Këshilltarët

Këshilltarët
 

Nga Juela Meçani

 

Një turmë këshilltarësh, të ndjekin ngado. Të gjithë të ditur e të zgjuar, janë gati, aty, pranë teje, të të “ndriçojnë” rrugën edhe atëherë kur ti nuk e do apo nuk e kërkon aspak. Janë këshilltarët “veresie”, që i has në jetën tënde dhe shpesh, ashtu me hapa të lehtë e të pa zhurmshëm, ndikojnë në jetën tënde, si një zë i arsyes të cilën në fakt vetëm sa e përgjumin.

Të armatosur me frazat “e duhura” për secilën rrethanë, këta individë ndërhyjnë mbi gjithçka, ndoshta edhe me qëllimet më të mira të kësaj bote, por asgjë më shumë nuk bëjnë se të reduktojnë lirinë e veprimeve të të tjerëve.

Këshilltarët pushtojnë jetën e të tjerëve dhe gjithmonë kanë shprehjen: “E kam për të mirën tënde” me vete. Pjesërisht është e vërtetë, por këshillat me tepricë, kur janë edhe të pakërkuara apo pretenduara, tregojnë se diçka mes jush nuk shkon dhe shkaktojnë efekte të kundërta, disa herë shkatërrimtare.

Nuk e di, a e keni vënë re, por këshilltarët-miq rastis të kenë një jetë shumë boshe, pa interesa ose pasione, të cilën e mbushin me ty. Po, po, pikërisht me ty. Ti je arsyeja që gjejnë për të rritur vetëvlerësimin që çalon. Ti je pasqyra ku, në fakt, teksa të flasin ty, i flasin vetes, ndërgjegjes së tyre.

Këshilltarët me tepri, kanë nevojë për dashuri. Për një mbushje emocionale të cilën bota, rreth tyre, nuk ua jep dot më. Në mënyrë të pandërgjegjshme, kërkojnë të mbajnë të lidhur pas vetes dhe këshillave të tyre mikun apo mikeshën e radhës.

Sa më e sikletshme të jetë situata, aq më shumë këshilltarë do të të mblidhen e do dëgjosh predikime, pafund, mbi atë që, sipas tyre, do të kishte qenë më mirë të bëje. E për politesë, për argëtim apo për dobësi, ti je aty, duke dëgjuar, duke tundur kokën. Reflektimi vjen më pas.

Këshilltarë emocionalë, gati si një profesion, posaçërisht, më së shumti, femëror. Nuk e di ku e gjejmë këtë kohë me tepri, që të marrim energji nga jetët tona e ta zbrazim, mbi dikë që në fakt, teksa na hapet, dëshiron asgjë më shumë se sa të gjejë arsye drejt mbrojtjes së personalitetit të tij. Të gatshëm, në çdo orë e në çdo rrethanë, për të dhënë fjali të gjata “eksperience jete” e për të pritur patjetër miratim, ndryshe bashkëbiseduesi nuk bën.

Janë aq të lodhshme këshillimet, si një proces zvarritjeje e situatave sa, në fund, del i rraskapitur, me energji negative të shtuara e me ide edhe më të paqarta. Por, tashmë, është kthyer në një proces “të detyrueshëm”.

Nëse ndaloni të mendoni edhe situata mjaft të rëndësishme, në shkallë më të gjerë, p.sh., në politikë, apo ekonomi, varen nga “këshilltarë” shpesh të papërgjegjshëm. Në fund të fundit, janë pengesë për të shfaqur atë që je vërtetë, mjegullën e arsyes, pa pasur asnjë kosto ata në fund të së tërës.

Në zyrë, në bar, në shtëpi, në shkollë, një ushtri me këshilltarë, e në fund të ditës, nuk i ke ftuar fare në jetën tënde, doje vetëm një zë të dashur, apo një palë sy të ngrohtë, një debat apo dialog, por jo këshilla që duam s’duam kanë tharmin e një jete tjetër, të dikujt tjetër. Nuk jemi ne e nuk kanë të bëjnë me ne.

Le të ushtrojmë dëgjimin, le të ushtrojmë dialogun, por le t’i lëmë këshillimet mbi të tjerët. Nuk mund të jemi dikush tjetër, asnjëherë, në asnjë pikë. Kemi ngjashmëri rrethanore, por jemi të ndryshëm sa më s’ka. Ndaj, këshilltari i paftuar si një orakull me një barrë mend, nuk është asgjë tjetër, veçse një tjetër turi i futur në punët tona! Pikë!

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: