjes në apel. Borxhet e së shkuarës që klubet mund të kenë me individë apo subjekte, sipas FSHF, duhet që të njihen nga klubet me marrëveshje përkatëse likuidimi. Strukturat e klubeve, të punësuarit, ekipet zinxhir, stadiumet ku do luajnë, si dhe bilancet dhe tatimet, kanë qenë disa nga kriteret që duheshin plotësuar nga klubet për t’u licencuar.

Skënderbeu, për në Europa League, i duhet një përgjigje nga Etika

Pjesëmarrja e Skënderbeut në Europa Ligë, sipas FSHF-së, është e sigurt të paktën deri tani, sepse përveçse, nuk ka asnjë dënim nga UEFA për sezonin 2017-2018, klubi korçar ka plotësuar dosjen e licencimit me të gjitha kriteret e kërkuara nga UEFA. Zyrtarisht për momentin ata janë pjesë e Europa Ligës.

Skënderbeu mund të penalizohet për pjesëmarrje në Europë, vetëm në rast të një vendimi të mundshëm të Komisionit të Etikës në FSHF. Komisioni i Etikës ka të drejtë t’i mohojë Skënderbeut pjesëmarrjen në Europë edhe për këtë vit, pas penalizmit që mori nga UEFA për mos pjesëmarrje gjatë edicionin e shkuar. Komisioni i Etikës mësohet se ka hapur një hetim për “dosjen” e Skënderbeut dhe pritet të marrë një vendim. Por vështirë të ketë penalizim nga FSHF, përveç ndonjë shkresë tjetër penalizuese nga UEFA, që e paralajmëroi pak kohë më parë ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika.

/a.m/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: