KOMPROMIS PËR SHTYRJE KRIZE – OPINION NGA PLATOR NESTURI

KOMPROMIS PËR SHTYRJE KRIZE – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Rikthim në formulën e vjetër. Kështu  mund të përcaktohet arritja e një marrëveshjeje, për të zbutur krizën dhe pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, pas bojkotit të gjatë parlamentar. Paketa McAllister duket se do të jetë  baza e pajtimit, duke i shtuar ndonjë retush të vogël. Për të arritur deri këtu, nuk ishin të mjaftueshme as loja e shahut e strategjitë e damës, as kërcënimet nga Brukseli, se kështu do të bllokohej integrimi i vendit në BE. U paska dashur që "buldozeri" të kish ardhur prej kohësh nga Uashingtoni. Kështu do të kishim kursyer shumë më tepër kohë dhe energji, për t’u marrë seriozisht me problemet që ka vendi, sesa ndoqët këtë festival teatrosh, i cili shpërfill qytetarin spektator, por i drejtohet skenës përballë.

Pavarësisht gjithçkaje, formulës për të arritur marrëveshjen, 18 qershorit apo shtyrjes së datës të zgjedhjeve, ministrive të lëshuara apo komisarëve të policisë që do dislokohen sipas preferencave partiake të të dy kampeve, fakti që mbetet është se klasa politike shqiptare, edhe kësaj radhe, dëshmoi se mbetet e papjekur. Zgjidhjet për kompromis vijnë ende nga jashtë, madje, nga më larg të jetë e mundur. Por ajo çka e bën më të rrezikshme në papjekuri, është primitivizmi i saj. Kriza politike ka në çdo vend të botës, porse elitat dinë të gjejnë zgjidhje edhe duke sakrifikuar për hir të kolonave të shtetit e rregullave që kanë ndërtuar. Ajo çfarë pamë, në mbi dy muaj, por dhe në historikun e pluralizmit tonë vërehet tjetër fenomen. Në Shqipëri, jo vetëm që nuk arrihet pjekuria e klasës drejtuese për të zgjidhur krizën me kanalet e saj, por më keq se kaq, ato përdoren si bllokues të ligjit e të shtetit. Në këtë mënyrë, vetë krizat politike shndërrohen në ngërç të funksionimit të shtetit dhe zgjidhja e tyre bëhet si lëshim në dëm të ligjit dhe gjithë ngrehinës që përbën shtetin.

Në gjithë botën, krizat dëshmojnë se trupi i shtetit e demokracia ka një sëmundje dhe temperatura e debatit politik, veç tregon se në çfarë shkalle është inflamacioni, porse zgjidhjet e kompromiset i japin hapësirë e frymëmarrje të re demokracisë, çka i bën mirë vetë funksionimit të mëtejshëm të shtetit. Vështirë të mendohet se kompromiset në Shqipëri e kanë eliminuar virusin e krizës. Dhe, në më të shumtat e rasteve, as se i bëjnë mirë funksionimit të shtetit dhe demokracisë. Virusi ka mbetur sërish aty dhe pak mundësi ka që dhe në kompromisin e tanishëm, ai të shmanget. Kompromis për shtyrje krize, por jo për shërimin e demokracisë shqiptare nga efektet e dominancës, përplasjes, rritjes së pushtetit të pak figurave kryesore dhe shpërfilljes të interesave të qytetarëve. Pasi ky kompromis i orës së fundit, pak garanci jep se faktorët që shkaktojnë kriza do të eliminohen. Shqipëria mund të bëjë zgjedhje në qershor, korrik a shtator, porse askush nuk e garanton se, pas tyre, kriza do të rishfaqet sërish, me tension të ri dhe nën teza të reja.

Imagjinoni pak, drita jeshile për arritjen e një marrëveshjeje që opozita të futet në zgjedhje, bëhet pas dy muaji e gjysmë sorollatje, Kuvend- çadër- kryeministri. Në një hapësirë prej 50 metrash katrorë, por që në qëndrime dukeshin vite dritë larg njëri-tjetrit. Dhe për të arritur në këtë marrëveshje të zgjidhjeve të ngutshme (sepse e tillë është kur çanga e zgjedhjeve për 18 qershor, ka rënë prej kohësh), u desh të vijë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Yee.  Po të kujtojmë se secila nga partitë kryesore shqiptare paguan shifra të majme për lobing në SHBA, nëse do të ishin interesuar për shëndetin e demokracisë shqiptare, me ato para do e kishin ftuar prej kohësh z. Yee për zgjidhjen e ngërçit disamujor, që ka përfshirë shtetin e demokracinë tonë. Nuk ka ndodhur kështu. Ato para lobimi, përdoren sërish për të goditur shqiptarë të tjerë në Shqipëri, por që janë në kampin kundërshtar politik. Mbetemi shembull interesant sidoqoftë, si republikat afrikane..

Sidoqoftë, klasa politike shqiptare arriti ta prezantojë veten më së miri edhe të administrata e re Trump. Ajo e do SHBA-në, dhe pavarësisht se në primitivizmin e vet do të vijojë të jetë po aq grindavece dhe konfliktuale, liderët tanë do ia dëgjojnë fjalën, derisa është e lejueshme ta shqyejnë njëri-tjetrin.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: