Hasan Luçi: Si botoheshin librat shqiptarë në Francë

Hasan Luçi: Si botoheshin librat shqiptarë në Francë
Në periudhën e komunizmit, Franca ishte një dritare e vogël e Shqipërisë në oborrin e Perëndimit. Diplomati Hasan Luçi tregon se si u arrit të botoheshin në frëngjisht “Historia e Shqipërisë”, “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, romani i Ismail Kadaresë. Urdhri “nga lart”: Të mos përmendej emri i përkthyesit

 

Dr. Hasan Luçi*

Botimi i historisë së Shqipërisë

Javer Malo dhe Harilla Kola kishin filluar punën për botimin e historisë së Shqipërisë, me autorë S.Pollo dhe A.Puto nga shtëpia botuese “Edision-Difuzion Hovarth” në koleksionin e “Historisë së kombeve europiane”, të ndërmarrë prej saj. Në vitin 1972, këtë punë e vijova derisa doli në frëngjisht libri në fundin e 1974, lajm të cilin “Zëri i Popullit” e dha (më 11 dhjetor 1974, f.1). Parathënien e historisë e bëri akademiku francez prof. Moris Bomo, i cili qe mik i vjetër i Shqipërisë, së bashku me vajzën e vet, Helenën, që na prisnin me kënaqësi në shtëpi, se akademiku ishte i moshuar. Vlen të shënoj se kur libri u botua, në të mungonin emrat tonë si bashkëpunëtorë për daljen e tij, siç parashikohet atje në këto raste, megjithëse ambasadori ishte marrë vesh me botuesin kur ai ia kërkoi dhe i dha emrat tanë, por dikush nuk e pëlqente këtë gjë dhe “Hovarti” nuk na e tha se kush. Një herë u nis të ma thoshte, por ia preva: Faleminderit, nuk e dua, se jam i rritur tani, është ca si vonë”. Ai qeshi. Ndofta arkivat do ta nxjerrin, se ne nuk merrnim autorësinë, por vlerën e punës sonë reale. Në fakt atje shënohet se përfundimi i kësaj vepre u  lehtësua nga ambasada e RP të Shqipërisë në Paris dhe ne bëmë punë të madhe për ta bërë të njohur e për të shkruar për të në Francë dhe pati jehonë.

Prof. Bomo dhe vajza vizituan vendin tonë nga ku u kthyen me përshtypje të mira, dhe në tetor 1977 i botoi në shtypin francez. Helena solli edhe një breshkë nga Shqipëria, që e mbante në shtëpi, por na ankohej se ishte “kokëfortë” si shqiptarët dhe nuk i bindej shumë, se i fshihej shpesh dhe nuk i duronte përkëdheljet!

Prof. Zhorzh Kastelani, të cilit i dhurova librin “Historia e Shqipërisë” që u botua në Francë, mbajti premtimin dhe shkroi një artikull në revistën historike (nr.513 të muajve janar-mars 1975, f.185-194), ku këtë botim e quan “Një ngjarje për historiografinë bashkëkohore që meriton të drejtohet vëmendja më shumë se te titulli”. Ai e quajti edhe një ngjarje për botimet franceze, megjithëse me vonesë, për të zbuluar historinë e Shqipërisë, për të cilën janë dhënë  ndonjë pjesë kronologjike. E mbyll me përfundimin se ky botim është një ngjarje në botën e historisë. Ai qe profesor në qendrën e studimeve të popujve dhe të kulturës së Evropës Qendrore e Juglindore në Universitetin Parisi 6.

Prof. Kastelani filloi përgatitjen e një libri për Shqipërinë në koleksionin e njohur “Que s’ai-je (çfarë di?) dhe e botoi atë më vonë pasi unë u largova. Ai ishte profesor me emër atje, ku ka dhënë për 10 vjet historinë e Ballkanit në Institutin kombëtar të Gjuhëve dhe qytetërimeve lindore. Ka botuar veprën voluminoze “Historia e Ballkanit (shek. XIV-XX) në 1991 që ua kushton “kolegëve dhe miqve të tij në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani, Turqi e Jugosllavi, të cilët gjatë një çerek shekulli më bënë të kuptoj dhe ta dua Ballkanin”. Në fakt Kastelani mbron edhe pikëpamje të gabuara të serbomëdhenjve për kombin shqiptar në Ballkan.

Botimi i historisë së LANÇ-it

Gjatë punës me P.Keselin vumë në plan edhe botimin e historisë së Luftës Nacional-çlirimtare të Shqipërisë nga shtëpia e tij botuese. Për t’i bërë parathënien e librit, bisedova edhe me Prof. Zhorzh Kastelanin, historian për Ballkanin dhe mik i vjetër i ambasadës. Nga Tirana u dha pëlqimi dhe u caktuan autorët. Ndërkohë, siç dihet, në 1974 ndodhën ngjarjet e “puçit ushtarak” që patën jehonë të madhe në Francë. Nga kjo ngjarje patëm një kujdes më të madh për botimin e historisë. Keseli qe i majtë, pa parti të përcaktuar, ishte më afër punës më kokë të tij, por e gjeta një mirëkuptim me ta, meqenëse njihja mirë atë, vendin tim dhe jo keq Francën e francezët. Shpesh bënim debate të forta në një kohë të trazuar, sidomos pasi plasi çështja e “puçistëve në ushtrinë shqiptare”.

Romanet e Kadarësë

Para se të shkruaj për punën time si mbështetje e fuqishme, veç shokëve të tjerë të ambasadës sonë e kryesisht, të ambasadorit, Javer Malos, për të botuar veprat letrare në prozë e poezi të këtij shkrimtari të letrave shqipe, po shkruaj shkurt në parantezë si jam njohur me të.

Ismail Kadarenë e kam njohur në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, ishim në klasë paralele, në vitet 1951-1955. Që në vitin e parë edhe unë merrja pjesë në rrethin letrar të poezisë, ku ishin edhe D.Agolli, A.Shehu, B.Harxhi etj. Atje lexonim poezitë tona, por unë s’po arrija t’ua mbushja mendjen. Një ditë i kërkova Ismailit ta lexonte një vjershë timen. Ai e lexoi shpejt dhe më tha: Ti e ke kopjuar nga unë, por prapë nuk vlen fare! Nuk ia mora për keq, se kisha pak kohë që e njihja, por duket dielli që kur lind. Ai qe individualist qysh atëherë, rrinte vetëm, dukej se i pëlqente vetëm vetja, kur qeshte ai s’nxirrte zë, por ngërdheshej.

Po me I. Kadarenë ishim vullnetarë edhe në rrugën e Dritës në korrik të vitit 1952, në kantierin e Ferr Shkopetit në Mat. Ismaili qe më i dobët me shëndet se unë, punoja me kazmë e lopatë në hapjen e trasesë së rrugës, se isha mësuar në fshat me punë të tilla, kurse Ismailin e dërgonim, që në orën 7 të mëngjesit, për të na marrë ujë me gjym në një shpat mali përball. Pasi kalonte me këmbë lumin Fan, i gjori bëhej akull, që në mëngjes por atëherë bënim sakrifica me bindje atdhetare, siç ishte koha.

Një herë atje ku merrte ujë Ismaili disa herë gjatë 6 orëve të punës sonë rinore, u vra një diversant dhe u kapën të tjerë nga forcat e Sigurimit të Shtetit, por ai si dhe ne të tjerët, shpëtuam dhe mblidheshim në kampin e kantierit që në orën 18.00 pasdite.

Kur sapo kisha vajtur në Paris, në shkurt të vitit 1972, u botua romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, meritë e J.Malos si dhe e përkthyesit Isuf Vrioni, emrin e të cilit e lanë anonim me porosi nga lart, edhe pse na kërkohej nga miqtë francezë. Botimi më gëzoi, jo vetëm si shqiptar dhe i njohur me Ismailin, por edhe si shkak i mirë për t’u takuar me intelektualët francezë, të cilëve do t’ua këshilloja ose do t’ua dhuroja librin në kuadrin e propagandimit të letrave shqipe. Ky ishte romani i parë i botuar atje. Së bashku me ambasadorin përgatitëm listën e miqve, të personaliteteve e të trupit diplomatik që do t’u dërgonim këtë roman, se nga shtëpia botuese “Albin Mishel”, Robert Sabatieja na dërgoi 200 kopje për t’i shpërndarë te miqtë e ambasadës dhe për t’i dërguar në Shqipëri. Pasi e shpërndamë librin,ndoqëm jehonën e tij në shtyp, ku u shkruan artikuj lavdërues në gazetat kryesore, duke pasur jehonë të gjerë. Ky sukses na nxiti për arritje të reja, pasi u krijuan rrethana të reja për njohjen e vendit tonë në Francë dhe, nëpërmjet saj, në vende të tjera ku rrezatonte kultura franceze. Këtë roman ia dërgova edhe Moris Klavelit, që kishte marrë çmimin Gonkur (një çmim letrar i djathtë në Francë), shkrimtar që e takoja në pritjet dhe tregonte mirësjellje. Ai nuk m’u përgjigj direkt, por një mikut të tij i kishte thënë se i kishte pëlqyer romani i Kadaresë, vetëm se vështirë të konkurronte për atë çmim.

Iu futa më thellë njohjes së kushteve për botime në Francë. Mblodha e studiova shumë pamflete të shtëpive botuese franceze, shumica e të cilave ishin në lagjen latine të Parisit. Miq të ndryshëm më tregonin punonjës te botuesit për t’i njohur drejtpërsëdrejti. Këtë punë e bëja edhe me librarinë ngjitur me selinë tonë, ku huaja edhe libra për lexim. Miqtë që kishin bërë botime të librave të tyre qenë më konkret duke më thënë se kë duhej të takoja, ç’mund të përfitoja nga takimi me ta, cilat qenë kushtet e botimeve etj. Kështu u njoha më mirë me Robert Sabatien, drejtorin  letrar të “Albin Mishel”, zonjën Blavie po atje për botimin e romaneve të Kadaresë; Pier Siprio, zonjat Andre For dhe Fransuazë Kolaneri të grupit “Hashet”, “Fajar” dhe “Stok”; me z. Pier Ruso në shtëpinë botuese “Norman Betyn” etj.

Ky bashkëpunim me shtëpitë botuese u forcua kur u dhanë për botim librat e reja të Kadaresë “Kështjella” dhe “Dimri i madh”. Atëherë unë luajta rolin e përkthyesit në takimet e Kadaresë, i cili e kuptonte, por ende nuk fliste vet frëngjisht. Së bashku me të ose me ambasadorin morëm pjesë në dreka e darka me botuesit. Kur Kadareja kthehej në Atdhe, unë ndiqja çështjet konkrete për botimet e tij. Por për çudi, Kadare nuk më tha asnjë fjalë mirënjohje për vendlindjen time, Kuçin, ku banorët i treguan subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pasi në Buronja të Kuçit ishte varri masiv i vrasjes së oficerëve italianë nga nazistët gjermanë në 1943.

*Ish-diplomat në Paris

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: