Maqedoni, Ivanov pranon ta mandatojë Zaevin, por me një "kusht"

Maqedoni, Ivanov pranon ta mandatojë Zaevin, por me një "kusht"
Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov pas takimit me diplomatin amerikan Hojt Jin në një komunikatë për mediat ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara ndihmë në tejkalimin e pengesave për t’i dhënë mandatin shumicës së re parlamentare.

“Në takimin midis Ji dhe Ivanovit është biseduar për situatën e re të krijuar politike dhe mundësitë për tejkalimin e së njëjtës në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Maqedonisë”– thuhet në kumtesën e presidencës.

Presidenti në këtë komunikatë e dënoi për herë të parë dhunën në Kuvend mbrëmjen e së enjtes, duke kërkuar zgjidhjet të kërkohen nëpërmjet dialogut. Ai gjithashtu në këtë komunikatë ka theksuar

“Përderisa ekziston lidership i vërtetë nga ana e kryetarëve të partive parlamentare pengesat juridike dhe politike për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re mund të tejkalohen”. “Presidenti Ivanov kërkoi nga SHBA-të si partner strategjik i Maqedonisë të ndihmojë që pengesat të tejkalohen dhe të mundësohet që shumica parlamentare të marrë mandatin”– ka thënë Ivanov.

Presidenti Ivanov kërkoi nga lideri i LSDM-së që të mbajë fjalën e dhënë se bashkë me partnerët e koalicionit do të vijnë dhe do të sigurojnë garanci për forcimin e karakterit unitar të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë.

Ivanov ka thënë se Platforma e Tiranës nuk mund të jetë kusht e aq më pak për formimin e Qeverisë në Maqedoni. Në fund Ivanov i ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të përmbajtur për shkak se ekzistojnë zgjidhje të cilat duhet të merren përmes dialogut dhe maturisë. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: