Insufiçenca kardiake, 3360 raste të reja çdo vit në Shqipëri

Insufiçenca kardiake, 3360 raste të reja çdo vit në Shqipëri
Sonila Isaku

Mjekët kardiologë kanë dhënë alarmin për rritjen e rasteve të personave që vuajnë nga insuficienca kardiake edhe në Shqipëri. Vetëm gjatë një viti, janë diagnostikuar 3360 raste të reja, pra çdo ditë kemi të diagnostikuar minimalisht 9-10 persona. Të dhënat tregojnë se janë 140 mijë shqiptarë që vuajnë nga kjo syndrome, që ka të bëjë me stadin përfundimtar të sëmundjes së zemrës dhe zhvillohet për shkak të sëmundjes së arterieve koronare, presionit të lartë të gjakut, sëmundjeve valvulare të zemrës apo defekteve të lindura, të cilat shkaktojnë mbingarkesë të punës së zemrës. “Në Shqipëri ashtu si edhe në të gjithë botën , ka një prevalencë në rritje të insufiçencës kardiake. Me rritjen e sëmundshmërisë, prekjes së njerëzve nga hipertensioni, nga sëmundjet ishemike të zemrës, sëmundjet koronare apo nga prekja e valvulave të zemrës rrjedhimisht është rritur edhe prekshmëria nga insuficenca kardiake. Gjthmonë e më shumë në rritje po shohim të rinj që preken nga këto probleme. Flas edhe për mosha nën 40 vjeç” u shpreh Elton Qeli, specialist kardiolog. Stili i jetesës është një ndër shkaqet që akuzohet më shpesh për rritjen e sëmundjeve kardiovaskulare. “Stili i jetës është një nga shkaqet. Flas për jetën sedentare. Flas për mënyrën e ushqyerjes. Pa evituar këtu edhe stresin i cili është një faktor shumë i rëndësishëm që rrit faktorët e riskut që çojnë në insifiçence kardiake” nënvizon mjeku kardiolog. Po cilat janë shenjat që duhet të na drejtojnë të mjeku ? Shqetësimet të tipit vështirësi në frymëmarrje, lodhje, këputje trupore, ënjtje të këmbëve, të gjymtyrëve të poshtme, dhe është mjeku specialist ai që bën diferencën nëse këto shqetësime kanë lidhje direket me zemrën. Nëse insufiçenca kardiake dallohet në kohën e duhur dhe trajtohet siç duhet, pacientët mund të kenë jetë të gjatë dhe cilësore por problemi sipas mjekëve është mosrespektimi i mjekimit dhe protokolleve nga ana e pacientëve çka sjell tek ata rezultate më të dobëta.

Pesha

Insuficienca kardiake është një sëmundje kronike që nënkupton që kërkon një trajtim afatgjatë. Për këtë arsye mund t’iu duhet të përshtatni mënyrën tuaj të jetesës me kushtet e reja. Insuficienca kardiake është shpesh e lidhur me ndryshime të shpejta të peshës trupore. Humbja e madhe dhe e pavetëdijshme në peshë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe, mund të jetë mjaft serioze. Kjo mund të nënkuptojë që nuk po konsumoni mjaftueshëm kalori ose që insuficienca kardiake apo pasiviteti juaj po i’u shkakton humbje te masës muskulare. Kjo mundet gjithashtu të tregojë që doza e diuretikut që merrni është mjaft e lartë.

Kripa

Pakësimi I sasisë së kripës që përdorni mund të jetë I rëndësishëm për personat që vuajnë nga insuficenca kardiake. Për të pakësuar sasinë e kripës së përdorur së pari largoni mbajtësin e kripës nga tavolina e më pas mundohuni të hani më shumë fruta e perime, zëvendësues të mishit, ushqime te papërpunuara, produkte bulmeti me pak yndyrë, yndyrna shumë të saturuara, drithëra dhe peshk.

Lëngjet

Për shumicën e pacientëve me insuficiencë kardiake, sasia ditore e lëngjeve të konsumuara varion nga 1.5 deri në 2 litra dhe përfshin ujin, lëngjet e frutave, kubetet e akullit, kafenë, qumështin, supërat, çajin ose pijet e gazuara. Për të kufizuar sasinë e lëngjeve që pini përpiquni të përdorni filxhanë të vegjël në vend të filxhanëve te mëdhenj, shpërndajeni sasinë që duhet të konsumoni në ditë përgjatë gjithë ditës dhe përpiquni të pini lëngje shumë të ftohta ose shumë të nxehta apo të hani fruta të ngrira.

Alkooli

Konsumimi i sasive të mëdha të alkoolit në kushtet kur keni një sëmundje zemre, mund të rrisë ritmin kardiak dhe presionin arterial dhe abuzimi në terma afat gjatë me alkoolin mund të çojë në kardiomiopati. Në përgjithësi rekomandohet që të pini jo më shumë se 1-2 pije alkoolike në ditë (një pije konsiderohet si një gotë birre apo vere, ose një pije miks vetëm me një masë alkool). Nëse keni simptoma serioze, mund të duhet ta shmangni fare përdorimin e alkoolit.

Kaliumi

Nëse merrni diuretikë për insuficencën kardiake, trupi juaj mund të humbë kalium. Mjeku mund t’iu përshkruajë një lloj diuretiku apo t’iu këshillojë ta plotësoni dietën tuaj me ushqime të pasura me kalium si banane, portokall, kumbull, sojë, pjepër, peshk dhe patate.

Kolesteroli

Dieta juaj duhet të përfshijë fruta dhe perime, peshk, mish të bardhë, mish të kuq të pastruar nga dhjami, zëvendësues të mishit (psh soja) dhe yndyrna të pasaturuara.

Aktiviteti fizik

Aktiviteti fizik është me përfitime të mëdha për njerëzit që vuajnë nga insuficenca kardiake. Para se të nisni një program ushtrimi ose nëse doni të ndryshoni llojin e ushtrimeve që bëni, flisni me mjekun apo infermieren tuaj për tu siguruar që nuk po ushtroni shumë mundim mbi zemrën tuaj. Gjithnjë bëni nxehje dhe qetësohuni me pak strecing para se të filloni ushtrimin. Nëse jashtë është ftohtë ose ka erë, duhet të përpiqeni të nxeheni para se të dilni nga shtëpia. E ecura është nja aktivitet I mirë për të nisur nxehjen. Nëse ecni shumë zakonisht, atëherë përpiquni të përdorni edhe biçikletën ose notin. Filloni ngadalë dhe rrisni gradualisht distancën ose intensitetin e aktivitetit ndërkohë që fuqia juaj përmirësohet. Ndaloni menjëherë ushtrimin fizik nëse përjetoni marrje fryme, marrje mendsh, dhimbje gjoksi, ndjesi përzierjeje ose djersë të ftohta. Përpiquni të mos ushtroheni menjëherë pasi keni ngrënë një vakt kryesor ose kur nuk keni ngrënë për një kohë të gjatë. Planifikoni të ushtroheni fizikisht 1-2 orë pas një vakti të lehtë. Është mirë të evitoni aktivitetet që kërkojnë mbajtjen e frymës, uljen apo shpejtësinë e menjëhershme.

Duhani

Duhani ndikon aftësinë tuaj për të mbajtur oksigjenin në gjak, ndikon në depozitimin e yndyrnave në enët e gjakut duke shkaktuar ngushtimin e enëve dhe rritjen e presionit të gjakut dhe zvogëlimin e enëve të gjakut. Kjo do ti përkeqësonte simptomat e insuficencës kardiake Nuk është kurrë vonë të ndërprisni duhanin dhe ndërprerja e tij do të ketë përfitime për zemrën tuaj.

Shenjat dalluese të sëmundjes

-Keni dhimbje të vazhdueshme gjoksi e cila nuk lehtësohet nga marrja e Trinitratit

-Keni marrje fryme të theksuar dhe të vazhdueshme

-Humbni ndjenjat

Duhet të informoni sa më shpejt mjekun tuaj nëse keni:

-Marrje fryme në rritje

-Zgjime të shpeshta natën për shkak të mungesës së frymëmarrjes

-Nevojë për më shumë jastëkë për të fjetur më mirë

-Rrahje të shpeshta të zemrës ose palpitime të përkeqësuara

-Rënie të shpejtë në peshë

-Fryrje apo dhimbje në rritje të barkut

-Fryrje në rritje të këmbëve apo kyçeve

-Humbje oreksi/ndjesi të vjelle

-Lodhje në rritje

-Kollë të përkeqësuar

Shpërndajeni me miqtë tuaj: