“MË MIRË NJË MARRËVESHJE “PA NDER”, SESA “NJË KONFLIKT I MORALSHËM” – NGA APOLLON BAÇE

“MË MIRË NJË MARRËVESHJE “PA NDER”, SESA “NJË KONFLIKT I MORALSHËM” – NGA APOLLON BAÇE

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nga Apollon Baçe

  1. Pandeli Majko, ndoshta më vetvetja nga tërë të majtët, e përkufizon atmosferën e sotme me humor irlandez, si “shfaqje groteske të frikës si trimëri”. Çka e çon drejt një sentence që do t’i bënte nder edhe Makiavelit: “Më mirë një marrëveshje pa nder, sesa një konflikt i moralshëm”. Këto ai i shoqëron edhe me foton e instrumentit më të dashur shqiptar, të një ASH 78, d.m.th., Kallashnikovi poliçanas, të shoqëruar edhe me fishekët përkatës të kalibrit 7.62 mm.

Një aludim i qartë ky për luftën thuaj civile të ’97 (të cilën e pengoi të kthehet në luftë civile misioni “Alba” me 7000 ushtarë dhe rreth 1 miliard dollarë). Një fantazmë e frikshme kjo, pasi numri i të vrarëve të ’97 është 2400 (3800 sipas Wikipedia-s), që, e kthyer në përqindje, është paksa më e madhe se tërë të vrarët amerikanë në Kore, Vietnam, Afganistan dhe Irak së bashku.

Vërtet po ecim me hap rreshtor drejt ’97, apo po ndjekim shfaqjet e një teatri absurd, ku palët e grindura i përzënë me potere ata që hynë në mes për t’i ndarë dhe, kur u larguan ata që hynë për t’i ndarë, kërkuan shpejt e shpejt dikë që t’i ndalonte të rriheshin. “Shahen e bien copë nga dritaret dhe pragu i portave”, - shkruan Kadareja për “Sokakun e të Marrëve”, “por ata që rriheshin pa hile, ishin vetëm evgjitët”.

Si e tillë, pyetja është: organizimi nga Nishani i tryezës së rrumbullakët Rama/Basha, është thjesht një nismë e ish-presidentit apo e ish-kryeministrit? “Berisha nuk foli asnjë fjalë në mbledhjen e grupit” tha gazetarja e Klanit. Por ajo shtoi edhe se Berisha me Bashën kishin diskutuar tête à tête, kokë në kokë, për nja dy orë të mira.

“Edhe unë jam i shqetësuar për përmasat që po merr kriza e PD-së. Jam gati t’i përgjigjem thirrjes suaj, kaq të vonuar”, - u përgjigj me humor grip, Rama i cili vërtet nuk do të humbasë asnjë pikë, para shqotës luftarake të PS-së, por kërkoi dhe që takimi të bëhej menjëherë, sado që të ishte ora. “Teatri në ekran” quhej dikur një emision televiziv me skeçe, drama dhe komedi.

“Biseda zgjati mbi 3 orë”, raporton media: Basha kërkoi qeveri teknike, por Rama tha jo dhe Rama kërkoi të votohet vettingu, por Basha tha jo. Shkurt, “hoj broj, po isoj”. Por a ka sens logjik që “dialogu “duam qeveri teknike/s’ka qeveri teknike, duam vetting/ s’ka vetting” të zgjaste mbi tre orë? Gjithmonë bazuar në rregulloren e “kungulleshkës”: “Kam një kungulleshë e ndaj në x pjesë. Pse pesë? Po sa? Y. Pse y? Po sa? X. Pse x? Po sa...”. Dhe jo vetëm kaq, duke bërë të ditur edhe se diskutimi do vazhdojë. Shkurt “hajde pra, na ndani”.

“Ata kërkojnë kokën time”, - ka thënë Rama i cili, pa dyshim, kokën e do mbi supe dhe të paprekur. Jo si dikur kur shemra i theu në kokë llozin e hekurt. Si e tillë loja është kthyer në një lojë personale inatesh dhe frikash, pa u ngritur dot mbi to, si Nano i cili pas 4 vjetëve dënimi absurd nga Berisha, i dhuroi Berishës një tufë trëndafilash blu.

  1. Që të eksplodojë një bombë a revoltë, duhet plasësi, përkatësisht kapsollat militante, dhe mbushja, motivimi i turmës. Padyshim që Rama, në këto 4 vite, ka bërë shumë për armiqësimin e turmës. Qeverisja e tij është beter sa s’ka, por krahasuar me kë? Vitet e Berishës edhe nëse kanë qenë më pak beter, nuk do të thotë aspak se janë ekselentë edhe me pak si dhunë, edhe me pak si nepotizëm edhe me pak si piramida. “Kush shikon mbrapa, mbrapa shkon”, - thotë i fundmi i politikanëve me kod, Dashamir Shehi. “Berishën e gjykoj si një grafik, i cili ka një ngjitje, ka një rënie dhe mbaron. Ka një cikël të caktuar në politikë. Zoti Basha mund ta tërheqë karrocën e PD-së edhe pa Berishën, ... Nëse nuk hyn me modelin tënd, me idetë e tua apo me fytyra të reja, nuk ke sjellë rinovim.” Kjo mos shkëputje është dhe haraçi real që po paguan PD-ja, ndërkohë që politikanët e saj si Boçi a Bylykbashi, Ristani a Halimi, janë të një kualiteti absolutisht superior ndaj Ballave a Braçeve, Sadri Abazëve a Doshëve. Ndërkohë mungon atmosfera e pakënaqësisë masive e cila fshin si ortek çdo gjë, si në ’92, kur PS në pushtet fitoi vetëm 25% të votave dhe PD në opozitë, mori 62%. Qoftë dhe’97, kur PS fitoi 53% dhe PD 26% të votave. “I vodhën votat, as që më bëhet vonë, të tyret janë. Tashti më kanë vjedhur lekët e kalamajve dhe këtë nuk ia fal”, - më pati shpjeguar në ’97, pjesëmarrjen në protestë këpucari mballomaxhi. Ky po që është motiv. Nuk janë motive kushtrimet e Sekretarit për Aksion, Salijanji: “Fundi i republikës së vjetër ka ardhur. Frika ndihet kudo. E vërtetojnë kambanat që bien nga çdo portë. Në 7 maj, do të këmbojnë kambanat e triumfit…” (se nga i gjejnë këta individë). As dhe Republika e Re e Bashës. “Askush nuk ma mbush mendjen, vetëm për veten mendojnë” më shpjegon shoferi i taksisë. “Vota ime bën 20 euro. Kur nuk më hyn në punë, pse mos ta shes?”.

Padyshim që deri socialdemokratët e Tom Doshit, i gjejnë nja 200 “militantë” për të tundur flamurë dhe rrëmbyer hunj. Një numër thuajse magjik ky: Dyqind fashistët e Marshimit mbi Romë, 200 “petritët” themelues të PPSH, 200 edhe “mish për topët” e 21 janarit, të karakterizuar preras nga presidenti Meta si “banditë, kriminelë, kokëpalarë dhe të droguar të Edi Ramës i cili zëvendësoi Partinë Socialiste me krimin e organizuar dhe ordiner që ndyu dhe gjakosi Tiranën”.

Dhe për ta mbyllur, dhëntë e mira të gjejnë një allishverish, siç e kanë gjetur edhe herëve të tjera, dhe të mos kalohet në provën gjenerale të Kavajës. Ku askush nuk e di se çdo bëhet, as ata që organizojnë, as të organizuarit. Nuk do të prekim asnjë fije bari dhe nuk do të lejojmë të zhvillohen zgjedhjet, ngjasin me njëra-tjetrën, duke huazuar fjalinë e Shvejkut, sa “fandi spathi me vajin e recinit”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: