Inxhinieri Filip Marku: Si i futëm tanket edhe në terrenet e rrëshkitshme

Inxhinieri Filip Marku: Si i futëm tanket edhe në terrenet e rrëshkitshme
Inxhinieri Filip Marku ka kaluar 32 vjet mes tankeve. Ai ishte mjeshtri i riparimit dhe përcaktimit të defekteve të tankeve në repartet tona. Historitë e tij janë të panumërta, interesante dhe nganjëherë të pabesueshme. Ka një memorie të shkëlqyer por edhe di të tregojë bukur. Edhe pse ka kohë që është në pension ai mbetet një ish-oficer me temperament të gjallë, me një kujtesë korrekte dhe përcjell emocione por edhe shifra dhe fakte tepër befasuese për këtë armë të panjohur nga populli, për arsye të sekretit ushtarak, në regjimin komunist. Kompania e parë e tankeve u krijua në 1 prill 1946 me tanket trofe dhe ato të prodhimit sovjetik, por historia e krijimit të kësaj arme zë fill edhe më parë.Në një intervistë për “Albanian Free Press”, inxhinieri që u përgatit në ish-Bashkimin Sovjetik tregon për organizimin e njësive tankiste, në Shqipërinë komuniste.

 

Intervistoi për “Albanian Free Press: Albert Z. Zholi

 

Çdo armë ka historinë e vet, ka të veçantat e saj. Po arma e tankut kur e ka ditëlindjen dhe si lindi kjo armë në Shqipëri?

Edhe arma e tankut ka historinë dhe rrugëtimin e saj. Si një armë e re, si një armë me cilësi të veçanta ajo mbetet plot komente nga ushtarakët edhe sot e kësaj dite. Lindja e formacioneve të para të tankeve përkon me vitin 1929. Arma e tankeve kërkonte kuadro të përgatitur me njohuri të thella për drejtimin e shërbimin teknik, krijimin e kushteve me ambientet e entet e domosdoshme për ruajtjen, riparimin, furnizimin e transportin e duhur,etj. Pas çlirimit të vendit me Luftën Nacional-Çlirimtare, dhe pikërisht në vitin 1946, kur u krijua kompania e parë tankiste dhe në vazhdim, arma e tankeve mori zhvillim e përsosje të saj. Dy data të ndryshme, por historike.

 

Ku u përgatitën kuadrot e parë të tankeve shqiptare?

Ka një veçori kjo përgatitje në lidhje me rrethanat e zhvillimeve politike. Kuadrot komandues e teknike fillimisht u përgatitën në vendet ish-aleate. Vendi i parë ku shkuan të përgatiteshin tankistët e parë ishte ish-Jugosllavia. Një shtet që zotëronte armë të tilla dhe që kishte shkollat e saj të përgatitjes, duke u bazuar në shkollat ruse. Por ne shumë shpejt do të prisheshim me këtë vend. Marrëdhëniet tona me të u ngrinë. Duhej parë gjetiu, pasi kjo armë kërkonte përgatitje speciale. Shteti ynë i çoi sytë tek ish-BS dhe i kërkoi ndihmë Stalinit. Pra kuadrot tona filluan të përgatiteshin në ish-Bashkimin Sovjetik. Këtu shkuan një numër i madh studentësh të cilët për më se 10 vjet u shkolluan në shkollat më të mira dhe më të specializuara ruse. Ishte koha kur Rusia prodhonte tanke në vijimësi, moderne për kohën dhe i shpërndante në gjithë vendet e Traktatit të Varshavës, kjo në kuadrin e Luftës së Ftohtë Lindje-Perëndim, ku ne ishim rreshtuar në frontin pro-Lindje. Tanket e asaj kohe bazoheshin në konkurrencën me vendet e tjera të frontit perëndimor.

 

Po me prishjen e marrëdhënieve me ish-BS, ku përgatiteshin kuadrot tanë?

Tashmë kohët kishin ndryshuar. Në Shqipëri ishte formuar një gardë e tërë tankistësh tepër të kualifikuar thuajse të barabartë me instruktorët e ish-vendeve lindore ku u përgatitën. Studentët tanë kishin shkëlqyer në çdo vend ish-lindor ku kishin shkuar për të studiuar. Pra, me prishjen e marrëdhënieve me këto shtete, kuadrot tankiste u përgatitën në shkollat tona ushtarake.

 

Çfarë tankesh kishte në armatim Shqipëria në atë kohë?

Fillimet ishin shumë të vështira. Nisja e zhvillimit të armës të tankeve në vite, ashtu si e përshkruan veterani Petrit Fico në librin e tij “Biografia e Armës së Tankeve të Ushtrisë Shqiptare” filloi me tanket trofe të zëna armikut gjatë luftimeve të UNÇSH-së, u shtua me ardhjen e tankeve fillimisht nga Jugosllavia të tipit SPA dhe më vonë nga BS, me teknikë të kohës, tanke T-34-85, AVL-76, autoblinda BA-64. Zhvillimin më të madh në sasi e cilësi të tankeve dhe mjeteve të blinduara mori, me ardhjen e teknikës nga Republika Popullore e Kinës mbas vitit 1962. Kuadrot e përgatitur në vendet e lartpërmendura, njohës të teknikës së ardhur, fillimisht u bënë promotorët në drejtimin e reparteve, përgatitjen e efektivave si dhe në mësimdhënie në shkollat tona ushtarake. Kuadrot tankistë komandues e teknikë me arsim të lartë e të mesëm të shkolluar jashtë vendit numëroheshin rreth njëqind vetë. Me krijimin e shkollave tona ushtarake, në specialitetin për tanke, nga kurset, shkollat e mesme teknike, shkollat e larta, akademi e inxhinieri, kuadrot e shkolluar janë me qindra vete.

 

Si to të rrugëtonte kjo armë në syrin tuaj si inxhinier tankist?

Rrugëtim i bukur, plot sakrifica, vështirësi, heroizma por gjithmonë me fitore. Në këtë rrëfim dua të ndalem në ngjarje të veçanta, por më shumë tek kuadrot e veçanta që i dhanë kësaj arme lavdi të madhe. Ecuria e zhvillimit të armës së tankeve lidhet kryesisht me punën e madhe e kujdesin e kuadrove në shërbim të teknikës, ndërsa tek unë nis nga viti 1957 si kursant dhe në vazhdim si oficer e inxhinier pas vitit 1961.

 

Si i kujtoni vitet e shkollimit. Ku u shkollove dhe si ishte shkollimi juaj?

Unë studimet e i kam bërë në ish-BS. Në shkollën, ku mora mësimet e para për tanket në ish- BS, ishim 18 veta, grupi i oficerëve me përgjegjës kapiten Luan Hakanin, togerët, Jaçe Mullaj, Astrit Çobani, Vizhdan Muraj, Hasan Hysaj, grupi i dytë, kusantët; Zini Kullolli, Burhan Piraniqi, Resul Ahmeti, Filip Marku, Petrit Nuraj, grupi i tretë Rexhep Alimema, Braho Llapi dhe dy grupet e tjera; Hajdar Marku e Petraq Kola, grupi i fundit me Petraq Vangjelin, Halil Hajdarin, Astrit Pajën e Pjetër Lleshin. Për shkakun e prishjes së marrëdhënieve me BS në vitin 1961, nuk i përfunduan studimet. Vazhdimi dhe diplomimi i tyre u bë në shkollat tona ushtarake. Ashtu si të gjithë kuadrot tankistë, të arsimuar jashtë e në vendin tonë, edhe grupeve tona i ra për detyrë të jepnin kontributin e tyre në njohjen e teknikës, për të cilën kishim studiuar.

 

Gjithmonë zhvillimi i armës lidhej dhe me marrëdhëniet me ish-BS nga ku ne armatoseshim. Besoj ishim vend i vogël dhe nuk kishim mundësi të blinim armë të tilla që kushtonin aq shumë. Pas prishjes me ish-BS, ku filluam të marrin apo blejmë tanke? Si ishte organizimi i tyre?

 

Është e vërtetë. Armatimi ynë varej nga marrëdhëniet me ish-BS dhe me aleatët e tjerë të Traktatit të Varshavës. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me BS, ne filluam të merrnim tanke nga Kina. Shtimi i numrit të tankeve të ardhur nga Republika Popullore e Kinës kërkonte riformimin e reparteve, kalimin në krijimin e brigadave tankiste. Kështu u formua e para brigadë Br1T dhe në vitet në vazhdim, nga viti 1963 deri 1983 u krijuan mbi dhjetë brigada tankesh e reparte të dislokuara në gjithë territorin e vendit tonë. Në këto rrethana lindi nevoja për kuadro komandues, teknikë, inxhinierë, specialistë, oficerë e civile etj., në shërbim të teknikës, në përgatitjen e efektivave, në vendosjen e saj në kushte optimale në ruajtje, në kryerjen e shërbimeve teknike, në ngritjen e enteve të riparimit, furnizimit, transportimit etj. Në reparte e njësi tankiste shpesh shkruhej parulla: T’i shërbejmë teknikës si doktori njeriut. Duke parë punën e madhe që bëhej, përkushtimin, sakrificat, kujdesin e kuadrove dhe efektivave për tanket, mendoj se parulla i përgjigjej realitetit. Me shtimin e numrit të tankeve, ndryshonte dhe emërtimi i njësive. Për të paraqitur më drejtë të përgjithshmen, fillimisht shikojmë një brigadë, pikërisht Br1T, ku kam shërbyer qysh me fillimet e formimit të saj dhe në bazë, të cilës u krijuan njësitë e tjera tankiste.

 

-Kush ishin komandantët dhe komisarët kryesorë të njësive tankiste, si kujtohen sot ata?

Komandantët dhe komisarët e reparteve tankiste ishin njerëz të shkëlqyer, të përkushtuar, plot dije dhe shumë atdhetar. Me ata drejtues arma e tankeve u bë një armë shumë e nderuar dhe e respektuar. Në vitin 1963 u krijua Br1T në afërsi të Tiranës. Kompletimi me teknikë, formimi i saj u realizua nën drejtimin e komandantit Adnan Qatipi, komisar Miço Kola, Zv.Kom.Brig. teknik Stefan Luarasi dhe konsolidimi me komandant Abaz Fejzo. Në vazhdimin e viteve, kjo brigadë u drejtua nga komandantët; Estref Musabelliu, Kujtim Dajlani, Skënder Idrizi, Hilmi Brati, Pullumb Lamaj, Budjon Arapi, komisarë: Llambi Premti, Dervish Alikaj, Ramadan Lleshi, shefa për teknikën: Rexhep Alimema, Zini Kullolli, Spiro Gjoni, Vizhdan Muraj, Muharem Hibro, Astrit Pajo. Nën drejtimin e komandës, personeli inxhiniero-teknik në kompani, batalion e brigadë zhvillonte mësime për njohjen e teknikës, në kryerjen e shërbimeve, konservimin, përgatitjen e shoferëve etj. Për realizimin e këtyre detyrave kanë punuar me dhjetëra tankistë, teknikë e inxhinierë, specialistë për shërbime specifike; Astrit Çobani, Jaçe Mullaj, Pëllumb Çakëri, Luan Hakani, Petraq Vangjeli, Vizhdan Muraj, Resul Ahmetaj, Hajdar Marku, Niko Koço, Panajot Kule, Vangjel Nasi, Metush Fisheku, Bashkim Sula, Përparim Dusha, Etem Dafa, Nustret Allkoçi, Piro Mushi, Piro Fera, Muharem Hani, Isuf Baboçi, Jakup Dule, Guri Haxhiaj, Muharem Hibro, Astrit Pajo, Latif Hodo, Nazmi Nani, Isuf Sulemani, Haki Luarasi, Petrit Gjoka, Muharem Sinani, Bajram Hamzallari, Spartak Halili, Bashkim Topçiu, Sokol Dobro, Platon Shehu, etj.. Kuadrot specialistë të armatim-municionit, Beqir Stringa, shokë me shumë vlera për detyrën, njeri me horizont të gjerë me të cilin kam punuar në Bazën e Furnizimit të Ushtrisë në Tiranë ai me detyrë shefi i degës për armatim-municionin dhe unë shefi degës teknike. Beqiri u nda nga jeta para dy vjetësh. Për tankistët që e kanë njohur dhe shokët e bazës e për mua ai do mbetet i paharruar. Gjithashtu, kuadri Harilla Papaçiu e Todi Kreçi, kanë kontribuar shumë, së bashku më Habib Spahon, me të cilin takohem shpesh. Këtu dua të përmend dhe Simon Shaka, Sokol Gjeçi, Hasan Lleshi komandant i mbrojtjes k/ajrore të brigadës, Lirim Bedini i sigurimit të brigadës, për ndërlidhjen, Rasim Imami, Ramiz Bushi, për xhenion; Abil Serani, Adem Kurti e kuadro të tjerë për shërbime të ndryshme të inkuadruar pranë shtabit të Brigadës, si dhe nënoficerët e tankeve e personeli shofer i brigadës.

 

Si vazhdoi organizmi me kalimin e viteve?

Me kalimin e viteve shumë kuadro të Brigadës morën emërime më të larta në detyrë, kontribuuan me përvojën e fituar në krijimin e njësive të tjera tankiste, duke marrë detyrën e komandantit apo të komisarit të Brigadës. Në organikën e Br1T ishte dhe batalioni i motorizuar me komandant Idajet Koka, komisar Nuri Dushku, teknikë Latif Hodo dhe kuadro të tjerë në vitet në vazhdim. Vetëm në këtë brigadë, duke filluar nga toga e deri në shtab e komandë, kuadro tankistë specialistë, nënoficerë, civilë e ushtarë, në shërbim të saj numërohen me qindra vetë.

Detyrat kryheshin me ndërgjegje të lartë nga kuadrot dhe efektivi ushtarak. Në shërbimin e parkut, ku bëhej dhe pastrimi i tankut, ekuipazhet hiqnin këpucët dhe vishnin papuçe të sajuara vetë me iniciativën e tyre për ta mbajtur sa më të pastër atë. Kjo frymë e kujdesit për teknikën mbizotëronte në të gjitha repartet e njësitë tankiste. Në sajë të eksperiencës së fituar në krijimin e reparteve të mëhershme dhe mbi bazën e Br1T,u krijuan njësitë e repartet e tjera tankiste. Gjeografia e dislokimit të tyre shtrihet nga veri-jug e lindje-perëndim të vendit tonë. Kështu, kemi brigadat tankiste, të Shkodrës mbi bazën e regjimentit me komandantët, komisarët e kuadrot e tjerë në vite, Lutfi Morava, Xhenet Muça, Rifat Gjyzeli, Haxhi Bendo, Rahman Spaho, Albert Dhima, Hysni Berdaj, Elmaz Meçani, Astrit Pajo, Burhan Piraniqi, Dhosi Gjylameti, Zaim Pulaj, Proletar Hasani, etj. Brigada e Gjinokastrës, me kuadrot Qemal Nuredini, Qani Spahiu, Isuf Cepani, Jani Xhavaro, Ramo Muho, Njazi Musabelliu, Musa Kasi, Flamur Selmani etj. Të Korçës kuadrot, Xheladin Seferi, Jani Theodhori, Musa Loloçi, Shahin Koldashi, Petrit Hysenbelliu, Piro Mushi, Jorgaq Çifliku, Myfit Metani etj.. Të Vorës; Vangjo Monosopi, Skënder Idrizi, Servet Demiri, Shkëlqim Meçe, Begator Kozeli, Bekim Duka, Nevruz Turku, Petro Çeku, Hasan Berberi, Muhamet Tare, Ramiz Çaushi, Perparim Dusha, Spartak Dume, Festim Murati, Veliçan Golemi, Selim Këlliçi, Vishinsk Brati, etj. Të Fierit, Demo Liço, Eduart Shehu, Merkul Ruli, Shemsi Leka, Fuat Bilbili, Vasil Ferro, Vangjel Çaveja, Naun Galloshi, Petro Talo etj. Të Laçit, Qani Spahiu, Rrapi Bufi, Rifat Gjyzeli, Vangjel Qirici, Budjon Arapi, Sherif Durmishi, Spiro Gjoni, Petraq Vangjeli, Engjell Ashini, Pajtim Tefa, Veri Merko, Muharem Hibro etj. Të Ardenicës, Ilmi Brati, Leandro Zhebro, Zenel Buraj, Ylli Muçaj, Sotiraq Ikonomi, Dashnor Çiraku, Kujtim Masupi, Kastriot Hasani, Mehmet Xhani, Niko Konini, Niko Seferi etj. Të Beratit, Faik Pajo, Vasil Ferro, Androkli Vaso, Luftëtar Petroshati, Lili Bullari, Petrit Fico, Braho Llapi, Asqeri Malaj, Resul Ahmeti, Eduart Shehu, Asqeri Toska, Hasan Hysi, Vlash Tanku etj. Të Elbasanit, Hajrulla Muhameti, Aleko Koka, Pertef Kalemi, Jaçe Mullaj, Qemal Gjoliku, Ali Dalipi, Ilmi Qato, Baki Shehu, Niko Koço, Resul Ahmetaj, Halil Hajdari, Perekli Çuni, Nuri Kacanolli, Remzi Isaku, Bedri Dingu, Qamil Kola, Nesti Nune, Fatmir Lubjezha, Zija Rovaniku, Vlash Tanku etj. Të Saukut, Petrit Mançe, Koli Koçollari, Fuat Bilbili, Rahman Spaho, Ismet Sina, Luan Hakani, Rexhep Alimema, Lavdim Suparaku, Abedin Shkurti, Hajdar Marku, Luan Hasani, Boris Skendo, Mufit Azemi, Pjetër Lleshi, Petraq Vangjeli, Lutfi Manjani, Luçi Deda, Kujtim Bano, Resmi Memishaj, Perparim Mullaj, Dhimitraq Trajani, Jorgji Kote, Petrika Trajani, Muharrem Kenga, Bektash Shameti, Bektash Spahiu, Osman Shehu, Muharem Hibro etj. Të Kavajës, Myrteza Gripshi, Ramo Muho, Petrit Alikaj, Roland Borova, Stavri Nare, Kol Morina etj.. E gjithë veprimtaria për formimin e konsolidimin e brigadave dhe reparteve drejtohej nga kuadrot e drejtorisë dhe komandës të tankeve e mjeteve të blinduara, me drejtorin e përkushtuar kolonel Adnan Qatipi dhe komandantin gjeneralin e talentuar Abaz Fejzo si dhe kuadrot e tjerë drejtues Aleko Koka, Lili Bullari, Rifat Gjyzeli, Koli Koçollari, Andrea Ziu, Astrit Çobani, Qani Spahiu, e dhjetëra kuadro të tjerë me akademi e inxhinieri me të cilët kam punuar nga viti 1967 deri në 1974. Shumë kuadro komandues e teknikë me shtimin e brigadave dhe reparteve të reja kanë lëvizur në detyrë për formimin e konsolidimin e tyre. Vendosja në kushte normale të çdo njësie kërkonte, angazhimin e të gjithë efektivit për krijimin e ambienteve të domosdoshme për vete dhe teknikën.

 

Thuhej se në ato vite stërvitja bëhej si në kushte lufte. A është e vërtetë?

Kjo është mëse e vërtetë. As mund të vihet në dyshim. Jo vetëm tek tanket pro tek të gjitha armët stërvitjet të tilla bëheshin. Kishte një përgjegjësi të madhe. Pastaj ishte lidhja ushtri-popull. Ne me ushtarët ishim si një familje. Stërvitjet bëheshin si në kushte lufte sa sot dikush shpreh shenja të theksuara mosbesimi. Stërvitjet me trupa kërkonin përgatitje të lartë të kuadrit në njohjen e terrenit, mundësitë e kalueshmërisë të tankeve, përgatitje të mirë të shoferëve etj.. Më kujtohet stërvitja e Batalionit të Tankeve në vitin 1961, organizuar nga Brigada 1MBD në drejtimin e Ishmit, me komandant të njësisë gjeneral Abaz Fejzo, zv.kom., për teknikën "Heroi i Popullit" Kolonel Myslim Keta dhe Komandanti i Batalionit major Murat Agaraj, shef shtabi Lutfi Morava, ku batalioni i tankeve u cilësua ndër repartet më të mira të Brigadës. Kisha një vit teknik kompanie me gradë toger, shoferit Esat Herenit ju dha leje për vdekjen e nënës. Drejtimin si teknikë dhe si shofer e mora përsipër vetë gjatë gjithë stërvitjes. Terreni me reshje të pandërprera ishte rënduar shumë, një urë përroi, ku kalonte kolona e tankeve nuk i rezistoi atyre të fundit, kështu u thyen dërrasat në hyrje dhe një tank ra në përrua. Edhe në vitin 1980 në stërvitjen me trupa të Br1T, u pa vështirësia e kalueshmërisë në terrene të rrëshqitshme dhe në kalimin e lumenjve me prurje të madhe. Mora dy shembuj, por stërvitjet me trupa janë bërë shumë dhe nga ato kanë dalë detyra për kuadrin komandues e atij inxhiniero-teknik, si dhe sektorit të xhenios, duke organizuar grupe të punës shkencore për përmirësimin e mangësive të vërejtura, në shumë drejtime të dislokimit e veprimeve të brigadave, u bënë punime. Duke qenë anëtar i grupeve shkencore, kam kontribuar sadopak me studimet për kalueshmërinë e tankeve në thellësitë ujore, për lehtësimin e uljen e kohës në vetënxjerrjen e tankut duke prodhuar pajisje të re për kompletin ekzistues etj..

 

Çfarë do të veçonit nga siguria dhe kujdesi ndaj kësaj arme?

Ka shumë gjëra që mund të veçoj dhe mund të flas për ditë të tëra. Ne kemi kaluar disa faza për ruajtjen, mirëmbajtjen, riparimin, prodhimin e pjesëve të ndërrimit dhe në fund sigurimin e tyre në rast të një lufte eventuale. Ndër detyrat më të vështira, që kërkonte sakrifica të mëdha ishte tunelizimi. Të gjitha repartet e brigadat tankiste arritën të zbatojnë detyrën në kohë për vendosjen e teknikës në tunele. Në punimet për tunelizimin, krahas detyrave të stërvitjes, merrnin pjesë oficerë, nënoficerë, ushtarë, civilë, specialistë, xheniere, inxhinierë. Tunelet përgatiteshin në bazë kompanie e reparti me dimensionet e duhura sipas teknikës. Me hapjen e tyre, bëhej betonimi, hidroizolimi, ndriçimi, aspirimi për largimin e gazrave gjatë ndezjes së motorëve, oxhaqe për ajrosje etj.. Janë hapur disa dhjetëra tunele me seksione e gjatësi të ndryshme në afërsi me qytetet kryesore të vendit, ku dhe dislokoheshin njësitë e repartet tankiste. Me daljen e teknikës jashtë organike dhe kalimin për skrap, me mijëra metra lineare tunele të hapura janë me kushte të mira për t'i përdorur në shumë drejtime, në ruajtjen e materialeve ushtarake, industriale, bujqësore e deri në kultivimin e kërpudhës ushqyese, tashmë e eksperimentuar dhe e prodhuar nga shkencëtari Smokthina, disa vite më parë...

Në kryerjen e stërvitjeve me tanke, sidomos për hapjen e përdorimin e tuneleve, janë me dhjetëra oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të rënë në krye të detyrës.

 

Në gjithë këto stërvitje veri-jug, si lëviznin tanket në rrugët kombëtare? A kishte mënyra speciale lëvizjeje?

Çdo lëvizje, çdo stërvitje kishte veçantinë e saj. Asnjë stërvitje nuk i ngjate tjetrës. Numri i tankeve dhe mënyrat e lëvizjeve ishin në funksion të stërvitjeve. Varej ku bëheshin, terreni, bashkëveprimi, koha etj... Lëvizja e teknikës me zinxhirë në rrugët e vendit tonë ka qenë e vështirë dhe problematike, për faktin e dëmtimit të asfaltit, të urave, mureve mbajtës; lëvizja në terrene malore e toka të punuara, në kalimin e lumenjve, kanaleve etj.

Në raste të veçanta është dashur që ngarja e tankeve të bëhej nga oficerë e shoferë instruktorë të përgatitur, si në çuarjen e tankeve T-34 në rrugën e vështirë të Salaries për në fushë Tepelenë e transportimin me rimorkiatorë në Goranzi dhe çuarja e AVL/ 76 në jug të Delvinës. Si pjesëtarë i kësaj detyre në vitin 1968 i ngarkuar për zbatimin deri në fund, kujtoj me respekt e konsideratë dy shoferët e mëdhenj të parkut të Durrësit, Met Delvina e Kiço Kumi si dhe komandantin e shquar Gjeneralin Muhamet Prodanin, të cilit i raportova për kryerjen e detyrës. Ai mbasi më falënderoi, u interesua për shëndetin tim. Lodhja, pagjumësia, ushqimi kishin bërë të vetën, sëmundja më detyroi me mbarimin e planit për kanalin ushtarak, të shtrohesha në spital. Falë interesimit të eprorëve e në veçanti të shefit të shëndetësisë doktor Jakov Puleshit dhe doktorit të shquar Grigor Daiu, u shërova plotësisht. Me detyrën e furnizimit, përveç planizimit, më takoi për disa vite të merresha me shkarkimin e tankeve nga vaporët e ardhur me ngarkesë, nga Republika Popullore e Kinës. Lëvizja brenda hambarit të vaporit, shpërndarja nga vendi i grumbullimit për në destinacion, shpesh bëhej nga oficerët, mbasi njohja e teknikës së re, kërkonte kohën e duhur për t'u përvetësuar.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: