MAS publikon skemën e re të pranimeve në universitete

MAS publikon skemën e re të pranimeve në universitete
Referuar edhe sugjerimeve të shkollave të larta, procesi është përmirësuar këtë vit. Do të ketë vetëm dy raunde regjistrimesh, secila me faza të veçanta për lëvizjen e listës dhe vijës së kuqe. Procesi i regjistrimeve do të fillojë më 29 gusht

Sonila Isaku

Pas problematikave të shfaqura një vit më parë, në lidhje me skemën e pranimeve në universitet, ku shumë studentë u penalizuan duke mos fituar degët që kërkonin, Ministria e Arsimit, nëpërmjet udhëzimi të ri, ka vendosur të lehtësoje këto procedura. Para largimit nga Ministria e Arsimit, Lindita Nikolla ka firmosur vendime të rëndësishme për arsimin e lartë dhe atë të mesëm, duke miratuar skemën e re të pranimeve në universitete. Referuar edhe sugjerimeve të shkollave të larta, procesi është përmirësuar këtë vit. Do të ketë vetëm dy raunde regjistrimesh, secila me faza të veçanta për lëvizjen e listës dhe vijës së kuqe.

Ndryshimet

Për 2017-n janë parashikuar vetëm dy raunde dhe janë shkurtuar afatet ndërmjet tyre. “Ky regjistrim do të bëhet brenda një raundi që ndryshe nga viti i kaluar, do të pasohet nga disa faza. Janë 7 të tilla, 48-orëshe, që do të thotë se kur aplikanti është shpallur fitues, mund të shkojë pranë sekretarisë mësimore dhe të bëjë regjistrimin”, - sqaron drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi. Kjo e fundit ka sqaruar se maturantët do t’i nënshtrohen procesit të aplikimit nga data 20-29 korrik, ndërsa regjistrimi i tyre do të nisë në fund të muajit gusht. “I gjithë procesi i regjistrimeve, do të fillojë me 29 gusht. Në momentin kur aplikanti është shpallur fitues, - duke parë edhe pozicionin e tij në portal, shënuar me ngjyrën jeshile, - menjëherë dhe sigurisht, sipas vullnetit, mund të shkojë pranë sekretarisë mësimore me dokumentacionin përkatës, të bëjë regjistrimi e duhur. Për këtë ka një afat vetëm 48 orë”. Raundi i parë do të zgjasë 14 ditë, e më pas panorama e plotë për vendet boshe, do të krijojë mundësinë për vijimin e fazave të tjera. Këtë vit, ndryshe nga i kaluari, fituesve do t’u jepet mundësia të çregjistrohen për të zgjedhur programin e studimit që preferojnë më shumë. “Është e drejta e tyre që ata të kryejnë një çregjistrim. Do shumë kujdes ky proces dhe e kupton që ka goxha shanse në një program tjetër, atëherë duhet të kryeje procesin e çregjistrimit, pasi nuk lejohet të jetë në dy programe studimi dhe më pas të presë raundin e dytë që të kryejë regjistrimin”, - shtoi drejtoresha e AKP-së. Procesi i pranimeve në shkollat e larta, parashikohet të ketë përfunduar para nisjes së vitit të ri akademik në 16 tetor.

Pranimet

Por çfarë parashikojnë ndryshimet e kritereve të pranimeve tek studentët e rinj? Ky shembull i dhënë më poshtë, tregon mënyrën e pranimit të maturantëve në universitete. Nëse maturanti në formularin A1, ka renditur degët farmaci, ekonomik, juridik, kimi e përgjithshme etj., deri në 10 preferenca. Në rastin kur fituesi i fundit në farmaci, është me 5331 pikë dhe maturanti ka marrë 5300 pikë, ai gjatë raundit të parë nuk mund renditet si fitues në farmaci, por me pikët e marra ai mund të jetë fitues në një prej degëve të Fakultetit Ekonomik. Në këtë rast, maturanti regjistrohet në degët e ekonomikut. Sipas udhëzimit të vitit të kaluar, ky maturant përfundimisht do të vazhdojë ekonomikun dhe nuk ka asnjë mundësi të ndryshimit të degës. Por me kriteret e reja që priten të dalin nga MAS, pas miratimit të udhëzimit për pranimet në universitete, nëse në fakultetin ekonomik do të ketë vende bosh dhe lista e pranimit zbret nën 5300 pikë, maturanti i përzgjedhur në shembull ka të drejtë të çregjistrohet nga ekonomiku dhe të shkojë të regjistrohet në farmaci të cilën e ka edhe preferencën e tij të parë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: