Më pak kredi me probleme, të humburat u fshinë nga bilancet

Më pak kredi me probleme, të  humburat u fshinë nga bilancet
Ndërsa miliarda lekë kredi të cilësuara me “zero” shanse për kthimin e tyre janë fshirë nga bilancet, duket se bankat tashmë janë fokusuar në një mbledhje intensive të kredive me probleme, duke shkaktuar kështu rënien e vazhdueshme të tyre. Kjo i bashkëngjitet edhe dukurisë së një rritje të nivelit të shlyerjes së kredive nga ana e klientëve

 ***

Bankat në Shqipëri po përballen më pak se dikur me rrezikun e moskthimit të një kredie. Dhe kjo, pasi tashmë i kanë fshirë nga bilancet ato që konsideroheshin prej vitesh si “kredi të humbura”, duke bërë kështu që vëmendja e tyre të drejtohet vetëm tek mbledhja e kredive ekzistuese.

Një dukuri e tillë konfirmohet nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës vetëm në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, nga bilancet e bankave janë fshirë plot 6.7 miliardë lekë kredi të humbura, ndërsa gjatë gjithë vitit 12.6 miliardë lekë të tilla.

“Gjithsej në dy vite, janë fshirë 39.3 miliardë lekë kredi të humbura”, sqarojnë gjithashtu ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në raportin e Stabilitetit Financiar. Ku të tilla konsiderohen pikërisht ato për të cilat bankat kanë humbur çdo shpresë se mund t’u kthehen ndonjë ditë. Duke risjellë në vëmendje faktin se duke filluar nga janari i vitit 2015, bankat u detyruan të pastronin bilancet nga kreditë që cilësoheshin si "të humbura" për më shumë se tre vjet.

“Në fund të vitit 2016, raporti i kredive me probleme shënoi nivelin prej 18.3%, duke u ngushtuar me -1.7% ndaj nivelit në qershor 2016”, citojnë më tej ekspertët e BSH-së, duke konfirmuar kështu trendin e rënies së kredive me probleme në rang vendi. E duke detajuar më tej edhe faktorët që kanë ndikuar në ecurinë pozitive të saj, të tilla si shlyerjet nga ana e klientëve, por në të njëjtën kohë edhe ristrukturimet e kredive si të tilla, përveç atyre që janë fshirë nga bilancet njëherë e mirë sepse nuk mund të ktheheshin më kurrë. Më tej, Banka e Shqipërisë referon faktin se në fund të vitit të kaluar, në tërësinë e saj, teprica e kredisë me probleme është ngushtuar me nivelin prej -8%, në nivelin e 109.7 miliardë lekëve, duke u reflektuar sërish uljen e raportit të kredive me probleme. “Rritja e kredisë së mbledhur për klasat e para të klasifikimit ‘me probleme’, kanë ndikuar në tkurrjen e këtij stoku”, sqarojnë gjithashtu ekspertët e BSH-së.

Për të përfunduar me faktin se “në përmirësimin e cilësisë së kredisë, kontributin kryesor e kanë dhënë bankat e mesme, të cilat së bashku zënë 31% të tepricës së kredive me probleme”. “Kreditë me probleme për këtë grup bankash u ngushtuan me nivelin prej 21.2%, ndërsa raporti i kredive me probleme

ra me nivelin prej -4.7%, në nivelin 18.2%. Kurse nivelin më të ulët të raportit të kredive me probleme e raportojnë bankat e mëdha me 17.7%, ndërsa bankat e vogla mbartin nivelin më të lartë të tyre, prej rreth 26.6%”, konkludojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë rreth dukurisë sesi ka avancuar ecuria e kredive me probleme.

DUKURIA

Kreditë që s’kthehen më shumë, janë ato në Lekë

Kreditë që s’kthehen më shumë pranë bankave, rezultojnë se janë ato në monedhën vendase, Leku. Ndërsa ato që kthehen duke i respektuar afatet kohore, janë pikërisht ato në monedhë të huaj, qoftë kjo Euro apo Dollar. Një fakt i tillë konfirmohet sërish nga Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, “cilësia e kredisë së pambrojtur në valutë shfaq përmirësim të vazhdueshëm, që prej fillimit të vitit 2015”. “Raporti i kredive me probleme për kredinë e pambrojtur në valutë ra në nivelin prej 19.3%, 3.6% më i ulët së niveli i muajit qershor 2016”, saktësojnë ekspertët e BSH-së lidhur me një dukuri të tillë.

RAPORTI

“Pasuria e paluajtshme”, kolateral jo aq i sigurt

“Pasuria e paluajtshme” si e tillë, duket se nuk është kolaterali që po i mbulon më mirë kreditë me probleme. Edhe pse në pamje të parë, ato duhej të ishin të tilla, të tilla pasuri nuk është se po paraqesin ndonjë ndikim në shtimin e shlyerjes së kredive me probleme. Kjo konfirmohet nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilëve, kredia e kolateralizuar me “cash” raporton përmirësimin më të shpejtë të cilësisë së kredisë. E thënë ndryshe, kreditë për të cilat klienti ka vënë si garanci një shumë të caktuar parash, paraqesin më shumë shanse për t’u shlyer prej tyre, kundrejt atyre për të cilat si garanci është vënë në një shtëpi apo dyqan. “Kreditë e kolateralizuara me pasuri të paluajtshme edhe pse raportojnë përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së kredisë, vijojnë të shfaqin nivelin më të lartë të raportit të kredive me probleme prej rreth 22.2%”, saktësojnë ekspertët e BSH-së lidhur me këtë dukuri.

 

KRAHASIMI

Kredia pa kolateral, trend më të lartë të moskthimit

Kreditë për të cilat qytetarët shqiptarë duket se nuk janë të predispozuar për t’ua kthyer bankave, janë pikërisht ato për të cilat ata nuk kanë vënë asnjë kolateral. E thënë ndryshe, duke mos vënë si garanci as ndonjë pasuri të paluajtshme dhe as ndonjë vlerë parash në “cash” ata nuk “vrapojnë” drejt tyre për të paguar këstin e radhës së kredisë. Një dukuri e tillë pohohet nga Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, “kredia e pakolateralizuar, raporton zgjerim të raportit të kredive me probleme gjatë vitit të kaluar, me 1.5%, duke arritur në nivelin 19.8%”. Më tej, ekspertët e BSH-së vënë në dukje faktin se kjo lloj kredie përbën 29% të totalit të kredisë si e tillë. “Përdorimi i lartë i pasurive të paluajtshme si kolateral për sigurimin e kredisë, ruan varësinë e sektorit ndaj nevojës për funksionim efiçent të këtij tregu dhe funksionimin sa më të mirë të procesit ligjor për ekzekutimin e detyrimit (kolateralit)”, thonë ata.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: