KONKURENCË PUSHIMESH - Nga JUELA MEÇANI

KONKURENCË PUSHIMESH - Nga JUELA MEÇANI
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një gjerman tipik, vesh bluzën më të thjeshtë, një palë sandale “françeskane”, një çantë shpine dhe zgjedh vendin më të dlirë, me natyrë të harlisur, ku të çlodhë shpirtin.

Një francez, prirur drejt turizmit kulturor ose agroturizmit, gjithashtu merr një valixhe të vogël, prenoton muzetë qysh një muaj përpara, ose ka zgjedhur me kohë vendin ku kuajt kalërojnë të lirë, bleta bën mjaltë aty, përpara syve, baxhon e djathit në bodrum të vilës së fshatit, vera vjetrohet dhe lumi që i rrjedh tek veshët.

Shqiptarët, përpara se të nisin pushimet apo tu ketë dalë data e lejes vjetore, kanë filluar të mendojnë se si të hakmerren këtë verë ndaj asaj shoqes e cila vjet mahniti dynjanë me fotot nga Maldivet. Duke marrë më qafë edhe shoqninë që do të jetë me të, ka një detyrim-përcaktim. Vera duhet të jetë epokale, sepse albumi dhe show ku do të ekspozosh fustanet ose rrobat e banjës, ka nevojë për skenar të mirëfilltë të studiuar mirë e në detaje.

Po çlodhja ku shkoi vallë? Po prehja e mendimeve? Po privatësia dhe shëndeti i marrëdhënieve? E kujt po i intereson! Të gatshëm të shtrëngohen deri në maraz, të marrin kredi, të marrin borxh, që shfaqja publike të jetë e denjë për një sheik.

Kjo epidemi konkurrence pushimesh, ka disa kohë që nis në muajin e trëndafilave. Sikur të gjitha në jetë i ke ok, sikur asnjë problem nuk të kaplon, tema e bisedave përqendrohet aty, tek resorti me pesë yje, tek fluturimet, tek sfilita që të pret, tek agjencia turistike.

Dhe ja kur çlodhja ikën në drejtim të paditur, sepse jetojmë për të tjerët e jo për veten, sepse jemi në garë edhe për gjërat më sipërfaqësore. Sepse si majmunë, imitojmë këdo që njohim e shohim. Sepse nuk jemi ende perëndimorë në mendësi. Jemi vetëm në patetizmin tonë, por jo në tradita. Të shkosh në Durrës për pushime, je tashmë i vobektë. Shko ha një drekë, por me pushime? Kurrë! Edhe Vlora iku nga lista, një fundjavë edhe vlen, por më shumë tregon që nuk të peshon xhepi. Sa për Dhërmi e Himarë edhe bëhet, se aty e sigurt është që nuk mbetesh askushi dhe do qarkullosh nëpër revista, e do dalësh nga anonimati, e ka gjasa të kujtohet njeri se ekziston e të të thërrasë për ndonjë punë.

Turqia? Kanë rënë shumë çmimet, dreqi e mori! Nuk tregon më tangërllëk. Është për “popull” e nuk përbën më lajm! Dubai? Ka nja dy vite, është bërë konsum dhe ai, se këto çupat e reja sikur shumë shpesh shkojnë e “arratisen” atje dhe është bërë si Antalia dikur. Ndaj, o burra, në kërkim e zbulim të viseve të largëta, të ekzotizmit me palma!

Si kalove? Unë? Shuuuuumë mirë! Qetësi, u çlodha, u kënaqa. Pse, nuk m’i pe fotot? Një parajsë!

Po i pashë, moj, i pashë, se më dilje përballë tërë ditën sikur ishe në lagje, por mes njërës foto dhe tjetrës, më vjen mirë që ke gjetur kohë edhe të prehesh. Nonsensi shqiptar ose tranzicion i vonuar, edhe në dukuri dhe tradita.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: