I VERBËR, SEPSE S’DO TË SHOHË – ANALIZË NGA SONILA MEÇO

I VERBËR, SEPSE S’DO TË SHOHË – ANALIZË NGA SONILA MEÇO
NGA SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Më ndodhi pak ditë më parë të shkruaj një përjetim personal pas një lajmi të beftë të ikjes nga Shqipëria të një miku të afërt. Jo prej një mundësie më të mirë punësimi, nuk po ikën, por po i ikën asaj që provoi për tre vjet me radhë me zyrën e tij të projektimeve. Korrupsion e persekutim i pandalshëm që nga depresioni i fortë të paktën çoi në vendimin për të ikur sa më parë prej ferrit të pamerituar. Dhe me nevojën për ta kuptuar më mirë vendimin e tij, që më la të trishtuar, u mora me veten. Me herët kur kam patur rastin të mendoj një alternativë jete diku në Europë dhe herët kur e kam refuzuar. Dhe nëse do të më ofrohej sot e njëjta mundësi çfarë do të bëja. Patjetër kam ndryshuar unë, patjetër kanë ndryshuar rrethanat, patjetër kanë ndryshuar njerëzit me të cilët kam ndarë ambicie e projekte. Dhe për këtë guxova t’i them vetes ‘më pyet sërish ç’ke ndërmend të bësh!” Dhe nga kjo premisë personale kuptova më mirë mikun tim, i vesha të shtatë lëkurët e tij dhe ia pranova vendimin, e mbështeta, madje i kërkova mos kthejë kokën pas. Por kjo është historia e tij, deri diku edhe imja, që nuk shërben as për t’u përgjithësuar e as për të ndërtuar reagime të ashpra pa u ulur të gjithë nga pak për t’i shtuar fakte, statistika, të dhëna e analizë çfarë miku im provokoi në debat me ikjen e tij. Kërleshja e menjëhershme si nevojë për t’u krekosur në qëndrime militante a patriotike, në mos naivitet është një kurdisje e organizuar për të shformuar realitetin. Për të mos lejuar perspektivën e gjykimit t’i bëjë dritë situatës. Se nuk jam vetëm unë që përmend miq në ikje. Në një sprovë të ngjashme të para dy muajve ftova miqtë e mi në faqen time në facebook të bënin një listë të afërmish, të rrethit të ngushtë a të largët të larguar vitet e fundit nga Shqipëria, pa ndarë nën qeverisjen e X a Y. Dhe rezultoi se lista kish nisur të bëhej me dhjetëra për shumë syresh e se nuk ishte më përshtypja ime e ngushtë e një përjetimi personal, brenda një rrethi të kufizuar njohjesh. Po ikin profesionistë, mjekë e arkitektë, studentë e profesorë.

Dhe nisa të vëzhgoj, duke kërkuar të gjej shenja, shkaqe e pasoja në këtë fenomen që më së pari më ngacmoi emocionalisht e më pas nisi të provokojë debat të fortë. Si shenjat e para të një sëmundjeje, ku simptomës së parë i shtohet një e dytë, e tretë dhe ti kërkon të gjesh diagnozën për të mos lejuar përkeqësimin e për të nisur kurën. ...dhe kupton se tashmë përmasa e emigracionit është e tillë sa nuk mund t’i shmangesh me një shpjegim të thjeshtë të së drejtës së njeriut për të zgjedhur një jetë më të mirë. Kjo është ikje dhe as nuk bëj gabimin ta krahasoj me vitet ’90, apo ’97. Konteksti i zhvillimeve socio-politike u dha emër eksodeve respektive, ikje drejt lirisë, apo ikje nga lufta. Sot Shqipëria është në pluralizëm dhe paqe (si përcaktimet e kundërta në përkufizim të totalitarizmit dhe luftës). Sot nuk iket prej bunkerësh fizikë e pasaportat gëzojnë përfitimet e lëvizjes së lirë.

Në mungesë të dhënash mirëfilli nga studime hulumtuese për emigracionin shqiptar të viteve të fundit (që ende nuk është shënjestruar si fenomen për t’u studiuar mbarë, a thua se duke mos e bërë këtë ai nuk do të ekzistojë!!!), në kërkim të atij raporti të drejtë me veten të cilin nëse do ta mbaja veç në sfondin emocional, do qe përjetim e aq, kam kërkuar në copëza raportimesh të lidh nyjet e një fenomeni. Sepse është kaq e thjeshtë, gati tunduese ta marrësh politikisht e t’ia plasësh në fytyrë si dështim klasës drejtuese duke prodhuar argument për militantë, ndërsa ngjan ushtrim i sforcuar për të kërkuar të vërtetën e asaj që mund të na vrasë ngadalë a më shpejt se ç’mendojmë, pavarësisht degës ku jemi ulur. Pema është po ajo. Do të bjerë gjithsesi e për këdo.

Ja çfarë sjellin faktet e të dhënat e mbledhura:

  1. Një grup i specializuar studiuesish të Institutit ‘Cooperation and Development’ mbështetur nga Fondacioni Hanns-Seidel ka realizuar një studim mbi emigracionin e shqiptarëve në Gjermani në periudhën 2014-2016. Në vitin 2015, Shqipëria erdh në vëmendjen e ndërkombëtarëve si një nga vendet ballkanike nga ku shumë njerëz kërkuan të emigronin në mënyrë të paligjshme, veçanërisht në Gjermani. Në atë kohë, më shumë se 40% e të gjithë azilkërkuesve të regjistruar ishin nga Ballkani. Shqipëria dhe Kosova zinin vendet e para së bashku me Sirinë e luftës. Arsyeja kryesore se përse qytetarët shqiptarë lanë vendin e tyre kishte të bënte me papunësinë e lartë, pagat e ulëta, të ardhurat e pakta për të paktën një prej partnerëve, performanca e ekonomisë dhe rënia e kërkesës për punë në periudhën e emigrimit në Gjermani dhe ky i fundit citohej si shkak edhe nga ata që kishin një profesion ose drejtonin një biznes.

    Por për t’i shkuar analizës deri në fund, studimi rendit edhe arsye tërheqëse, jo vetëm shtytëse, sipas tij, më kryesorja është mjedisi social-ekonomik, zhvillimi, standardi i lartë i të jetuarit që e bëjnë Gjermaninë të kërkuar. Përtej faktorëve, studimi ka realizuar edhe profilin e emigrantit shqiptar që iu bashkua valës së Ballkanit: pjesa më e madhe e të intervistuarve ishin të rinj, meshkuj të moshës nga 20-34 vjeç, të cilët emigruan me familjarët e tyre, por edhe me partnerët e fëmijët. Vinin kryesisht nga qytetet e mëdha. Në ndryshim nga valët e mëparshme të emigracionit, nuk ishin vetëm meshkujt, por e gjithë familja, përfshirë gruan dhe fëmijët. Pjesa më e madhe e tyre ishin të diplomuar në momentin e emigrimit, shumë pak ishin me edukim elementar.

  2. Për të verifikuar studimin e mësipërm në periudhën që risolli emigracionin shqiptar në vëmendjen e statistikave ndërkombëtare, sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria u rrit me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare gjermane, 53. 805 shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani në vitin 2015. Por vetëm 5 prej tyre kanë marrë përgjigje pozitive. Ndërsa në vitin 2016 në periudhën janar- tetor kanë kërkuar azil mbi 34.000 shqiptarë, por asnjë prej tyre nuk ka marrë përgjigje pozitive. Edhe pse mesazhi erdhi i qartë duke zhbërë faktorin tërheqës të analizës së studimit në pikën 1, përsëri shumë shqiptarë vazhduan të tentojnë të braktisin vendin e tyre. Dhe për të përforcuar tendencën shfaqet një tjetër fakt, Qendra Goethe në Tiranë u transferua në një godinë tri herë më të madhe për t'iu përgjigjur me kurse gjuhe kërkesave të shumëfishuara për të mësuar gjermanisht. Mjekë, infermierë, inxhinierë të diplomuar kërkojnë të kenë nivelin e kërkuar të njohurive të gjermanishtes që të punësohen në Gjermani, ku ligji dhe popullsia e plakur ua jep këtë shans.
  3. Të dhënat e Divizionit të Popullatës së Kombeve të Bashkuara e rendisin Shqipërinë si vendin e dytë më të braktisur në Europë dhe të pestin në botë për nga përqindja e popullsisë që ka emigruar pas vitit 1990, duke qenë pranë vendeve që renditen në krye të listës, Mikronezia (46%) , Tonga (44%), Gjeorgjia (43%) dhe Samoa (42%). Vendet që pasojnë janë Timori Lindor (33%) dhe Armenia (32%). Tendenca e emigrimit vijon edhe në vitet e fundit duke bërë që Shqipëria të ruajë e pakërcënuar renditjen.
  4. FMN në raportin e vet zyrtar dha alarmin për rënien e popullsisë në moshë pune në Shqipëri si pasojë edhe e emigracionit dhe tendencën në vijim. Referuar kjo një situate në përkeqësim që krijon probleme të mëdha në ekonomi nëse nuk adresohet seriozisht.
  5. Fatmir Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekut pohonte me alarm në një intervistë të pak kohëve më parë se vetëm në tre vitet e fundit kanë ikur mbi 450 mjekë dhe vetëm për janarin e këtij viti janë larguar 20. Ndërkohë numri i mjekëve që largohen brenda vitit po barazohet me numrin e mjekëve të diplomuar po atë vit. Numri i lartë i mjekëve që largohen nga Shqipëria ka dhënë efekte edhe në sistemin shëndetësor. Presidenti i Urdhrit të Mjekut pohon se në spitalet rajonale mungojnë 16 kirurgë, 14 obstetër-gjinekologë, 11 anestezistë, 12 kardiologë, 21 pediatër, 9 neurologë dhe 7 imazheristë. Nuk dimë sa prej tyre do të kthehen dhe nuk ka ende një studim a vëzhgim të mprehtë për të kuptuar çfarë po ndodh. Kush ikën, pse? Ama hakërrimi i atyre që nuk duan të shkojnë përtej ‘së drejtës themelore të njeriut’ për të kërkuar e gjetur më mirë, nuk po na lë të shohim realisht, pa emocione personale, atë që ndodh e pasojën që krijon ushqyer me iluzionin se gjërat rregullohen vetë nëse mendojmë se po aq të tjerë duan të jetojnë në Shqipëri, të mbarsur me shpresë, entuziazëm dhe vullnet krijues e profesional. Sa më të pakta faktet, aq më i fortë opinioni ndaj le të vijojmë me të parat.
  6. Revista “Monitor” realizoi pak kohë më parë një sondazh me një kampion prej 300 biznesesh nga një total prej 10 mijë të tillë, që kanë kaluar në listën e subjekteve pasive të publikuar nga Tatimet vetëm në 6-mujorin e dytë të vitit 2016 nga i gjithë vendi. Pse është me rëndësi për t’u konsideruar në këtë listë? Sipas sondazhit, 70% e bizneseve që u anketuan dhanë si arsye të mbylljes së aktivitetit krizën. Rënia e fuqisë blerëse, qiratë e larta, gjobat e taksat, por edhe emigracioni ishin disa prej arsyeve kryesore që dhanë të intervistuarit. Shqipëria dominohet nga sipërmarrje të vogla, që kanë qenë zemra e ekonomisë. Dhe një faktor si emigracioni, cituar në sondazh prek aortën e një zemre që nuk ushqehet mjaftueshëm.
  7. Shqipëria po plaket, populli po tkurret. E pohon Instituti i Statistikave, sipas të cilit mosha e popullsisë në Shqipëri po rritet me shpejtësi. Shkaqet janë rënia e numrit të lindjeve, rritja e vdekjeve dhe emigrimi i të rinjve.
  8. Në një statistikë gjetur krejt rastësisht dallova gjurmët e fakteve kokëfortë. Numri i konsumatorëve të energjisë elektrike, sipas shifrave zyrtare, pa një rënie të shpejtë në vitin 2016. Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se numri total i konsumatorëve të OSHEE-së kanë pësuar tkurrje. Ekspertët e sektorit radhisin disa arsye, mes tyre aksioni që kompania bën ndaj atyre që nuk paguajnë energjinë, e dyta lidhet me emigracionin dhe e treta me mbylljen e përhershme apo të përkohshme të bizneseve.
  9. Mbi 200.000 aplikime bëhen çdo vit nga shqiptarët për lotarinë amerikane, sipas të dhënave zyrtare.

Nuk është e lehtë të krijosh ide në mungesë të studimeve e analizave të plota për moshën e atyre që ikin, formimin, gjendjen ekonomike. Ata që njoh, që arrij të sistemoj nëpërmjet fakteve nga postimet e ndryshme dëshmojnë të rinj, të shkolluar, me ambicie, por të lodhur nga mungesa e shpresës dhe një lloj lirie e cunguar për të punuar të qetë larg presioneve. Këto janë të dhëna të siguruara nga një kërkim I thjeshtë për të kuptuar përtej historisë së mikut tim a tëndit. Përtej një historie personale, përtej një perceptimi që krijon nga pozicioni ku gjendesh me a pa dëshirën tënde. Përtej betejave të tua të përditshme, një komoditeti të çastit a konjukture favorizuese. Përtej një bezdie që të krijojnë shpresëhumburit nga natyra pesimiste, që do mbajnë syze për të parë errët me çdo qeveri.

Se çfarë prodhon shpresa, pritshmëria, ndjenja e lirisë e mundësia e zgjedhjes në shoqëri këtë e kemi bash mirë të studiuar e argumentuar edhe shkencërisht, çfarë na mungon është një përpjekje e vijueshme e atyre që dominojnë hapësirën publike, politikanë e drejtues për të lexuar se ç’ndodh kur ato mungojnë. Nuk mjafton shpjegimi me sfondin e të drejtave të njeriut, tundimit të kritereve të pranimit në vendet pritëse, mohimi i ekzistencës së vetë fenomenit dhe nevoja për të kujtuar pasojat prej imazhit të shprishur në rast se flasim për të.

Në Shqipëri, përballë të vërtetës që njeh klasa drejtuese e mbështetësit e saj është një reagim që nëse nuk u shkon për shtat cilësohet i padrejtë, i paarsyeshëm, i gabuar, i ndikuar nga xhelozia, çfarë më bën të mendoj se politika nuk e dëgjon, nuk po e kupton popullin. Energjinë e harxhon të gjithën për ta bindur e jo dëgjuar, për t’u imponuar e jo për të marrë informacion. Dhe kur bëhet fjalë për ikje, ka një edhe më të rëndë, të atyre që “braktisin” pjesëmarrjen duke jetuar këtu. Në fakt ndihen të përjashtuar, të pallogaritur. Indiferenca dhe arroganca që u përplasen fytyrës janë të mjaftueshme për t’iu zbrazur fuqitë e për t’i nënshtruar. Nuk po zbrazet veç nga njerëz Shqipëria, por edhe nga dëshira e ambicie. Ka nga ata që ndihen emigrantë në vendin e tyre. Nuk mund t’i mohosh, siç nuk mund të përgjithësosh. Ama ata janë aty, pasi i spërkat me arrogancë e pavëmendje politika e shteti, i jep një dorë të mirë edhe media, duke i braktisur.

Dhe ndodh paradoksalisht që teksa nuk dëgjon ata që ikin, ata që ende nuk kanë ikur, por janë me mendjen për ta bërë, ata që do të donin, por nuk munden, tek emigrantët aktualë po kërkohet rezervuari i potencialit votues. Kryeministri thirri patriotizmin në kauzë, të gjithë emigrantët të kthehen të votojnë. Nëse u drejtohesh sot për votën, atyre që emigracionin e panë si ikje prej votës që nuk ndryshonte dot për mirë jetën e tyre në vend, duhet respekt i madh. Ky është një kapital i madh njerëzor që ka lidhje shpirtërore, kulturore, që kërkon të plotësojë veten sa herë kthen kokën nga ‘shtëpia’. Si mund t’i konsiderojmë si armatën që do shpëtojë Shqipërinë në rrezik, kur evitojmë t’u konsiderojmë ikjen dhe mjaftohemi vetëm me samite diaspore? Të qenit shqiptar e përjetojmë në mënyra të ndryshme, brenda të njëjtit komunitet e jo më në vende të ndryshme. Nuk mund të thërritet në kauzë identiteti kombëtar sa herë ka ndeshje futbolli, përplasje nacionaliste, apo nevojë politike.

Andaj ngjan paradoksal ky alternim shqisash në raport me emigracionin. Sa e si e njohim, sa e studiojmë, sa e pranojmë dhe si e përdorim. Sot radhita faktet që munda të siguroj në mungesë të një studimi të plotë e të dhënash shkencore, ama dëshpërimin që prodhon politika sido kurdo duhet ta shënjestrojmë mirë vetë. Nuk ka metoda të gatshme që do të na bënin derman dhe historia nuk është bujare me përvojat. Sepse kështu do na ndodhë përgjithmonë si shenjë e fatit tonë: Ta lësh dëshpërimin të të zbrazë mjaftueshëm derisa të të vijë një oreks i jashtëzakonshëm për jetën... tjetërkund.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: