Gjergj Buxhuku: Kriza politike, rënie 40% e interesit të investitorëve të huaj

Gjergj Buxhuku: Kriza politike, rënie 40% e interesit të investitorëve të huaj
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

Investitorët e huaj po tregojnë gjithmonë e më pak interes për të investuar në vendin tonë. Këtë e pohon gjatë një interviste me “Albanian Free Press”, kreu i Konfindustria-s shqiptare, Gjergj Buxhuku, sipas të cilit zhvillimet e fundit ekonomike në vend kanë patur edhe ndikimin e tyre në ekonomi. “Sipas vlerësimit të Qendrës së Studimeve të Konfindustrisë për vitin 2016, kemi një rënie prej mbi 40% të numrit të investitorëve të huaj, që kanë kontaktuar krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit 2015”, pohon ai.  Duke shtuar më tej se “të duket sikur qëllimi i vetëm i politikës së sotme është sesi të qëndrojë, ose si të vijë në pushtet, pavarësisht interesit publik, që para se gjithash kërkon mirëqenie”...

***

Prej javësh, vendi është përfshirë në një ngërç të zhvillimeve politike. A mendoni se kjo situatë mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit në tërësi dhe tek biznesi në veçanti? Nëse nis e ashtuquajtura ‘mosbindje civile’ si do reflektohet kjo tek biznesi.

Në fakt, ekonomia shqiptare edhe pa pasojat e krizës politike ka vite që është në vështirësi dhe nuk po mundet të japë shenja të ringritjes së qëndrueshme në afatgjate. Natyrisht, çdo tensionim i mëtejshëm politik shton vështirësitë për biznesin dhe ekonominë, por para së gjithash unë do të veçoja mungesën e plotë të përballjes së alternativave të zhvillimit. Të duket sikur qëllimi i vetëm i politikës së sotme është sesi të qëndrojë, ose si të vijë në pushtet, pavarësisht interesit publik, që para se gjithash kërkon mirëqenie. Nëse kriza politike do shoqërohej dhe me alternativa të qarta zhvillimi, ndryshim ekonomik, do ta vlerësoja pozitive përballjen.

Më në detaje, cilat janë pasojat konkrete që sipërmarrjet private si te tilla përjetojnë në kushtet e një paqartësie të zhvillimeve politike në vend?

Shenja e parë e qartë është niveli historik i ulët i kërkesave për kreditim nga bizneset. Një tregues, që ka kohë që vazhdon të jetë i pranishëm dhe tregon për gjendjen e vështirë të ekonomisë, strukturimin tërësisht të gabuar të saj, institucione të dështuara dhe si pasojë, besimin e rrënuar të biznesit dhe qytetarëve për të ardhmen. Dalja e parave të shqiptarëve jashtë vazhdon pareshtur në mungesë të tregjeve të hapura në vend, sistemit të monopoleve dhe oligopoleve në sektorët strategjikë të ekonomisë dhe financave, etj, mjafton të vlerësosh, që vetëm nga sistemi bankar janë investuar jashtë vendit mbi 700 milionë dollarë dhe afërsisht 400 mijë shqiptarë, ose kanë emigruar, ose kërkojnë legalisht të emigrojnë për të kuptuar se cila është e vërteta e hidhur ekonomike dhe para së gjithash, shpresa e vrarë e qytetarëve dhe e biznesit.

Ju si Konfindustria, a dispononi ndonjë informacion të fundit nga investitorë të huaj lidhur me interesin e tyre për të investuar në Shqipëri? A paraqiten ata më të stepur se më parë, apo nuk ka ndonjë ndryshim në këtë aspekt?

Rënia e qartë e ardhjes së investitorëve të huaj në vend është një tjetër tregues i gjendjes së vështirë ekonomike në vend. Kjo jo domosdoshmërisht e lidhur me krizën politike të fundit, që natyrisht do ta rëndojë më shumë gjendjen. Sipas vlerësimit të Qendrës së Studimeve të Konfindustrisë për vitin 2016, kemi një rënie prej mbi 40% të numrit të investitorëve të huaj, që kanë kontaktuar krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Italia ka nisur së fundmi zbatimin e planit 'B' per bizneset e llojit call center. Çfarë ndikimi konkret pritet sipas jush që kjo të ketë në ekonominë shqiptare? Çfarë mund të kishte bërë më shumë shteti ynë për ta parandaluar këtë situatë? A u bë mjaftueshëm?

Situata është delikate, sepse nga njëra anë Italia në rastin konkret ka shkelur haptazi parimet e tregtisë së lirë dhe rregullat e OBT/Organizatën Botërore të Tregtisë dhe marrëveshjet e Shqipërisë me BE si vend kandidat nga ana tjetër kemi te bëjmë me një vend mik dhe partnerin kryesor ekonomik. Shto këtu dhe interesa të qarta politike. Nëse çështja do të ishte trajtuar në këndvështrimin ekonomik dhe tregtar shteti shqiptar duhet të tregohej shumë më i vendosur dhe profesional. Ndalimi i importeve të shërbimeve call center nga Shqipëria është e njëjta në thelb sikur të ndaloheshin ose të vendoseshin taksa speciale shtesë për importet e mallrave dhe prodhimeve të “Made in Italia” për tregun shqiptar për të mbrojtur prodhimet vendore.

Nis tashmë aplikimi i pagës së re minimale. Cili do jetë ndikimi real i saj tek biznesi në vend?

Më e rëndë sesa ndikimi te rritja e kostove për biznesin është mënyra dhe koha e ndërmarrjes së veprimeve të tilla nga qeveria. Së pari, pagat si parim duhet t’i vendosë tregu dhe së dyti, koha e marrjes së vendimit në prag të zgjedhjeve është tërësisht politik. Përfitimi në këtë rast është i dyfishtë për qeverinë, sepse shpreson të përfitojë politikisht dhe njëkohësisht edhe të rrisë të ardhurat në buxhet nga rritja e kontributeve shëndetësore dhe shoqërore, pasojë e vendimit. Kostot i paguajnë bizneset dhe qytetarët në fund. për disa sektorë rrezikohet edhe vetë ekzistenca e tyre dhe/ose kalimi në informalitet të shtuar për shkak mbijetese.

Në prag të fushatës elektorale, nisi edhe zbatimi i amnistisë së fundit fiskale. Si do ta komentonit atë?

Amnistitë fiskale në Shqipëri ndodhin rregullisht dhe pavarësisht se cila parti është në pushtet para zgjedhjeve. Si të tilla, kanë qëllim të qartë politik. Në thelb, ato duhen pranuar si një gjilpëre qetësuese e përkohshme, por që nuk arrin të shërojë shkakun e sëmundjes, që prodhon gjithë malin gjigand të detyrimeve të papaguara prej pothuaj 900 milionë dollarë nga biznesi dhe qytetarët. Arsyeja e krijimit të këtyre detyrimeve masive janë paaftësia për të paguar nga qytetarët dhe bizneset e jo mosdashja. Shkaqet e vërteta janë gjendja e vështirë e ekonomisë dhe politikat fiskale tërësisht të gabuara me rritje të taksave dhe tatimeve të ndërmarra në vite. Amnistia që nuk shoqërohet me operacione të thella për shërimin e shkaqeve të sëmundjes, por vetëm në narkoza për qetësim të përkohshëm dhimbjesh është jo vetëm e gabuar, por edhe e dëmshme. Kjo sepse rrezikon shtimin e psikozës për informalitet të biznesi dhe qytetarët e goditje të ashpra ndaj parimit të konkurrencës së ndershme ndërmjet bizneseve.

Një komenti juaj mbi katër vitet e qeverisjes së majtë në vend. Cilat kanë qenë reformat që sipas jush e ndihmuan biznesin dhe cilat jo? Çfarë mund të bëhej më shumë.

Kemi mbështetur menaxhimin e mirë të sektorit të energjisë elektrike dhe njëkohësisht reformën administrative territoriale. pjesa tjetër e qeverisjes, që lidhet me ekonominë ka qenë e dështuar. Pasojat ndihen sot, por do te ndihen edhe me ashpër nesër, nëse nuk ndërmerren masa për ndryshime të thella në politikat qeverisëse. Spikasin para së gjithash, politika fiskale tërësisht e gabuar mbështetur në rritje taksash dhe tatimesh, në kushtet e një ekonomie të dobët dhe konkurrencës së vendeve te tjera e thellimi i shkallës së mbylljes dhe monopolizimit të mëtejshëm të sektorëve strategjikë të ekonomisë. Mjafton të vlerësojmë se nëse do të mënjanojmë ndikimin e borxhit prej mbi 1.2 miliard dollarë që ka shtuar borxhin publik me pothuaj 10% të PPB, vlerën e investimeve të projekteve të filluar 7-8 vite më parë si TAP dhe StaeteCraft në HEC e Devollit sot jemi në recesion prej të paktën 2% të PPB për të kuptuar gjendjen e vështirë të ekonomisë sot. Pa përmendur këtu të ardhurat nga ekonomia e paligjshme dhe kriminale në rritje e hashashit. Nuk jemi në gjendje të japim vlera rreth kësaj të fundit, por ajo qartësisht ka ndikuar në mbajtjen e një shkalle të caktuar të konsumit të qytetarëve dhe ndikim në bizneset e sektorit të agroin-dustrisë dhe ndërtimit. Natyrisht, lidhja e një mase të madhe të fermerëve dhe alokimi i kapitaleve në prodhimin e hashashit është me rrezik të madh për zhvillimin ekonomik të vendit. Pa përmendur këtu rrezikun për demokracinë dhe stabilitetin shoqëror. Por para luftës për mbijetesë në kushtet e paaftësisë qeveritare për të krijuar mundësinë e jetesës me mjete dhe mënyra të ligjshme nuk ke çfarë të thuash.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: