Kukësi e pret në festë Skënderbeun, fitorja shpall nesër kampionët

Kukësi e pret në festë Skënderbeun, fitorja shpall nesër kampionët
Ernest Gjoka dhe Ilir Daja kanë kontingjentin të plotë para përballjes direkte mes tyre. Logaritë për titullin dy trajnerët i bëjnë vetëm me fitore por barazimi do të ishte në anën e Kukësit

Kukësi, vetëm një pikë para Skënderbeut të vendit të dytë, kërkon fitoren në ndeshjen direkte me kampionët në fuqi, në javën e parafundit të kampionatit, që të festojë me tifozët suksesin më të madh në histori. Gjashtë herë radhazi kampion, Skënderbeu kërkon fitoren për të mos dorëzuar kurorën. Trajnerët Ernest Gjoka dhe Ilir Daja e shohin fitoren si shans  për të festuar titullin kampion.

Gjoka: Nuk luajmë për barazim

Të gjithë drejt Kukësit, grumbullim në qytetin verilindor 48 orë para ndeshjes që mbart emocionet e titullit kampion. Të shtunën në orën 17.30 luhet Kukësi-Skënderbeu, takim historik me plot kuptimin e fjalës për skuadrën e Ernest Gjokës që përgatitet për ndeshjen e jetës.  “Është shumë e rëndësishme, sepse na siguron titullin kampion. Luajmë përballë një rivali të fortë, kampionin në fuqi. Për ne ka vlera psikologjike, ka vlera historike, ka vlera që të mbyllim me sukses këtë vit të jashtëzakonshëm”. Sipas trajnerit të Kukësit, ndaj Skënderbeut luhet për sakrificat e një sezoni të tërë dhe lidhur me presionin që mund të ekzistojë, Gjoka i beson përvojës së lojtarëve të tij. - “Ne kemi futbollistë me eksperiencë dhe kam besim të patundur për ta se do të jenë akoma më vendimtarë në këtë ndeshje pasi e dinë historinë e saj”. Gjoka ka grupin e plotë në dispozicion. Në rast se skuadra e tij nuk fiton ndaj Skënderbeut në “Zeqir Ymeri”, mjafton të nshmangë humbjen dhe shansi i fundit që Kukësi të fitojë titullin e parë kampion në histori është ndeshja e fundit në Gjirokastër, ku atje i duhet të fitojë patjetër.

Daja: Në Kukës, për fitore

Skënderbeu në Kukës rigjen Hamdi Salihin. Sulmuesi është rikthyer në stërvitje pas fizioterapisë që zhvilloi në Beograd. Trajneri Ilir Daja, me riaftësimin e shkodranit para udhëtimit në Kukës, ka një motim më shumë për të kërkuaer fitoren, edhe pse do të ketë përballë një kundërshtar të pamposhtur në Superiore. - “Kukësi nuk e njeh humbjen, por ne jemi të detyruar të shkojmë vetëm për fitore. Besojmë se kemi shanset tona. Vijmë nga nëntë fitore rresht, kemi gjithë kontigjentin përveç Lilajt. Sot është rikthyer edhe Salihi pas kurimit jashtë Shqipërisë dhe kjo na i rrit shpresat dhe shanset.” Daja kërkon qetësi ndërsa e di se kërkohet medoemos fitorja për titullit e shtatë radhazi por edhe një barazim çështja e titullit do të mbetej e hapur deri javën e fundit. Përveç Hamdis Salihit, i diferencuar është stërvitur dhe Liridon Latifi. FSHF që rrëzoi kërkesën e Skënderbeut për arbitër të huaj, por Daja beson gjithsesi se kjo përballje do të jetë jo vetëm një mundësi për të dyja ekipet për të treguar sesa vlejnë  gjyqtarët shqiptarë. Skënderbeu pret në javën e fundit Partizanin e vendit të tretë, që ishte rival për titull deri dy javë më parë.

Kategoria Superiore 

Java e 35-të - Të shtunën

17.30 Kukësi -Skënderbeu

17.30 Flamurtari-Laçi

17.30 Tirana-Luftëtari

17.30 Teuta - Vllaznia

Të dielën

17.30 Partizani - Korabi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: