MË MIRË PO MERREM ME PUNËN TËNDE!! - NGA ROVENA DILO

MË MIRË PO MERREM ME PUNËN TËNDE!! - NGA ROVENA DILO
- Zakon shqiptar-

Nga ROVENA DILO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një mik i vjetër dhe i këndshëm, tregon një proverb në formën e një fabule: Njeriu mban dy thasë, njërin të ngarkuar në kurriz dhe tjetrin përpara. Ky i kurrizit është thesi i halleve personale dhe si për çdo njeri të gjallë, është i mbushur plot dhe çdo ditë që kalon rëndohet edhe më tepër. Ky përpara është thesi i halleve të njerëzve të tjerë.

Ç'bën njeriu, në vend që të merret me hallet e veta se mos zgjidh ndonjë dhe lehtëson edhe peshën e thesit, rri dhe merret me punët e të tjerëve dhe vështirëson edhe më jetën e tij.

Imagjinoni shqiptarin tani. Kurioziteti që ka për thesin përpara, ia heq nga mendja lodhjen që i sjell thesi më i rëndë që ka të varur supeve.

Jetojmë në një vend ku njerëzit motivohen nga punët e te tjerëve, dikush mund të thotë nxiten nga ato që bën tjetri.

E pra, këtu tek ne njerëzit jetojnë për t’u marrë me punën e të tjerëve, për të mos thënë, kënaqen duke u marrë me punët e të tjerëve.

Pëshpëritin pas krahëve të njëri –tjetrit lloj-lloj gjërash, të vërteta dhe të pavërteta. Gjithmonë e më shpesh, kjo bëhet për t’i zënë vendin e punës, për të eliminuar konkurrentin, për t’u ngjitur në karrierë.  Duke futur hundët në jetën e dikujt, thashethemexhinjtë fillojnë i mësojnë edhe dobësitë dhe i përdorin për t’i krijuar vetes përparësi.

Hamendësojnë, sajojnë dhe shpifin. E kjo rutinë e kobshme e këtij lloj mileti, nuk bën gjë tjetër veçse të lë mbrapa.

Nuk di të ketë njeri qe ecën përpara, duke parë anash a përqark. Ja që tek ne, ecet edhe kështu.

Është bërë mënyrë jetese.

Stil më të neveritshëm, zor se gjen.

Gjithkush në fakt, ankohet për këtë bezdi të madhe, madje edhe më dallaveraxhinjtë.

Edhe ata që e kanë natyrë të dytë, edhe ata që nuk i zë gjumi se ç’bën tjetri, pse e bën, kur e bën. Edhe këta kur lodhen, se hallet e botës edhe të lodhin, se të lodhin kokën jo për gjë, mallkojnë e shajnë këtë ves të keq, vesin e përgojimit.

Shqipëria është kaq vend i vogël, të shash të njohurit e tu është sikur ke sharë veten. Imagjinoni, ti largohesh dhe menjëherë ata njerëzit, sa më të afërt aq më e madhe mundësia për tu përfolur, pa kthyer mirë krahët kanë filluar përgojimin.

Shajnë tjetrin dhe ndjehen më mirë vete. Shpesh e mendoj dhe gjithmonë arrij në të njëjtin përfundim, se ata, thashethemexhinjtë, ndihen më të lumtur e më të realizuar, sa më keq flasin për tjetrin.

Madje edhe kjo mania për tu përgjigjur nëpër portale gjoja sikur je duke komentuar, është një thashethem i madh. Ku janë këta burra e gra që shajnë, pra, përgojojnë, shkruesin, portalin, që bëjnë biografitë e njërit dhe të tjetrit, ku janë kur, realisht, vendi ka patur nevojë. Ku është ky popull që bëhet trim nën emra Facebooku dhe ul bishtin kur i vjedhin pronat, minierat, energjinë, bankat, arin... Pra, edhe në debatin më të madh, në atë online, ku duket bashkëbisedimi i një populli edhe aty përgojohet, të kishte një frymë argumenti, do të ishte shumë bukur. Por jo, fyerja që është një mënyrë për të dhunuar jetën e tjetrit është në "majë të penës". Ndoshta jemi një popull që dimë vetëm këtë mënyrë komunikimi.

E pra, ky është thashethemexhiu.

Ai që flet fshehtas dhe nuk ka trimëri të dalë përpara. Prandaj, populli ynë "trim" është një popull që i pëlqen thjesht të merret me fjalë dhe të shajë, sepse besomëni, kjo është gjëja më e lehtë për t’u bërë dhe vesi më i pakontrollueshëm!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: