Kryeprokurori Llalla me homologët e BE: Prioritet forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar

Kryeprokurori Llalla me homologët e BE: Prioritet  forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar
Prokuroria e Përgjithshme organizon për herë të parë në Shqipëri, një Konferencë Ndërkombëtare, me praninë e Prokurorëve të Përgjithshëm të rajonit e më gjerë, me temë “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale që përdorin internetin”.

Kryeprokurori Adriatik Llalla në hapje të konferencës, në fjalën e tij u shpreh se, Shqipëria tashmë është në një fazë të rëndësishme të forcimit të sistemit penal.

Kryeprokurori  Llalla u shpreh se në vitin 2016, ligjvënësit miratuan një prej paketave ligjore më të rëndësishme në dy dekadat e fundit, Reformën në Drejtësi.

Llalla gjatë fjalës së tij tha se: “Kuadri i ri ligjor është i azhornuar me praktikat më të mira europiane. Ai synon forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit vendas, krimit të organizuar, si edhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Llalla shtoi se, “në vendin tonë, aktualisht ka një vullnet të plotë të shprehur politik, për të luftuar krimin e organizuar dhe sidomos trafikun e narkotikëve. Autoritetet shqiptare tashmë kanë hartuar një strategji kombëtare kundër trafikut të narkotikëve dhe zbatimi i saj, kërkon, domosdoshmërisht edhe bashkëpunimin ndërkombëtar”.

Kryeprokurori Llalla vuri në dukje se, teknologjia ka përmirësuar jetën dhe shërbimin për qytetarët. Por nga ana tjetër, tha ai,  në duart e grupeve kriminale, ajo është shndërruar në një mjet efikas për t’iu shmangur agjencive të zbatimit të ligjit.

“Për këtë arsye, strukturat hetimore janë të detyruara që të realizojnë bashkëpunim shumë të ngushtë dhe shkëmbim të dhënash në kohë reale për të pasur rezultate pozitive. Lektorët në këtë konferencë do të sjellin praktikat e deritanishme, si edhe mekanizmat për të forcuar më tej luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Për këtë arsye, ne do të dëgjojmë nga ekspertët gjithçka që do të jetë e nevojshme, si edhe do të evidentojmë kapacitetet që duhen përmirësuar”, u shpreh Llalla. /e.g/

Foto ilustruese: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: