Kush po jep sot llogari për efektet e krizës në ekonomi?

Kush po jep sot llogari për efektet e krizës në ekonomi?
                                                                                        Përtej Lajmit

Eglantina Nasi

Ata shtrënguan duart, miratuan ministrat e rinj e bashkë me ta, edhe “teknikën” e re qeverisëse. Kriza politike duket se mori fund. Po për atë ekonomike, kush kujtohet sot? Kush do t’i përgjigjet biznesit për pasojat negative që aktiviteti i tij pati pikërisht gjatë muajve kur njëra palë e politikës gjendej nën një çadër, kurse tjetra nuk tërhiqej nga qëndrimet e saj? Ndërkohë që kamionët me mallra vazhdonin ecjet e tyre lart e poshtë në rrugët e këtij vendi, apo ditët e pagave të punëtorëve vinin sërish... Askush nuk dukej se e kishte fort mendjen tek kostot me të cilat ai përballet çdo ditë, teksa mban me bukë mijëra familje shqiptare. Apo teksa derdh miliona euro në arkën e buxhetit të shtetit, përmes të cilave, ky i fundit zgjidh shumë e shumë halle të vetat. Po për hallet e biznesit, kush pyet? Për krizat e të cilit, duket se nuk ka asnjëherë ndonjë marrëveshje që mund t’i zgjidhë në mënyrë përfundimtare e të ketë ndonjë “teknikë” të re menaxhuese?

Ah, po. Të mos jemi edhe kaq cinikë. Disa ditë para se të arrihej marrëveshja “Big Mac”, politika nisi të shfaqej në ekranet televizive duke u kujtuar të fliste për ekonominë. Pikërisht për argumentin sesi kriza e instrumentalizuar prej saj na paskësh ndikim negativ tek biznesi dhe financat e vendit në tërësi. Secila palë mori përsipër të jepte argumentat e saj rreth tyre, duke pranuar se kjo krizë vërtet kishte prodhuar efekte anti-ekonomi dhe anti-biznes. Por vetëm kaq. Dhe deri këtu. Sepse që nga mbrëmja e ekzaltuar politike të 18 majiy, duket që gjithçka u harrua. Askush nuk u kujtua më çuditërisht për të folur mbi argumentin e lidhjes së ekonomisë me krizën politike si të tillë. Duke e detyruar biznesin që dje të dalë vetë para mediave dhe t’i thotë politikës: Mjaft! Duke e bërë kështu kategorinë e cila punon, prodhon, por edhe vuan e sakrifikon, që t’i kërkojë asaj në mënyrë publike stabilitet dhe garanci permanente. Sepse kamionët me mallra do të duhet të vazhdojnë sërish ecjet e tyre lart e poshtë në rrugët e këtij vendi dhe ditët e pagave të punëtorëve do të vijnë sërish...

***

Kriza, biznesi politikës: Na garantoni stabilitet!

Për katër muaj me radhë, bllokimi i dialogut politik dhe bojkoti parlamentar, krijoi një situatë vërtet shqetësuese për sipërmarrjen shqiptare. Një fakt i tillë u bë dje me dije nga vetë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, sipas së cilës, situata e rënduar politike në vend, patjetër që ka patur edhe ndikimin e saj në sferën e biznesit privat. “Vazhdimisht kemi kërkuar zhbllokimin e kësaj situate, pasi çmojmë se është nevojë e domosdoshme garantimi i stabilitet politik e që në mënyrë të drejtpërdrejtë çon dhe rritje të indikatorëve ekonomik”, deklaroi pikërisht lidhur me një situatë të tillë, përfaqësuesi i këtij institucioni të njohur të biznesit në vend, Arben Shkodra. Duke shtuar më tej se në këto 27 vitet e fundit, sipërmarrja shqiptare ka qenë konsumuese e rregullt e krizave politike në vend. E në kuadër të tyre, ajo ka pësuar vazhdimisht rënie dhe dobësim të kapaciteteve të saj, duke mbetur kështu larg konsolidimit dhe standardizimit për të qenë konkurruese në rajon. “Vëmendja e politikës shqiptare për sipërmarrjen ka qenë e pamjaftueshme dhe këtë fakt e shohim vazhdimisht, jo vetëm gjatë fushatave elektorale por edhe gjatë ushtrimit të një mandati qeverisës. Ka munguar pothuajse krejtësisht dëshira për t’u konsultuar për politikat publike të lidhura me prodhimin, tregun, konkurrueshmërinë dhe klimën e të bërit biznes”, theksoi gjithashtu përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Duke apeluar publikisht që politika vendase t’i kthejë sytë tek ekonomia si e tillë dhe biznesi në veçanti, duke i dhënë atij rëndësinë që meriton. “Ne u kërkojmë forcave politike të kthejnë vëmendjen tek ekonomia dhe tek sipërmarrja private, për të filluar menjëherë komunikimin e dialogun konstruktiv, me qëllim që kërkesat dhe rekomandimet tona të bëhen pjese e axhendave të tyre ekonomike. Përpara kemi sfida të mëdha për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian dhe sipërmarrja private ka një rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në këtë proces”, tha nënkryetari i DHTI-së së Tiranës. Ndërsa i pyetur mbi koston e shkaktuar nga kriza politike e muajve të fundit tek sipërmarrja private, ai tha se ende nuk mund të ketë një shifër konkrete rreth kësaj, por kjo kjo do të duket më qartë në 6-mujorin e dytë të vitit.

APELI

“Qeveritë të ulen e të diskutojnë me ne”

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranë i ka ftuar dje publikisht ta gjithë forcat politike në vend për të bashkë-organizuar tryeza apo forume konsultimi, mbi çështjet e lidhura me ekonominë. Duke apeluar kësisoj që politika shqiptare të dëgjojë me vëmendje çdo shqetësim dhe problematikë të ngritur prej sipërmarrjes private, për të garantuar kështu që ekonomia të rrisë performancën e saj. “Jemi të gatshëm, të trokasim në dyert e çdo partie politike parlamentare, pasi sipërmarrja private ka interes që të kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme, të jemi një ekonomi konkurruese në rajon dhe të garantojmë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Sipërmarrja ka interes të ulet dhe të diskutojë me qeverinë për uljen e taksave, siç mund të jetë ajo progresive, të paktën në ato nivele që nuk cënohet stabiliteti i financave publike”, tha nënkryetari i DHTI-së.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: