KOMENT/ RAMËS, NJË FITORE NË ZGJEDHJE PA OPOZITËN, NUK KA PSE I INTERESON - NGA PLATOR NESTURI

KOMENT/ RAMËS, NJË FITORE NË ZGJEDHJE PA OPOZITËN, NUK KA PSE I INTERESON - NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Zgjedhja e Ilir Metës si President i ri i vendit, nuk e zgjidhi krizën politike. Pavarësisht rolit prej moderatori të treguar në përplasjen e gjatë mazhorancë-opozitë, vendet bosh të opozitës në sallë, ndërsa numëroheshin votat për presidentin e ri, ishin kujtesë se kriza ndodhej jashtë. Jo më në çadër, por në zyrat e KQZ-së ku zyrtarizohej bojkoti i opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit.

Në analizat mbi çka ndodh në dy muaj e gjysmë bojkot parlamentar të PD-së dhe aleatëve të saj, më së shumti është trajtuar kriza politike dhe pasojat që sjell ajo si në jetën e vendit, ashtu dhe dëmet që i sjell ekonomisë. Por dhe diçka tjetër është bashkudhëtare me të, kriza institucionale dhe pasojat që sjell si në reformat e ndërprera, ashtu dhe në kaos pushtetesh. Zgjedhja e Metës si President, ishte lajm i mirë për të zbutur krizën institucionale. Një Kuvend i shpërndarë, ndërkohë që zhvillohen zgjedhje parlamentare, kur historikisht periudha post zgjedhore është zgjatur me ankesa në gjykatë, kundërshtim e akuza për vjedhje rezultati, do ta bënin të pamundur mbushjen e boshllëkut që do të krijonte mbarimi i mandatit të presidentit Nishani në 24 korrik.

Por efektet e një ngërçi institucional, nuk do të mbaronin me kaq. Kushtetuta e re e miratuar në korrikun e vitit të kaluar, rrezikon të shembet nëse ligji i vettingut dhe ngritja e komisioneve për institucionet e reja të drejtësisë, do të shtyhen për parlamentin e ri në shtator. Në ligjet e reja të miratuara, janë përcaktuara afate precize ligjorë për periudhën tranzitore të zëvendësimit nga institucionet e vjetra, tek institucionet e reja të drejtësisë. Nëse këto afate shkelen, atëherë do të gjendemi para një situate ku Prokurori i Përgjithshëm, Kryetarët e Gjykatave si ajo Kushtetuese, e Lartë, do të jenë pa kompetenca ligjorë, ose kompetencat e tyre do të bien në kundërshim me ligjim, ndonëse institucionet e reja janë ende të pangritura.

Në këtë mish mash ligjor  bëhet e domosdoshme një marrëveshje politike për të kapërcyer këtë situatë. Jo thjesht për ti dhënë garanci njëra tjetrës se do jenë të matura  e aspak dorëgjatë në kutinë e votimeve, gjë padyshim e rëndësishme për një funksionim normal të demokracisë, por dhe për funksionimin  normal të shtetit. Marrëveshja duhet të përfshijë edhe kryerjen e angazhimeve të tjera ligjore dhe votimin qoftë edhe në kohën in extremis, të ligjeve që kanë të bëjnë me komisionet për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë si dhe Vettingun. Në të kundërt, jo vetëm do të kalohet në kolaps institucional, por në rastin më të mirë, vetë aplikimi për reformën në drejtësi do të shtyhet për vitin e ardhshëm. Le të mendojmë se komisionet e zgjedhura nga parlamenti për gjykatën, prokurorinë dhe atë të vlerësimit nuk do të mund të votohen gjatë kësaj legjislature. Gjithë procedura e deritanishme e përzgjedhjes së kandidaturave dhe të votimit për to, do të bjerë. Kjo pasi parlamenti i ri do të përcaktojë konfiguracion të ri politik, ku mazhoranca dhe opozita të jenë të ndryshme nga ajo e sotmja. Në këto kushte, vetë kandidaturat që do i përkasin mazhorancës dhe opozitës së re do të ishte e detyrueshme të ndryshonin. Kjo do ta riniste sërish procesin, deri në stërlodhje...

Imperativi i një procesi normal zgjedhor, është i domosdoshëm, ashtu siç janë të domosdoshme dhe përmbushja e detyrimeve të forcave politike për të zhbllokuar këtë krizë jo thjesht politike, por dhe ekonomike, sociale si dhe institucionale. Lëvizjet e fundit në zyrën e Nishanit për të gjetur një zgjidhje të momentit të fundit, janë të mirëpritura. Shtyrja e datës së zgjedhjeve për të siguruar garanci besimi për votime të lira, ndryshimi i kodit zgjedhor, por dhe shtyrja e afatit të punimeve të parlamentit për të shmangur kolapsin institucional, janë jo thjesht përgjegjësi, por dhe detyrim që kanë forcat politike për mbarëvajtjen e shtetit.  Në këtë proces, gjithkush duhet të dorëzojë pak nga vetja. Basha të dorëzojë qeverinë teknike. Ndërsa Ramës, një fitore në zgjedhje pa opozitën, nuk ka pse i intereson.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: