Interneti, çdo shqiptar konsumon 1.65 GB në muaj

Interneti, çdo shqiptar konsumon 1.65 GB në muaj
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vë në dukje dukurinë në rritje të përdorimit të internetit përmes telefonisë, qoftë celulare, qoftë asaj fikse

***

Rreth 171 minuta thirrje dalëse, 40 SMS dhe 1.65 GB internet. Ky është konsumi mesatar që një shqiptar realizon çdo muaj përmes telefonit të tij celular. Shifra këto të bëra me dije nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në raportin për fundin e vitit 2016. Mes të cilave në veçanti, me një rritje “spektakolare” rezulton të jetë pikërisht ajo e përdorimit të internetit, kryesisht përmes celularit.

“Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 1.65 GB Internet në muaj në tremujorin e fundit të vitit 2016, që përbën një rritje të ndjeshme me nivelin prej +118% ose 2.2 herë më shumë krahasuar me vitin pararendës 2015”, citojnë saktësisht lidhur me një dukuri të tillë ekspertët e AKEP-it. Për të detajuar më tej se një vit më parë, një shqiptar konsumonte mesatarisht rreth 0.76 GB internet çdo muaj. Dhe se në total, numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në internet nga rrjetet celulare në tremujorin e fundit të vitit 2016 ishte rreth 1.7 milionë. Sikundër, sqarohet mes të tjerash se sasia e trafikut të internetit në rrjetet celulare gjatë tremujorit të katërt 2016 ishte rreth 8.4 milionë GB.

Nga ana tjetër, rritjen e përdoruesve të internetit AKEP e konfirmon edhe me përdoruesit e rrjeteve të telefonisë fikse. ”Numri i pajtimtarëve më akses broadband në internet nga rrjete fikse në tremujorin e katërt të vitit 2016 arriti në rreth 266 mijë, që përbën një rritje me nivelin prej 1.8% në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe me rreth 10% në krahasim me të njëjtin tremujor në vitin 2015”, konfirmojnë në lidhje me një dukuri të tillë, ekspertët e këtij institucioni. Për të treguar qartë në këtë mënyrë se me kalimin e kohës, interneti po kthehet në një shërbim të domosdoshëm për komunikimin si të tillë nga përdoruesit e telefonisë. E kjo, sidomos shtimit të frekuentimit të aplikacioneve të tilla që ofrohen pikërisht përmes tij, të tilla si biber, apo Ëhat’s upp etj.

 

Telefonia celulare numëron 3.4 milionë përdorues aktivë, 5.3 milionë në total

Një qytetar shqiptar rezulton se disponon të paktën një kartë celulari. Kështu konfirmon Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, sipas të cilit, në fund të vitit të kaluar 2016 rezulton se “numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë tremujorit të katërt 2016 arriti në rreth 3.4 milionë”. Një shifër kjo në fakt sipas ekspertëve të tij, e cila ka ardhur në rënie e që tregon gjithsesi se interesi për celularin si të tillë ka ardhur në rënie. “Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë tremujorit të katërt 2016 përbën një rënie me nivelin prej -14.2% krahasuar me tremujorin e tretë 2016 dhe rënie me -2.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, sqarojnë lidhur me një dukuri të tillë ekspertët e AKEP-it.

Nga ana tjetër, gjithmonë sipas tyre rezulton se në total, numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të tremujorit të fundit të vitit 2016 ishte rreth 5.3 milionë. E thënë ndryshe, ky është numri i të gjitha kartave që qytetarët shqiptarë disponojnë për momentin sa u përket kompanive të ndryshme celulare në vend, edhe pse, ata zgjedhin të përdorin vetëm një ose disa prej tyre dhe jo të gjitha. Nivel ky që edhe pse mjaft i lartë, duhet thënë se ka pësuar gjithashtu një rënie të tij. “Ajo përbën konkretisht një rënie me nivelin prej -2.5% në krahasim me tremujorin e mëparshëm”, sqarojnë ekspertët e AKEP-it.

Gjithashtu, sipas tyre, rezulton se numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të katërt 2016 ishte rreth 249 mijë në rang vendi, duke shënuar një rritje me nivelin prej 11.4% në krahasim me tremujorin e tretë dhe me  9.7% në krahasim me një vit më parë, duke referuar kështu rritjen e interesit për këtë lloj telefonie. Ndoshta kjo edhe nga fakti që ajo tashmë ofron edhe shërbime të integruara, të tilla si telefoni+internet+TV.

“Alo?” Më pak thirrje dhe SMS me celularë

“Alo?”. Tani shqiptarët duket se nuk preferojnë të flasin edhe aq shumë me celularë, apo të shkëmbejnë SMS, si më parë. E kjo duket nga shifrat që jepen rreth këtyre shërbimeve, prej AEKP-it. “Totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në tremujorin e katërt të vitit 2016 ishte rreth 1.7 miliardë minuta, me një rënie në nivelin prej -2.4% në krahasim më tremujorin paraardhës”, citojnë ata. Duke shtuar se gjithsesi në krahasim me një vit më parë, vihet re një rritje prej +5.8% e këtij treguesi. Por një rritje të lehtë ata konfirmojnë në të njëjtën kohë edhe për treguesin e

thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net), e cila sipas tyre u rrit me nivelin prej +1.3% në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2016 dhe me +46.3% në krahasim me një vit më parë.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare konfirmon edhe rënien e numrit të SMS-ve që pajtimtarët e telefonisë celulare dërgojnë krahasuar me periudhat e mëparshme. “Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në tremujorin e katërt 2016 ishte rreth 400 milionë, sasi kjo që përbën një rënie me nivelin prej -1.7% krahasuar me tremujorin e tretë po të vitit të kaluar dhe me 1.9% me vitin 2015”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: