ILIR META NË TRE KOHË, PORTRET I PAAUTORIZUAR I PRESIDENTIT TË 10-TË REPUBLIKËS

ILIR META NË TRE KOHË, PORTRET I PAAUTORIZUAR I PRESIDENTIT TË 10-TË REPUBLIKËS
21 vjeç u shfaq për herë të parë në publik. 24 vjeç u zgjodh për herë të parë deputet. Është zgjedhur 7 herë deputet në Kuvend. 30 vjeç kryeministër, 45 vjeç kryetar i Kuvendit dhe 48 vjeç, në krye të shtetit. Nga lindja në fshatin Çepan të Skraparit, në krye të shtetit. Presidenti i 10-të, Ilir Meta, në tre kohë. Një portret ndryshe

NGA ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Sekretar Shteti në ministrinë e Jashtme?

Check. Ministër i Jashtëm?

Check.

Ministër i Ekonomisë? Check.

Zëvendëskryeministër? Tre herë check.

Kryeministër? Check.

Kryetar i Kuvendit? Check.

President i Republikës? Check.

Me zgjedhjen e pasdites së të premtes, Ilir Meta rezulton të ketë ushtruar si askush tjetër detyrat më të larta në historinë e shtetit shqiptar.

Teksa mori 87 vota në Kuvend, ai kishte të drejtë të qeshte me ëndrrën naive studentore që një ditë të bëhej pedagog që për kohën edhe ky synim ishte i guximshëm. Pas 30 vjetësh nga jeta studentore, bilanci i Ilir Metës është mëse mbresëlënës. Që nga rrëzimi i komunizmit është një nga tre-katër politikanët shqiptarë, pa miratimin e të cilit nuk është marrë asnjë vendim i rëndësishëm. Një politikan ndaj të cilit ka shumë dashuri por edhe shumë urrejtje. Një politikan që ka bërë që ta duan shumë por edhe ta urrejnë shumë. Një politikan që ka shumë miq. Por njëkohësisht një politikan që ka po aq shumë armiq. Fundja, politika në përgjithësi, për më tepër ajo shqiptare në veçanti, nuk është romancë. Ilir Meta vazhdon të çimentojë thënien lapidare të një kleriku katolik shkodran që e ka thënë më saktë se të gjithë: Të jesh politikan në Shqipëri do të thotë që njërën këmbë ta kesh në burg dhe tjetrën në varr.

Pak ose aspak e kujtojnë sot se Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë qenë të dënuar me vdekje nga njëri tjetri. Se ndaj Ismail Qemalit është hedhur përherë baltë e pistë deri sa një ditë kundërshtarët e helmuan duke hequr qafe një rival. Se ndaj Luigj Gurakuqit balta vazhdon pa të drejtë edhe sot. Për të mos futur këtu atë plejadë politikanësh që regjimi komunist e burgosi dhe e vrau pa dhe me gjyq. Pak e kujtojnë sot se Sali Berishës i është hequr imuniteti, është izoluar 4 orë në qeli dhe është kërkuar arrestimi dhe dënimi i tij. Se Fatos Nano bëri 4 vite burg. Se ndaj Aleksandër Meksit u synua arrestimi duke i hapur dhjetëra procese. E pra, të gjithë kanë qenë pjesa më e rëndësishme e vendimmarrjes politike në vend dhe të gjithë kanë vuajtur zilinë, xhelozinë, konkurrencën dhe deri armiqësinë e kundërshtarëve politikë. Natyrisht, me të gjitha këto detyra, edhe Ilir Meta nuk mund të bënte përjashtim duke i shkruar aq shumë thënia e John Kennedy-t, sipas të cilit “të gjithë nënat duan t’i shikojnë bijtë e tyre presidentë, por pa u bërë politikanë”.

KOHA E PARË: FËMIJËRIA DHE RINIA

Gjyshi i Ilir Metës, duhet të ketë bluar mirë në mendje atë që i tha një ditë të birit, Rexhep, për nipin Ilir. Plaku i njohur për mençuri në fshat që e thërrisnin Duçka, kishte kohë që e vështronte ndryshe nipin e vet 7 vjeç se si luante, se si fliste e se si sillej: “Yt bir do të bëhet një ditë dikush në jetë”, - tha për Ilir Metën e vogël. Ky parashikim atje në fshatin e largët Çepan, 800 metra mbi nivelin e detit dhe 21 kilometra larg qytetit të Çorovodës, më shumë ishte një guxim se sa parashikim. Ai fshat që prej kohësh mburrej me tre gjëra konstante: ajrin e pastër, ujin e kulluar dhe rakinë e fortë, kurrë nuk kishte nxjerrë në historinë e tij një njeri të njohur, e jo më një President, Kryeministër, kryetar Kuvendi.

DY PËLLËMBËT NGA I ATI

Prindërit e Ilir Metës janë njerëzit q ë kanë ndikuar më shumë në jetën e tij. Rexhep Meta oficer dhe Fiqrete Vishanji mësuese, i kanë dhënë atij cilësitë që do të donin që ai t’i kishte. Në ato pak intervista që i ati i Presidentit Ilir Meta ka dhënë, ka përmendur edhe dy dacka që ia ka dhënë në nxehje e sipër të birit. Rexhep Meta ka treguar se e para ndodhi kur Ilir Meta kishte marrë notën 5 kur ishte në klasën e pestë dhe e dyta më 11 prill 1985. 16-vjeçari Meta jo vetëm nuk kishte qarë ditën kur vdiq diktatori Enver Hoxha por qeshte me vdekjen e tij. Rexhep Meta nuk e kishte mbajtur inatin por qëlloi të birin me pëllëmbë në fytyrë për një xhest që nuk mund ta kuptonte kurrë.

KOHA E DYTË: POLITIKAN I PS

Karriera e një politikani shihet që në rininë e hershme. Ilir Meta ishte vetëm 21 vjeç kur u shfaq në publik në takimin e studentëve me presidentin Ramiz Alia dhe dy vjet më pas u zgjodh deputet në rrethin e Skraparit. Vetëm 24 vjeç në Parlament, dukej sikur ambicia e tij kishte domethënie të madhe. Karriera e tij sapo kishte nisur, por askush nuk mund të vinte bast se sa larg ai do të shkonte.

Djaloshi i diplomuar në ekonomi politike nuk ishte zgjedhur deputet thjesht për një vend në Kuvend. Bashkë me të rinj të tjerë të aderuar në PS ai arriti të themelojë FRESSH-in, ajo që në atë kohë u quajt parti brenda Partisë Socialiste, me ambicie që u rritën deri në poste dhe pushtet.

Fati i Metës në këtë kohë ishte lidhja e tij dhe martesa me Monika Kryemadhin, e cila askush nuk mund t’i thoshte që e ndihmonte më shumë Iliri atë apo Monika Ilirin.

Kështu, dalëngadalë u formëzua politikani i ri Ilir Meta, i cili detyrën e parë shtetërore e mori në vitin 1997 si sekretar në ministrinë e Jashtme. Këtu ai kishte nisur një rrugëtim të gjatë, pa e parashikuar askush se si dhe sa larg do të shkonte.

KOHA E TRETË: POLITIKANI TREPOLAR

Zëvendëskryeministër i kryeministrit Pandeli Majko dhe më pas kryeministër, këtu nisi pushteti i lartë i Ilir Metës. Për afro dy vjet në krye të qeverisë ai solli në PS risi të një kryeministri të fortë përballë një opozite si PD e asaj kohe, ndoshta më e forta e të gjitha kohërave.

8 BETEJAT E FORTA TË ILIR METËS

Në historinë e Shqipërisë janë disa politikanë që vërtetë kanë arritur majat, por deri aty kanë zhvilluar beteja nga më të fortat më të ashprat me të cilat kanë fituar. Të paktën pas vitit 1990, ata politikanë që kanë zhvilluar betejat më të mëdha kanë arritur edhe fitoret më të mëdha. Mes tyre është edhe Ilir Meta. Janë 9 beteja të forta politike që Ilir Meta i ka fituar në këto 27 vjet si politikan për të cilat duhet thënë se çdokënd prej tyre nëse do t’i humbiste i rrezikohej deri karriera dhe një ditë mund të ishte edhe jashtë politikës. Por në fakt fitoi duke e shoqëruar edhe me rriskun që një pjesë e njerëzve e urrejnë duke e bërë kundërshtar i fortë i tyre.

Beteja 1

Protestat e punëtorëve të Kombinatit Ushtarak të Poliçanit të shkurtuar nga puna në vitin 1992 i sollën heqjen e imunitetit, por falë pikërisht protestave të mëvonshme ai arriti të mbijetojë politikisht duke sjellë rritje të kuotave edhe pse ishte pak më shumë se 25 vjeç.

Beteja 2

Fitorja si i vetmi deputet në Skrapar në zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 e bëri që ai të ishte nga ata pak deputetë të PS që do të uleshin në sallën e Kuvendit.

Beteja 3

Trazirat e marsit 1997. Bashkë me socialistë të tjerë kaloi përballjen më të madhe të pushtetit autokratik të Berishës duke kaluar situata të rënda deri rrezik për jetën.

Beteja 4

29 nëntor 2000. Ilir Meta ishte kryeministër kur nga ora 01.20 e natës deri në orën 03.00 u ndalua dhe u shoqërua për në policinë e Tiranës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, si organizator i protestave me dhunë të opozitës. Në këtë mënyrë, Meta është i pari kryeministër që është përballur me Sali Berishën duke e izoluar për prishje të rendit dhe sigurisë publike. Ky ishte momenti kur Sali Berisha deklaroi për herë të parë se politika shqiptare ishte bërë trepolare: Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta.

Beteja 5

8 tetor 2001, mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues në PS. Kryeministri Ilir Meta u përball me lëvizjen për katarsis me sulmet dhe akuza të rënda të kryetarit të PS Fatos Nano, i cili e akuzoi kryeministrin Meta dhe ministra të veçantë si autokratë, të korruptuar duke kërkuar pastrim të partisë. Kjo solli dorëheqjen e Ilir Metës si kryeministër.

Beteja 6

Maj 2004, Ilir Meta shkëputet nga PS krijon LSI. Në kulmin e përplasjes me kryeministrin Fatos Nano, Ilir Meta dha dorëheqjen si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm dhe me një grup socialistësh themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim, e para që theu monopolin e dy partive të mëdha duke krijuar realisht polin e tretë në vend.

Beteja 6. Beteja me Edi Ramën në zgjedhjet 2009 duke bërë koalicion me Berishën. Bërja e aleancës qeverisës me Sali Berishën i solli Ilir Metës një betejë të gjatë me kryetarin e PS Edi Rama. Për 4 vjet kundërshtari më i madh i Metës ishte Edi Rama dhe Partia Socialiste duke harxhuar energji pa fund ndaj Metës.

Beteja 7

Beteja me videon e publikuar nga Dritan Prifti. Në vitin 2010, ministri i larguar i Ekonomisë Dritan Prifti shfaqi publikisht një video në të cilën u shfaqe ministri Ilir Meta me një person tjetër dhe për të cilën u akuza për një skandal korrupsioni shtetëror. Meta dha dorëheqje si ministër, hoqi dorë nga imuniteti parlamentar dhe prokuroria nisi një proces hetimor. Pas një viti hetim dhe gjykim, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm.

Beteja 8

Inskenimi për vrasjen e Tom Doshit. Vetëm një vit si kryetar i Kuvendit, deputeti Tom Doshi akuzoi Ilir Metën nëpërmjet një video sipas të cilit kërkonte ta eliminonte atë. Prokuroria nisi hetimet por në fund të tyre kjo nuk u vërtetua.

ILIR META I REKORDEVE DHE FAKTORI LSI

Ilir Meta ishte 21 vjeç kur u shfaq për herë të parë publikisht në takimin me presidentin Ramiz Alia në atë dhjetor 1990. Ishte 24 vjeç, 11 muaj e 28 ditë kur u zgjodh për herë të parë deputet. Ishte 30 vjeç, 8 muaj e 4 ditë kur mori detyrën e kryeministrit. Ishte 44 vjeç e 6 muaj kur mori detyrën e kryetarit të Kuvendit dhe tani 48 vjeç, 1 muaj e 4 ditë kur u zgjodh President i Republikës. Me atë që ka bërë në politikë Ilir Meta ka ndjekur rregulli se je i dështuar nëse nuk rrezikon dhe se rreziku i madh është të mos rrezikosh. A nuk ishte kështu kur u shkëput nga PS dhe krijoi LSI. Ndoshta ata që i kanë “këshilluar” të mos ikte nga partia mëmë duhet të kenë qenë më të shumtë se sa ata që i këshillonin largimin. Por Meta rrezikoi duke bërë atë që deri më sot nuk e ka bërë kush në politikën shqiptare: Të krijojë polin e tretë real dhe të jetë faktor përcaktues të votave dhe pushtetit duke zbatuar një rregull tjetër se hakmarrja më ë mirë e tij ka qenë suksesi.

MONIKA, E FUNDIT, POR E PARA PËR NGA RËNDËSIA

Sapo Ilir Meta u zgjodh president të gjithë deputetë socialistë duartrokitën. Me sinqeritet apo jo, të paktën formalisht asnjë nuk la një shenjë pakënaqësie. Të gjithë e uruan, të gjithë e përshëndetën dhe të gjithë bënë atë që bëhet si rregull kë kësi rastesh. Por kur seanca mbaroi dhe gjithçka në qiellin e politikës u kthjellua për një grup deputetësh socialistë nisën të bëjnë kalkulimet për zgjedhjet e 18 qershorit. Kjo shumicë është e bindur që LSI pa Ilir Metën do ishte një parti pa kokë. Por të gjithë këtë diskutim entuziast e ndërpreu një deputet më me përvojë: Ne duhet të kemi më shumë frikë nga Monika se sa nga Iliri”, tha ai! Pas kësaj, askush nuk foli. Dhe në këtë thënie ka jo pak të vërtetë. Ata që e kanë shoqëruar karrierën e Ilir Metës, shumë herë do kenë bërë këtë pyetje: Si do të ishte karriera e tij pa Monika Kryemadhin? Askush nuk mund të bëjë parashikime. Por një gjë është e sigurt: Shumë nga ato që ka arritur në jetë nuk do t’i kishte realizuar pa Monika Kryemadhin. Edhe kundërshtarët më të mëdhenj të çiftit e pranojnë këtë. Madje sa herë dikush lëshon akuza ndaj Kryemadhit aty pranë ndodhet dikush që do ta kundërshtojë. Ashtu sa herë që dikush flet me superlativa për të, do ndodhet dikush përsëri ta kundërshtojë. Dhe përsëri ata të dy janë fate të mira apo të këqija të të qenit në politikë dhe të të qenit bashkëshortë. Jeta e Ilirit me Monikën ka qenë vërtetë një romancë dashurie e bukur, por kur politika e tyre nuk është romancë. Dhe për këtë ata e kanë marrë një çmim duke patur shumë pushtet edhe shumë kundërshtarë njëkohësisht.

ILIR META, DEKLARATAT MË TË TË NJOHURA

Më 27 dhjetor 1999

“Të gjenden vrasësit e vrasësve të Azem Hajdarit”!

Më 28 nëntor 1999:

“Nuk do të pranoj dhe lejoj asnjë ministër të krijojë konflikte me institucionet e tjera, ashtu siç nuk pranoj asnjë njeri të papërgjegjshëm në prokurori, gjykatë apo kudo qoftë ai, që të hedhë baltë mbi qeverinë dhe punën e saj”

Më 30 nëntor 2000. (Një ditë pas ndalimit të Sali Berishës)

“Nëse Berisha nuk ka mësuar akoma si të sillet…..”

Në 2015, kryetar i Kuvendit:

“Me qetësi dhe dashuri”

KANË DEKLARUAR PËR ILIR METËN

Madeleine Allbright, sekretare e Shtetit:

“Kryeministri Meta është një drejtues energjik dhe përfaqësues i një gjenerate të re të suksesshme në politikë. Kjo energji është treguar gjatë 10 muajve të qeverisjes së tij, kryesisht në rend, luftën kundër krimit të organizuar, marrëdhëniet me fqinjët dhe modernizimin e ekonomisë”.

Bill Klinton, president i SHBA, 5 nëntor 1999.

“Ju, zoti Meta, keni treguar se jeni burrë shteti i zgjuar duke u shprehur se do të vijoni dhe përforconi elementët e suksesshëm të prioriteteve të pararendësit tuaj”.

Sali Berisha, kryetar i PD, në librin e Preç Zogajt “Nga hiri”, faqe 311:

“Në këto momente, politika shqiptare është trepolare”.

Lamberto Dini, ministër i Jashtëm i Italisë, 25 mars 2001 në revistën “Klan”, numri 201.

“Pas Majkos, në vjeshtën e 1999, erdhi Ilir Meta, që u tregua më i pjekur se Majko dhe më i aftë”.

Fatos Nano, ish-kryeministër, në korrik 2007, në “Top Story”, libri “33” nga Sokol Balla, faqe 120.

“Unë dhe zoti Meta jemi të dënuar të bashkëpunojmë ose të neutralizojmë njëri-tjetrin në Shqipëri. Meta dhe unë, e kemi të ndaluar të vazhdojmë të kërkojmë të neutralizojmë njëri-tjetrin jashtë shtetit”.

 

Ilir Meta

Presidenti i 10-të i shtetit shqiptar

Detyra të tjera shtetërore: kryetar i Kuvendit, Kryeministër, Zëvendëskryeministër në qeverinë e Pandeli Majkos, Zëvendëskryeministër në qeverinë e Fatos Nanos dhe Zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, Sekretar Shteti në ministrinë e Jashtme, deputet.

Ditëlindja: 24 mars 1969

Vendlindja: Çepan, Skrapar.

Dita kur u zgjodh President: 28 prill 2017, ora 18.00.

Votat që mori në Kuvend: 87 vota pro dhe 2 kundër

Mosha e zgjedhjes si president: 48 vjeç, 1 muaj e 4 ditë

Prindërit: Rexhep Meta dhe Fiqirete Vishanji-Meta.

Përkatësia fetare: Musliman bektashi.

Arsimimi: diplomuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës.

Statusi familjar: martuar me Monika Kryemadhin. Kanë tre fëmijë: Bora, Besar dhe Era.

Pasoja gjatë karrierës

I hiqet imuniteti në 1992 pas ngjarjeve në Poliçan, heq dorë nga imuniteti në 2011, pas transmetimit të një videoje.

KRYEMINISTRI I 31-TË

Ka qenë Ilir Meta në historinë e shtetit shqiptar

30 VJEÇ, 8 MUAJ E 4 DITË

Ishte Ilir Meta kur mori detyrën e kryeministrit duke u bërë kryeministri i 3-të mëi ri në moshë pas Ahmet Zogut dhe Kostaq Kottes.

2 HERË PA IMUNITET

Ka qenë Ilir Meta teksa kishte mandatin e deputetit. Herën e parë Parlamenti ia hoqi imunitetin në vitin 1992 pas trazirave në qytetin e Poliçanit dhe herën e dytë në 2011 hoqi vetë dorë nga imuniteti pas transmetimit të videos nga ana e Dritan Priftit.

24 VJEÇ, 11 MUAJ E 28 DITË

Ka qenë Ilir Meta kur u zgjodh për herrë të parë deputet në Kuvend si përfaqësues i Skraparit për Partinë Socialiste.

7 HERË DEPUTET

Është zgjedhur Ilir Meta në Kuvendin e Shqipërisë. Ai fitoi mandatin në zgjedhjet e vitit 1992, 1996, 1997, 2001, 2005, 2009, 2013.

ILIR META PËR HERË TË PARË

Ilir Meta në detyrën e kryeministrit ishte i pari që i dorëzoi kordonin e kryebashkiakut Edi Ramës në vitin 2000.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: