KUISLINGË PA DASHJE - NGA ROLAND QAFOKU

KUISLINGË PA DASHJE - NGA ROLAND QAFOKU
NGA ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në vilën ku sot ndodhet ambasada e Vatikanit, në verën e vitit 1944 banonte ministri i jashtëm i Shqipërisë nën pushtimin gjerman, Eqrem bej Vlora. Në një ditë korriku aty ka ndodhur një ngjarje e denjë për skenar filmi të Hollywood-it. Eqrem beu kishte ftuar një oficer gjerman me të cilin po drekonte, ndërsa në bodrum mbante të fshehur një oficer britanik të ndërlidhjes. Për rreth tre orë oficeri gjerman qëndroi në katin e dytë duke konsumuar drekën me të zotin e shtëpisë, ndërsa oficeri britanik qëndronte në bodrum duke u fshehur nga gjermanët por duke informuar qendrën për gjithçka që ndodhte në Tiranë.

Ironia dhe rastësia bëri që pas luftës oficeri gjerman dhe oficeri britanik të takoheshin në një konferencë ndërkombëtare në Stokholm. Pa e ditur për njëri-tjetrin, të dy e rrëfyen këtë ngjarje nga pozicioni ku qëndronin ato orë në vilën e shqiptarit: Gjermani për mikpritjen që kishte treguar politikani shqiptar dhe britaniku për mbështetjen që kishte treguar po politikani shqiptar edhe pse formalisht mbështeste gjermanët.

Të dy qeshën më situatën por edhe me faktin se si një politikan shqiptar kishte bashkëpunuar me të dy. Madje britaniku tregoi se i shkoi në mendje që në një moment të merrte armën gjermanit që e kishte lënë në holl, të hynte në dhomën ku po drekonte dhe ta vriste aty duke ngrënë. Por hoqi dorë nga ky plan vetëm kur mendoi pasojat që do të kishte Eqrem bej Vlora. Pra, nga njëra anë shqiptari ftonte gjermanin në shtëpi dhe nga ama tjetër strehonte oficerin britanik. Fakti i panjohur vjen pak kaq dekadash nga vetë protagonisti gjerman që ka lënë kujtimet dhe që priten të botohen shumë shpejt.

Kjo mizanskenë më shumë se një episod tragjik dhe komik tregon se në çfarë situate kanë qenë establishmenti dhe plejada e politikës dhe elitës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata nuk kanë patur shumë mundësi zgjedhjeje dhe duke vepruar kështu kanë menduar se kanë bërë më të mirën.

Pas çlirimit të Shqipërisë Eqrem bej Vlora është cilësuar si kuisling, tradhtar e gjithfarësoj epitetesh negative dhe emri i tij ka qenë në listën e kriminelëve të luftës. Familja e tij u përdhos, u denigrua, u internua dhe u vra, ndërsa pronat bashkë me bibliotekën e famshme iu grabitën dhe shkatërruan.

Si një njeri që modestisht pretendoj se e njoh figurën e Eqrem bej Vlorës, pa mohuar asnjë herë cilësinë high class si intelektual, kam patur shumë dilema për pozitën e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore aq sa në shkrimet e mia e kam vendosur mes heroit edhe tradhtarit, mes të mirit dhe të keqit, mes asaj që bëri dhe asaj që duhet të bënte. Shkaktari më i madh i kësaj dileme ka qenë një fotografi e Eqrem bej Vlorës që i përulej Mëkëmbësit Francesco Jakomonit teksa ushtronte detyrën e shefit të kabinetit të një pushtuesi. Por më mirë vonë se sa kurrë. Historia e Eqrem bej Vlorës me britanikun e fshehur në bodrumin e shtëpisë në qendër të Tiranës është shumë domethënëse dhe tregon shumë për ta hequr tashmë këtë dilemë. Unë tani jam mëse i qartë për arsyet përse Eqrem beu bëri atë bashkëpunim formal me pushtuesit.

Eqrem bej Vlora nuk kishte asnjë forcë të kundërshtonte as pushtimin italian dhe as pushtimin gjerman por Eqrem Bej Vlora, duke qenë antikomunist nuk kishte zemër të bashkohej me rezistencën që në atë kohë po bëhej vetëm nga komunistët. Në këtë pikëvështrim ai u bë pjesë e administratës shqiptare edhe nën pushtimin Italian edhe nën pushtimin gjerman duke mbajtur detyra të larta si ministër i Jashtëm dhe ministër i Tokave të Lirueme. Por çdo njeri ka bërë një pyetje mëse normale: Si ka mundësi që njeri aq i iluminuar ta linte veten të damkosur si bashkëpunëtor.

Por me historinë e mësipërme na rezulton se rezistenca e tij paska qenë edhe më heroike se sa ajo e ilegalëve komunistë. Të strehoje në shtëpi në qendër të Tiranës një oficer britanik të ndërlidhjes që raportonte gjithçka se çfarë bënin gjermanët do të thoshte vdekje e sigurtë. Kjo mënyrë madje ishte më e rrezikshme edhe nëse Eqrem bej Vlora të kishte dalë në mal partizan.

Pra, formalisht Eqrem beu ishte “deutsche kultur” dhe bashkëpunëtor me nazistët, por me zemër paska qenë “british culture” pra bashkëpunëtor me aleatët, pra me ata që fituan luftën dhe Shqipëria u rendit krahas tyre.

Por që nuk ia dinte kush këtë sakrificë. As familja që la në Shqipëri nuk e mësoi e nuk e mësoi kurrë. Nuk e mësoi as Ali Bej Këlcyra miku i tij më i afërt në ekzilin plumb të rëndë në të cilin vdiqën që të dy me pengun pranë. Nuk e mësoi as Hëna Këlcyra, e bija e Alit, që i shërbeu Eqrem beut në Vjenë deri sa ai mbylli sytë.

Aq sa duhet të kalonte më shumë se gjysmë shekulli nga vdekja, që të mësohej se Eqrem beu ishte i rezistencës duke qenë njëkohësisht kuisling pa dashje. Natyrisht, përkrahës dhe ndihmës së rezistencës ashtu siç dinte të bënte ai: Duke e strehuar në bodrumin e shtëpisë oficerin britanik.

Tani e kuptoj më mirë Artan Shkrelin këshilltarin e kryeministrit Edi Rama dhe njohësh shumë i mirë i historisë së kësaj periudhe, kur tre vite më parë i ftuar në studion e emisionit që drejtoj “Debati në Channel One”, tha me nënkuptim pozitiv se “edhe unë nëse do jetoja gjatë Luftës së Dytë Botërore do bëhesha ministër nën pushtimin italian dhe gjerman”. Fundja çfarë zgjidhje tjetër kishte?! As Eqrem bej Vlora gjithashtu.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: