Fushata elektorale, politika po shkon tek sipërmarrjet

Fushata elektorale, politika po shkon tek sipërmarrjet
Duke qenë se ekonomia po zë një vend të rëndësishëm gjatë kësaj fushate elektorale, politikanët kanë vendosur që “t’i prekin nga afër” problemet e saj, atje ku njerëzit punojnë

***

Politika po shkon te biznesi. Kjo është ajo që të bie në sy në ditët e para të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017, teksa politikanët kanë nisur të shfaqen gjithmonë e më tepër nga mjedise ndërmarrjesh apo edhe tryeza pune me sipërmarrësit privatë. Mjafton të kujtojmë se një e tillë ishte ajo që u zhvillua dje pikërisht mes ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, këtë herë në rolin e një deputeti të Partisë Socialiste dhe një grupi përfaqësuesish të sipërmarrjes së lirë private në vend.

Nga ana tjetër, edhe vetë kryeministri i vendit, Edi Rama, ka zgjedhur që një nga takimet e tij të fundit ta zhvillojë pikërisht në mjediset e një biznesi fason në vend, duke lançuar që aty edhe mesazhe të rëndësishme politike, në kuadrin e fushatës elektorale. Por edhe ekonomike në të njëjtën kohë, siç është ai i realizimit të një cikli të mbyllur të prodhimit vendas me markën “Made in Albania” në vendin tonë. Një kërkesë kjo për të cilën biznesi ka kohë që ka kërkuar në fakt prej autoriteteve vendase mjaft lehtësira. Pa lënë mënjanë as edhe deklaratat për mbështetje të mëtejshme të qeverisë ndaj kësaj kategorie të biznesit, e cila punëson me dhjetëra mijëra shqiptarë sot në Shqipëri.

Gjithashtu, edhe përfaqësues të kabinetit qeveritar po nisin të shfaqen nëpër sipërmarrje të ndryshme, siç është përshembull ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi e cila ka zhvilluar së fundmi një takim në një sipërmarrje të prodhimit të materialeve të ndërtimit. Takim ky në të cilin ajo u shpreh se “kjo qeveri është e vendosur të vazhdojë mbështetjen për sipërmarrjet shqiptare me mbështetje financiare, në formë granti apo kredie lehtësuese, pasi duke ndihmuar bizneset të rriten, forcojmë dhe ekonominë tonë”. Sikundër, edhe nga kampet e tjera të politikës në vend, janë shpeshtuar takimet e përfaqësuesve të tyre me sipërmarrjet.

Kurse sa i përket Partisë Demokratike, duket se ajo katër muajt e zhvillimit të protestës së saj kundër qeverisë nën çadër, i shfrytëzoi edhe për të zhvilluar shumë takime me përfaqësues të biznesit, në të cilat u fol pikërisht për problemet që shqetësojnë këtë të fundit dhe premtimet apo rrugëzgjidhjet nga ana tjetër që opozita i paraqiste atyre.

LSI

Meta, vizita të shpeshta nëpër biznese fasone apo dhe ferma

Eshtë fakt se kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili deri pak më parë ka mbajtur postin e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim ka zhvilluar shpesh gjatë kohëve të fundit takime me sipërmarrës privatë, qofshin këto në mjedise të bizneseve fason, por edhe në ferma të ndryshme në vend. Takime këto, në të cilat ai ka përfituar pikërisht për të shpalosur që para nisjes zyrtare së fushatës elektorale idetë e forcës politike që ai përfaqëson në lidhje me zhvillimin e ekonomisë së vendit.

 

KËRKESAT

Biznesi, politikës: Na rishikoni patjetër taksat

Komuniteti i biznesit nga ana e tij gjatë kësaj fushate elektorale ka gati parashtrimin e një sërë kërkesash ndaj politikës. Kjo u vu re gjatë një takimi që ai zhvilloi me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, të cilit i kërkoi pikërisht rishikimin e taksave dhe tatimeve, në rast se e majta e merr përsëri pushtetin pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Sikundër, edhe më tepër mbështetje të bizneseve që nxjerrin në treg produkte vendase. “Ju bëtë një ulje të TVSh-së për turizmin dhe ju përgëzojmë se kjo do të stimulojë turizmin. Por duam një tatim fitimi më të ulët për industrinë e lehtë”, ka pohuar sipërmarrësja Donika Mici. Kurse Luan Bregasi i “Business Albania” ka shtuar se duhet vazhduar mbështetja ndaj industrisë prodhuese në vend, pra qeveria sipas tij duhet të shikojë uljen e kostove të prodhimit.

 

PREMTIMET

Ahmetaj: Ulje tatim-fitimit, do të rishohim progresiven

“Tashmë kemi mundësi ta ulim taksimin progresiv nga niveli 23% në 18% dhe kemi ofruar gjithashtu një ulje të tatim fitimit për kompanitë”.Kështu është shprehur dje ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, gjatë takimit të punës me sipërmarrës të vendit. Duke premtuar më tej para tyre. se sipas programit të ri të socialistëve një tjetër lëvizje është ulja e dividendit në 6%, nga 15% që është aktualisht. “Do të vijojmë të kemi tatim-fitimin në nivelin aktual, por do të ulim dividentin në 6%”, tha Ahmetaj. Duke sqaruar se kjo politikë do ndiqet duke vijuar tendencën e uljes së borxhit publik dhe këtu sipas tij është ndryshimi me programet e partive të tjera. Më tej, ai tha se pagat në sektorin shtetëror do të rriten me 40%, si dhe shpërblimi për pensionistët do të jetë nga 7 deri në 10 mijë lekë çdo vit. Duke vijuar me premtimet për hapjen e vendeve të reja të punës, ku pas shifrës prej 300 mijë vendesh të premtuar mandatin e kaluar, për këtë mandat premtohen 220 mijë vende të reja pune.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: