Kukësi në histori? Shanset, të shkurorëzojë Skënderbeun

Kukësi në histori? Shanset, të shkurorëzojë Skënderbeun
Kukësi ka avantazhin fushë dhe barazimin në favor. Skënderbeu ka përvojën, pas gjashtë titujve radhazi kampionë. Shanset për titull sipas kapitenëve të dy ekipeve, Orges Shehi dhe Rrahman Hallaçi

Nga Aranit Muraçi

Kategoria Superiore 

Java e 35-të - Të shtunën

17.30 Kukësi -Skënderbeu

17.30 Flamurtari-Laçi

17.30 Tirana-Luftëtari

17.30 Teuta - Vllaznia

Të djelën

17.30 Partizani - Korabi

Kukësi kryeson Kategorinë Superiore me 72 pikë, kur duhen edhe dy ndeshje nga mbyllja. Me 19 fitore, 15 barazime dhe asnjë humbje, Kukësi do të mjaftohet të mos thyhet këtë të shtunë, nga Skënderbeu në fushën e vet, për të prekur titullin e parë kampion në histori. Presidenti i këtij ekipi, Safet Gjici, pasi e ngjiti në Kategorinë Superiore pesë sezone më parë, ndërtoi një ekip për të fituar trofe.  Pas trofeut të Kupës së Shqipërisë që mori një sezon më parë, Kukësi kërkon të shtunën trofeun e titullit kampion, që ta kthejë qytetin verilindor në festë. Në përballjen e kaluar me Korabin, trajneri Ernest Gjoka është përpjekur që të ruajë të plotë kontingjentin e lojtarëve, për ndeshjen gati vendimtare të kësaj të shtune. E gjithë skuadra duket e motivuar maksimalisht, teksa përgatitjet intensive vijojnë, ndërsa kapiteni Rrahman Hallaçi nuk e fsheh dëshirën e madhe që ka ai dhe shokët e ekipit për fitore ndaj Skënderbeut. Do të ishte ndoshta fitorja më e bukur e karrierës së tij. – “Titullin kampion e dëshiron çdo lojtar. Besoj se kur një ekip e fiton për herë të parë titullin, është një arritje më e madhe edhe për lojtarët që kanë luajtur për një sukses të tillë,” – thotë Hallaçi për “Albanian Free Press”. Barazimi e mban Kukësin në krye dhe me shanse të mëdha të shpallet kampion në javën e fundit të garës. Një fitore e mundshme do ta shpallte matematikisht kampion ekipin e drejtuar nga Ernest Gjoka. - “Fitorja do të ishte fantastike. Ne do të luajmë për një rezultat të till. Skënderbeu është ekipi kampion në fuqi dhe rivali ynë kryesor i këtij sezoni. Do të kishte edhe vlera morale, por më kryesorja për të gjithë, është ta fitojmë trofeun dhe më pas të festojmë me tifozët.” Hallaçi është një nga lojtarët e paktë të këtij ekipi që ka lindur në Kukës ndaj edhe po e përjeton më me emocione fundin e garës.

Skënderbeu mban vendin e dytë dhe ka 71 pikë para se të udhëtojë në Kukës, me 21 fitore, 8 barazime dhe 5 humbje, por fitorja e  mundshme në Kukës, i rikthen kampionët në fuqi në vend të parë. Skënderbeu pret Partizanin në Korçë, në ndeshjen e javës së fundit, megjithatë të besuarit e Ilir Dajës janë të fokusuar nga sfida direkte me Kukësin, pasi nuk janë dorëzuar nga synimet për të fituar titullin kampion. Teksa janë duke mbyllur përgatitjet në Durrës, për “Albanian Free Press”, kapiteni Orges Shehi thotë se Skënderbeut i kanë mbetur edhe “tre finale për të luajtur dhe dy trofe për të fituar.” Përveç dy ndeshjeve të mbetura të kampionatit, ndaj Kukësit dhe Partizanit, Skënderbeu do të luajë edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës. - “Besoj se gjithçka është në dorën tonë. Ne kemi treguar këtë sezon, edhe më parë, se jemi një ekip i ndërtuar për trofe. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë.  Lilaj dhe Malaj janë të dëmtuar, ndërsa nga java e stërvitjet anti-Kukësi, trajneri Daja do të ketë në dispozicion edhe Vangjelin e Jashanicën, që hasën probleme në ndeshjen e kaluar ndaj Tiranës. Por në stërvitje pati një dëmtim sulmuesi kryesore Hamdi Salihi. Ai udhëtoi me shpejtësi drejt Beogradit, për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore, me qëllim riaftësimin në kohë. Mbetet ende e paqartë nëse do të jetë gati për sfidën më të rëndësishme të këtij sezoni, ndërkohë.

Ekipet             Kampione           Nën-kampione

Tirana                   24                           13

Dinamo                18                           9

Partizani              15                           20

Vllaznia                9                             11

Skënderbeu        7                              3

Elbasani              2                              1

Flamurtari          1                              7

Teuta                    1                              6

 

Kukësi

Kukësi gjatë pesë viteve të fundit, kur u ngjit në Kategorinë Superiore, është shpallur tre herë nën-kampion i Shqipërisë. Gjatë tërë historisë së futbollit tonë, nga ekipet që nuk e kanë fituar asnjëherë titullin kampion, Besa ishte shpallur vetëm dy herë nën-kampione e vendit, ndërsa Luftëtari i Gjirokastrës dhe Tomori i Beratit janë shpallur vetëm një herë nën-kampionë Shqipërie. Kukësi pas tre tentativave të para për titull, duket se këtë sezon është shumë pranë suksesit. Në asnjë rast tjetër, dy javë para mbylljes së garës Kukësi nuk ka qenë në krye.

Skënderbeu

Skënderbeu, gjashtë herë radhazi kampion i Shqipërisë, përbën një rekord më vete. Asnjë ekip tjetër shqiptar nuk e ka mbajtur kaq gjatë kurorën. Tirana u shpall kampione katër radhazi kur startoi kampionati shqiptar, më 1930, si dhe fitoi 4 trofe të tjerë para Luftës së Dytë Botërore. Ishte pikërisht Skënderbeu që me titullin e parë kampion që fitoi në 34’, i ndërpreu Tiranës serinë e trofeve. Ekipi juglindor do të priste gjatë, për t’u rikthyer te gjashtë titujt kampionë radhazi që ka fituar vitet e fundit.

Partizani

Partizani, ekipi i tretë më i suksesshëm i vendit me 15 tituj kampion të fituara, nuk e shijon më këtë trofe prej vitit 1994. Por si ekip nën-kampion, ose si vendi i dytë i kampionatit, Partizani është skuadra më e suksesshme e Shqipërisë. Partizani ka përfunduar plot 20 herë në vend të dytë të kampionatit tonë. Dhe ka mundësi të renditet edhe këtë sezon i dyti. Të kuqtë presin këtë javë Korabin dhe mund të përfitojnë nga përplasja direkte Kukësi-Skënderbeu. Partizani e mbyll garën në Korçë, me një përballje direkte ndaj Skënderbeut.

(Fotot marrë nga fotot zyrtare të klubeve, Kukësi feston trofeun e vetëm të Kupës së Shqipërisë (kryesore), Kukësi në stërvitje, Orges Shehi gjatë një ndeshjeje me Skënderbeun, Hallaçi dhe Pejiç pas një fitoreje, trofetë e Skënderbeut si dhe nga seanca e fundit e Partizanit)

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: