Kukësi feston dhe shpërblehet, Takaj: Turpin e pa e gjithë Shqipëria, Jorgji bëri vetëvrasje

Kukësi feston dhe shpërblehet, Takaj: Turpin e pa e gjithë Shqipëria, Jorgji bëri vetëvrasje
Presidenti i Skënderbeut, pas katër titujve radhazi kampionë, tha se zbritja nga froni erdhi në mënyrën më të turpshme të mundshme. Skënderbeu kishte fituar gjashtë tituj radhazi para se të dorëzonte dje kurorën në Kukës, por dy trofetë e parë i mori nën epokën e Agim Zeqos.

Pas ndeshjes së djeshme me Kukësin, 2-0, presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj nuk e ka fshehur zhgënjimin, duke shpërthyer në akuza ndaj gjyqtarit kryesor, Enea Jorgji.

“Më vjen turp që jam pjesë e këtij futbolli. Unë po e them pastërtisht se nesër në mëngjes nuk kam se çfarë t’u them Shehit, Osmanit, Vangjelit, Osmanit, Saliahit, Radasit, Jashanicës dhe të gjithë lojtarëve që luajtën sot (dje). Ishte një turp që e pa e gjithë Shqipëria.”

“Jo më kot ne kërkuam gjyqtarë të huaj për këtë takim. I kërkuam ata pasi e dinim se kjo ndeshje kishte presion të madh që mbarte me vete.”

“Ajo çfarë bëri sot (dje) Enea Jorgji, ishte një vetëvrasje për futbollin shqiptar.”

I pyetur nëse është normale që për një penallti që nuk i është akorduar Kukësit, arbitri i FIFAs, Andi Koçi, nuk është shfaqur më në fushë, Takaj është përgjigjur:

“Për të shmangur presionet, ne kërkuam gjyqtarë të huaj. Këtë ndeshje shumë mirë mund ta fitonte Kukësi. Por, nëse do të kishte arbitra të huaj, pa u ndikuar nga ekipet në fushë, gjithçka do të ishte normale”.

I pyetur se si arriti ta ruante qetësinë në momentin e penalltisë së paakorduar për Latifin dhe nuk vendosi të tërhiqte skuadrën nga fusha, Takaj përgjigjet: “Shumë mirë mund ta bëja një gjë të tillë. Por vendosa që skuadra ta luante ndeshjen deri në fund. Ne kemi treguar se këto gjashtë tituj nuk kanë ardhur rastësisht në Korçë.”

“Kemi treguar se jemi ekipi më i mirë i kampionatit. Për 60 minuta kemi mbajtur Kukësin nën presion duke qenë në inferioritet numerik. Edhe në momentin që Osmani la fushën e lojës, ne ishim sërish aktivë në portën e Kukësit. Kjo është ajo që duhej të tregonim ne si ekip.”

“Të paktën, e gjithë Shqipëria e pa se çfarë turpi ndodhi sot (dje) në futbollin shqiptar. Mua më vjen turp që jam president i një ekipi në Superligën shqiptare”, u shpreh për “Panorama Sport” presidenti i Skënderbeut.

Skënderbeu do të luajë ndeshjen e fundit, ndaj Partizanit, në Korçë, ndeshje që do të vendosë për ekipin e vendit të dytë.

Pas shpalljes kampion për herë të parë në histori, në Kukës është festuar gjatë gjithë ,mbrëmjes së djeshme. Pesë vite më parë ekipi verilindor që sapo u ngjit në Superiore, si dhe tifozët nuk e kishin ëndërruar  këtë sukses historik, ndaj edhe festa ka qenë e ligjshme. Ekipi i Kukësit mësohet se ka marrë edhe premtimin për shpërblim nga presidenti Safet Gjici me një shumë të konsiderueshme për 100 mijë eurosh. Ndeshja e fundit e Kukësit do të luhet në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, por do të shërbejë sa për statistikë, apo për rekord, pasi skuadra e saposhpallur kampion e Shqipërisë nuk ka humbur asnjë nga 35 ndeshjet e këtij kampionati.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: