Kozma Dushi: Me këngën shqiptare do jetoj e do mbyll sytë

Kozma Dushi: Me këngën shqiptare do jetoj e do mbyll sytë
 

Kozma Dushi njihet nga publiku si një nga këngëtarët më të njohur të muzikës së lehtë. Pak njerëz e dinë që ai mban mbi vete një rekord në karrierë, të pakaluar deri tani nga askush, - ka marrë pjesë në plot 35 festivale. I nderuar me shumë çmime, tregon me humor se ka rekordin e vendeve të dyta e të treta, por ndihet krenar që i ka kënduar vetëm dashurisë, natyrës, bukurisë njerëzore dhe vlerave pozitive. Sot, 63-vjeçar, por me dinamizëm djaloshar, Kozma Dushi na rrëfen jetën dhe pasionin për muzikën, pas recitalit “Nostalgjia”, zhvilluar pak ditë më parë, me këngët më të bukura të interpretuara prej tij, i cili paraprin një album që del së shpejti, si përmbledhje e jetës artistike të zërit më të bukur të Beratit.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni lindur në Berat. Jeta juaj artistike filloi atje?

Pasioni im kur isha i vogël, ishte të recitoja. Vetëm në moshën 11-vjeçare, në shkollën 8-vjeçare, mësuesi im i muzikës, Bardhyl Ruzi, më pikasi si talent. Njeri shumë i mirë, të cilit i jam mjaft mirënjohës! “Kozma, ti këndon shumë bukur, ke zë melodioz, ritmin e mban, zërin e ke me dritë! Ti ke dëshirë të këndosh, por pse jo të shkosh edhe në shtëpinë e pionierëve. Do flas unë me profesorin e kantos, Asqeri Kadëna”, - më tha dhe unë ia dëgjova këshillën.

Fillova të marr pjesë në festival. Kujtoj që mora pjesë në festivalin e fëmijëve me një këngë mbi gurpunuesit e Beratit, të cilët punonin kalldrëmet. “Çekiçi dhe dalta” quhej kënga dhe mora çmim të parë. Deri në moshën 15-vjeçare, u aktivizova pa ndalur me Pallatin e Pionierëve, por mu desh të ndaloja më pas. Për ne meshkujt, është ndryshe. Në literaturën e kantos udhëzohej që duhet të ndërpritej aktiviteti në kanto, sepse ndërrohen regjistrat e zërit kur burrërohet, ndaj që ta ruaja zërin, duhet patjetër të mos këndoja disa vite. Bëra një pauzë. Më pas në moshën 18-vjeçare iu riktheva këngës, muzikës së lehtë të cilën e parapëlqeja. Fillova të aktivizohesha me Estradën e Beratit për disa vite, derisa shkova ushtar në ishullin e Sazanit, në vitin 1973.

Gjatë ushtrisë e ndërpretë aktivitetin?

U caktova të isha ushtar për 3 vjet në ishullin e Sazanit, por nuk e ndërpreva aktivitetin. Kishim një fizarmonicist mes nesh, Dhimitër quhej. Ishte muzikant amator e këndonim bashkë. Pas një viti ushtar, vjen një letër që lajmëronte se kërkoheshin talente mes ushtarëve. Baza e Sazanit varej nga korpusi i Fierit. Komandanti më dërgon mua, me një këngë në festivalin e ushtarit në Fier, ku me një këngë të Bahri Shemes i cili është kompozitori i këngës së njohur “Topa bore”, fitova çmim të parë. Pas kësaj fitoreje, vendosën që unë të qëndroja në Fier.

 

Ju keni pasur dhe një pasion tjetër në ato vite, donit të bëheshit veteriner.

Vërtetë. Dëshiroja, madje, të vazhdoja studimet e larta për zootekni në Tiranë. Por shkas u bë vëllai im Dhimitër Dushi që unë të merrja, përfundimisht, drejtimin ndaj këngës. Vëllai im ka qenë mbështetja kryesore në rrugën time artistike. Ai ishte diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve dhe jepte mësim në Liceun e Beratit. Më thoshte gjithmonë se unë, një ditë, do të bëhesha emër i njohur dhe nguli këmbë të konkurroja për konservator. Përgatitëm bashkë 11 pjesë, bashkë me Gjoni Athanas, në muzikën lirike. Ndërkohë brenda meje dëshiroja të vazhdoja për veterinari. Një ditë, më thotë nëna: “Or. bir! Ja, do vesh doktor i kafshëve në fshat; pa do bjerë shi, do fryjë erë, do ketë murrlan. Pa do të bjerë dera e do të të kërkojë ai fshatari që ka lopën sëmurë; ti do ngrihesh të vesh ta vizitosh. Ti këndon bukur more djalë! Pse mos vazhdosh në këtë rrugë?”

Unë konkurrova përballë një jurie të nderuar Nina Mula, Gaqo Çako, Hamide Stringa, Gjon Athanas, Ramiz Kovaçi.

Por, ndërkohë, kishit dalë në skenë, kishit filluar të këndonit në festivalin e RTSH-së...

Në fakt, po. Kisha disa vite që merrja pjesë në festival e, tashmë, isha një emër i ri, por i njohur nga publiku. Kam filluar në dhjetor të viti 1976. Ndaj kryetarja e komisionit, Nina Mula, nguli këmbë: “Ne na duhet një këngëtar i muzikës së lehtë i shkolluar, mos të këndojë si amator. Ndaj Kozmai duhet të vazhdojë konservatorin.”

Por në konservator, ne studionim arie, pjesë klasike që, sigurisht, i gjenin të më përshtateshin me zërin tim, por mendjen e kisha tek muzika e lehtë. Në vit të dytë kërkoj leje të këndoja në Estradën e Shtetit e, fatmirësisht, më lejuan. Pas mbarimit të shkollës më kërkuan tre institucione, Ansambli i Ushtrisë, Estrada e Shtetit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve. Unë vendosa dhe, madje, mbrojta diplomën me Estradën e Shtetit. Në atë institucion kam kujtimet më të vyera për 25 vite. Aty gjeta jo kolegë, por miq të mirë, të cilët i kam edhe sot. Ishte atje Ema Qazimi, Luan Zhegu, Liliana Kondakçi, Irma Libohova. Me një orkestër profesioniste dhe me aktorë të mrekullueshëm.

Kur vendosët të ndërtonit familje?

Eh! Kam një kujtim të bukur! Në vitin 1987, këndoja një këngë romantike të Alfons Balliçit, “Kënga që do ti”. Ja, siç edhe kënga e thotë, unë në 1987 vendosa të fejohem me një vajzë nga Korça, të cilën e kisha njohur në shkollë. Kam bërë një dasmë të madhe në Berat, të cilën e mbajnë mend edhe sot. Kisha ftuar të gjithë miqtë dhe artistë në ditën e çlirimit të Beratit, më 13 shtator.

Ishte një datë simbol?

Berati është qyteti më i bukur në botë! Nuk ka më të bukur se qyteti nga vjen ose dhe fshati. Vendlindja është mall, është pasuri! Unë shkoj shpesh, aty jetojnë dy vëllezërit e mi dhe dy motrat.

Bashkëshortja ime është ekonomiste dhe bashkë kemi dy fëmijë, një djalë e një vajzë.

Sa vend ka zënë familja në jetën tuaj?

Asgjë nuk mund të bëjë dot një artist, pa ndihmën e familjes, asgjë! Unë dhe kolegët e mi mbetëm rrugëve të Shqipërisë, ndërkohë bashkëshortet tona mbajnë gjithë peshën e familjes. I jam mirënjohëse partneres time të dashur! Që ne kemi qenë në gjendje të derdhim shpirtin në art, nektarin e emocioneve tona, ia kemi arritur vetëm falë besimit dhe sakrificave të bashkëshorteve. Familja për mua është e shenjtë, nuk më ka lënë kurrë të pezmatohem, të ngarkohem emocionalisht!

Çfarë ju shtyu të organizonit koncertin recital që sapo mbyllët me sukses?

Vendosa ta organizoj koncertin “Nostalgjia” si parapritje ndaj albumit që pritet të dalë shumë shpejt, me përmbledhjen e të gjitha sukseseve të mia në festivale. Recitali u organizua falë mbështetjes së jashtëzakonshme bashkisë së Tiranës dhe dy përkrahësve të mi, që nuk më kanë thënë kurrë jo, Kadri Morina dhe Bashkim Kamberi. U jam shumë mirënjohës! Sigurisht, morën pjesë shumë miq e shokë të mi. Mora një buqetë të bukur me lule nga Myfarete Laze që nuk mundi të vinte për arsye shëndetësore. Ishin dhe mjaft personalitete të Beratit, nga fusha të ndryshme si p.sh., Pandeli Cina, mjeku i njohur i zemrës. Koncerti zgjati mbi dy orë, mes këngëve dhe poezive të bukura të dy poetëve të vetëm me të cilët kam zgjedhur të punoj, Agron Duka dhe Jorgo Papingji. Gjithçka ishte live.

A ka të njëjtin emocion kënga playback me atë live?

Unë jam profesionit. Këndoj vetëm live. Në ato të paktat raste kur jam i detyruar të këndoj me regjistrim, sepse ndoshta muzikanti nuk di bazën muzikore, prekem shumë, nuk dua, nuk e bëj me dëshirë. Kështu është për të gjithë artistët e brezit tim. Por sot, 70% e këngëtarëve këndojnë playback, vetëm 30% këndojnë live. Kjo është shumë për të ardhur keq, sepse kështu muzika nuk ka shpirt! Kush përzgjedh këngët, duhet të ketë guximin të thotë se kush bën për këngëtar, kush jo dhe jo të marrë ato 1000 euro e të mbyllë sytë dhe veshët.

Pse mendoni se ndodh kjo?

Sepse kanë defekte, stonojnë, nuk kanë zë. Kur është me playback zëri rregullohet bukur me eco e riverb. Edhe ti që je gazetare, mund të bëhesh këngëtare sot. Jep 1000 euro e do habisësh dynjanë, mëhallën me këngën tënde të bukur, prodhim i ca butonave elektronikë.

Një artist i mirë duhet të jetë produkt i një përzgjedhjeje. Një kompozitor apo zbulues talentesh duhet të ketë guximin t’u thotë prindërve të një të riu se fëmija apo e reja nuk bën për këtë punë, se nesër do dalë në skenë live e do stonojë. Duhet ndërgjegje artisti, përtej fitimeve.

Ju jeni i vetmi këngëtar shqiptar me 35 prezantime me këngë në festivale. Pas kaq shumë vitesh, çfarë mendoni për gjendjen e muzikës së lehtë shqiptare?

Sot ka shumë njerëz të cilët ende na adhurojnë, por ka edhe të tjerë që thonë: “Ala këndon ky?” Shkojmë në Greqi, njerëzit shkulin flokët për 75-vjeçarin, Janis Parios, Italia ngrihet në këmbë për “gjimnazistin” Gianni Morandi. Kudo ka respekt për muzikën e vendit, në radio apo TV jepet më shumë muzikë kombëtare se ndërkombëtare. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Ja, të të pyes unë ty: Ma këndo pak këngën e një viti më parë, që fitoi në festival. Ti, jam i sigurt, nuk e mban mend. Ka humbur melodia. Ka humbur identiteti kombëtar i muzikës. Gjallë janë kompozitorët më të mirë, që në nisje të festivaleve duhen thirrur e duhen këngë prej tyre, se janë të papërsëritshëm. Edhe sot, këndojmë meloditë e tyre. Ne duhet të kuptojmë që jemi shqiptarë e kënga jonë duhet të jetë prioritet. Duhet të jemi ithtarë të mbrojtjes së identitetit kulturor të këtij vendi. Unë me këngën shqiptare, do jetoj e do mbyll sytë!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: