“Më i miri i ndeshjes!”...Viktor Kassai apo Enea Jorgji?

“Më i miri i ndeshjes!”...Viktor Kassai apo Enea Jorgji?
Nga Aranit Muraçi

Kukësi u shpall kampion për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, duke i dhënë fund mbretërisë prej gjashtë sezonesh radhazi të Skënderbeut. Trofeu i titullit kampion nga Korça përfundoi këtë sezon në Kukës, por si gjithnjë, kur ka rivalitet, ka më tepër polemika. “Fituesit nuk gjykohen,” thuhet shpesh në botën e futbollit. Por gjykimi duhet gjykuar! Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka falë fitores 2-0 që siguroi në ndeshjen direkte me Skënderbeun, në javën e parafundit të këtij kampionati, mbylli një sezon historik.

Pa asnjë humbje në 35 javë, pavarësisht polemikave mbi gjykimin, Kukësi u shpall matematikisht kampion. Por a ka ndikuar gjykimi në tërë këtë ecuri të Kukësit, që u shpall kampion duhet shtruar çështja, jo gjykimi i Enea Jorgjit! Kur mbetet edhe një javë nga mbyllja, sesa e meritoi Kukësi titullin kampion pas ndeshjen direkte me Skënderbeun, këtë është mirë ta diskutojnë klubet në FSHF, por pas këtij sezoni, me qëllim që të nxjerrin përgjegjësitë dhe të ndreqin diçka për edicionin e ri.

 

Ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, e kishte një përgjigje, për gjykimin e ndeshjes Kukësi-Skënderbeu. Sipas tij, gjyqtari Jorgji vendosi po aq sa vendosi gjykimi mbi fatet e titullit kampion të Skënderbeut, në vitin 2010, kur rivalizoi me Flamurtarin. Enea Jorgji është gjyqtar i FIFA-s që prej vitit 2012, si dhe një ndër gjyqtarët më të mirë që ka Shqipëria sot. Jorgji është pjesë e këtij sistemi gjyqtarësh që ka Shqipëria dhe nuk ka sesi të mbetet jashtë sistemit as ai dhe askush tjetër. Mund të ketë gabuar pa dashje, siç ndodh kudo në botë. Ka gabuar me dashje dhe ishte ai që vendosi fatet e takimit, kjo duhet provuar, sikurse duhen provuar edhe rastet e tjera. Rastet janë plot, sepse klubet në fakt i blejnë gjyqtarët e futbollit dhe e kundërta nuk është e vërtetë: nuk janë gjyqtarët, që i blejnë klubet. Askush nuk di të thotë se cili është ai klub i futbollit shqiptar, në Superiore apo edhe kategoritë e tjera, që mund të jetë i pastër në garë, apo ka mbetur jashtë skemës së ndërhyrjes së gjykimit.

Shembulli mbi diferencën e gjykimit të klubeve tona dhe atyre europiane vjen nga gjykimi i ndeshjes së kthimit çerekfinale të UEFA Champions League. Të gjithë e panë kualifikimin në gjysmëfinale të Real Madrid, që shkoi edhe në finale dhe mund të fitojë trofeun e 12-të Champions më 3 qershor. Bayern nuk ishte aspak i lumtur me gjyqtarin Viktor Kassai, i cili gjykoi ndeshjen e kthimit çerekfinale të UEFA Champions League, ndaj Real Madrid. Bayern Munich e përshkroi gjyqtarin Kassai si lojtarin më të mirë të Realit dhe të ndeshjes së zhvilluar në Madrid. Real fitoi  4-2, pas kohës shtesë, dhe shkoi në gjysmëfinale, por dy gola të Ronaldos u konsideruan në pozicion jashtë loje si dhe po ashtu vendimtar ishte dalja e Vidal me karton të kuq, vendim që u kontestua fuqishëm. Opinioni sportiv botëror e konsideroi gjithashtu gjykimin e Kassai, gati vendimtar për kualifikimin e Real Madrid.

Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut ashtu si klubi i Bayern, e cilësoi gjyqtarin Enea Jorgji njësoj, si lojtarin më të mirë të ndeshjes, ndaj Kukësit.

Kush gaboi më shumë, Kassai apo Jorgji? Ndryshimi nuk janë emrat, por sistemi, mbi gjykimin dhe paragjykimin në Shqipëri. Emra të veçantë gjyqtarësh janë problem edhe në kampionate të zhvilluara si Spanjë, Itali, Angli apo Gjermani, po ashtu edhe në kompeticione si Champions League, ku sistemi funksionon. Ajo që dihet me siguri në Shqipëri është se kur nisi karrierën e gjykimit, Enea Jorgji nuk e gjeti më të mirë se sa është aktualisht sistemin e gjykimit. E kemi akoma më keq sistemin gjyqësor, atë larg fushave të blerta, për të cilin partnerët tanë ndërkombëtarë kërkojnë me ngulm realizimin e procesit të Vetting-ut. Pritet të zhbllokohet sot në Kuvend, pas shumë kohë tensionesh politike ky proces. Paralelisht duhet përmirësuar edhe sistemi i gjykimit në futboll.

Foto, Enea Jorgji, në ndeshjen Kukësi-Skënderbeu dhe Viktor Kassai, në ndeshjen Real Madrid-Bayern Munih, (kryesore) Ronaldo duke festuar kualifikimin ndaj Bayern edhe pse me dy gola në pozicion jashtë loje.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: