Ishemitë, kush janë sëmundjet kronike që i favorizojnë

Ishemitë, kush janë sëmundjet kronike që i favorizojnë
Hipertensioni, diabeti, yndyrnat e larta apo obeziteti janë disa nga shkaktarët kryesore të ishemive në tru, ndërkohë që mbajtja në kontroll ndihmon në parandalimin e tyre. Këto janë këshillat kryesore që japin mjekët neurologë porsa i përket ishemive në tru, ndërsa theksojnë se cilat janë masat e para që duhet të marrë një pacient për të evituar këto patologji. Sipas mjekes Prof. Dr. Mira Rakacolli në vendin tonë mundësohet teknika e shkrirjes së trombit, që rrit shanset e shërimit nëse ndërhyhet brenda 4 orë e gjysmë nga fillimi i sëmundjes.

Ishemia            

Ishemitë janë pjesë e aksidenteve vaskulare cerebrale dhe përbëjnë shkakun e tretë të vdekjeve dhe shkakun e parë të invaliditetit kudo në botë. Pra, janë sëmundje shumë të shpeshta. Me aksidente vaskulare cerebrale ne kuptojmë problemet e trurit, që vijnësi rezultat i ndërprerjes së qarkullimit të gjakut ose si rezultat i çarjes së enëve të gjakut. Kur ndodhin probleme të trurit që kanë të bëjnë me mbyllje të enëve të gjkuat, atëhere kemi të bëjmë me ato që quhen ishemi apo tromboza cerebrale. Ndërsa kur kemi të bëjmë me çarje të enëve të gjakut, atëhere kemi të bëjmë me hemoragji cerebrale.

Shkaqet

Shkaqet janë nga më të ndryshmet: mund të jetë tensioni i lartë i pamjekuar mirë, diabeti, yndyrnat e larta, çrregullimet e ritmit të zemrës, sëmundje të tjera inflamatore të zemrës, obeziteti, jeta sedentare. Po ashtu shkak janëdhe anomalitë e lindura, që mund të jenë në drejtim të ishemisë, por sidomos në drejtim të hemoragjisë.

Simptomat

Fillimi i menjëhershëm, pra në mënyrë të papritur i një mpirjeje të gjysmës së trupit ose gjysmës së fytyrës, i një vështirësie në të folur, i një çrregullimi ekulibri apo ajo që është më drastike i një paralize ose edhe një rënie në gjendje kome. Shenjat varen nga vendi ku ndodh ishemia apo hemorragjia. Pra, varet se çfarë funksioni ka ajo pjesë e trurit, që furnizohet me gjak nga ajo enë gjaku që është çarë. Shenjat më të shpeshta janë paralizat sepse ato janë enët e gjakut që dëmtohen edhe më shpesh. Pra, fillimi i menjëhershëm i rëndimit të këmbës ose dorës duhet të na çojë menjëherë mendjen se po zhvillohet një hemorragji ose një ishemi e trurit.

Moshat

Moshat më të prekura janë ato mbi 60 vjeç, por me kalimin e moshës, si rezultat i plakjes, shtohet dhe predispozicioni për të vuajtur nga këto sëmundje. Megjithatë ka edhe mosha të reja. Një tendencë jo e mirë qëne vemë re sot në Shqipëri është shfaqja e këtyre aksidenteve, sidomos atyre ishemike, te të rinjtë që kanë filluar të përdoruin drogat. Këtu futet edhe hashashi, që ndonjëherë konsiderohet i parrezikshëm. Kjo është për t’u nënvizuar sepse ne sot kemi edhe 20-vjeçarë që na vijnë me ishemi si rezultat i përdorimit të hashashit.

Si duhet të veprojmë

Kur ndodh diçka e tillë duhet të shkosh sa më parë të jetë e mundur në qendrat e specializuara dhe në qendrat e spitaleve ku ka scaner. Kjo pasi duhet bërë menjëherë ekzaminimi me scaner i trurit, ku shihet ecuria e mirë ose e keqe e ishemisë apo përjashtohet hemorragjia. Kjo është shumë erëndësishme që të bëhet sa më shpejt sepse sot ekziston mundësia, që në një pjesë të mirë të rasteve, jo në të gjitha rastet, të përdoren medikamente ose teknika, të cilat e shkrijnë trombin. Por, kjo shkrirje duhet bërë brenda 4 orë e gjysmë nga fillimi i sëmundjes. Pra, në qoftë se i sëmuri arrin të vijë në spital dhe të ekzaminohet brenda 4 orë e gjysmë, më së fundmi edhe në Shqipëri është arritur që të bëhet kjo ndërhyrje, e cila në botë kishte mbi 10 vjet që bëhej. Me këtë procedurë që është arritur, Shqipëria renditet në qendrat e ekselencës të trajtimit të kësaj sëmundjeje. Koha është shumë e rëndësishme sepse në një minutë njeriu humbet 1.9 milion qeliza, nga ishemia cerebrale. Ndaj është shumë e rëndësishme të kapet sa më shpejt dhe në fakt neurologët që punojnë në këtë shërbim janë gjithmonë në garë me kohën.

Parandalimi

Ishemitë parandalohen duke ditur faktorët që e shkaktojnë. Pra, ne mund t’i parandalojmë duke eleminuar këta faktorë. Zhvillimi i një jete të shëndetshme është shumë i rëndësishëm. Pra, një dietë e shëndetshme, kontroll i shifrave të tensionit, kontroll i diabetit, obezitetit, aktiviteti fizik dhe bërja vazhdimisht e ekzaminimeve sepse jo gjithmonë shenjat e sëmundjeve janë të dukshme. Ne kemi pacientë, të cilët nuk e dinë që vuajnë nga diabeti apo që kanë yndyrnat e larta  deri në momentin që bëjnë ishemi cerebrale. Pra, monitorimi dhe bërja e vazhdueshme e analizave çdo 6 muaj ose 1 herë në vit bën që t’i kemi në kontroll këto sëmundje. Pastaj është mjekimi i rregullt i tyre, qëështë baza. s/i

Shpërndajeni me miqtë tuaj: