Më pak para’ cash, shqiptarët përdorin masivisht kartat

Më pak para’ cash, shqiptarët përdorin masivisht kartat
Më pak pagesa me lekë në dorë, ose siç i quajmë ndryshe “cash”. Tani shqiptarët po mësohen që t’i kryejnë shumicën e tyre përmes kartave. Kjo dukuri konfirmohet nga vetë Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit, sipas të cilit, rezulton se ka një rritje gjithmonë e më të shumtë të kartave elektronike, qofshin këto të debitit apo edhe të kreditit, me të cilat individët po preferojnë të kryejnë blerje, apo të realizojnë pagesa të ndryshme. “Gjatë vitit 2016, vihet re një rritje me 5.5% e emëtimit të kartave të debitit dhe me 5.9% e kartave të kreditit”, citon institucioni qendror bankar në vend, lidhur me një dukuri të tillë. Duke vërtetuar kësisoj lidhjen gjithmonë e më të shumtë që shqiptarët kanë nisur të kenë me teknologjinë si të tillë, teksa bankat kanë shtuar kapacitetet e ofrimit të kartave, referuar kërkesave të tyre. Shtuar kësaj edhe faktin tjetër se në Shqipëri në fund të vitit të kaluar rezultonin 14 banka të licencuara si emëtuese kartash, 9 nga të cilat janë të licencuara edhe si pranuese kartash, duke pasqyruar rritje me 1 bankë krahasuar me vitin pararendës, 2015 (nga 16 të tilla që operojnë në total në sistemin bankar në vendin tonë). “Gjithashtu, në vitin 2016 ushtrojnë aktivitetin e tyre në treg edhe dy institucione të parasë elektronike”, shton më tej Banka e Shqipërisë. Për të argumentuar më tej se nga ana tjetër, prezantimi në treg i kartave me funksion paraje elektronike, ka paraqitur ritme të shpejta rritëse gjatë vitit. “Nga përdorimi i kartave bankare në terminalet ATM dhe POS, rezulton se peshën kryesore të transaksioneve të procesuara me karta e zënë tërheqjet cash nga ATM-të, tregues ky i një ekonomie ende me përdorim të lartë të cash-it”, është një tjetër argument që japin ekspertët e BSH-së.

Të paturit “smart-phone” shton pagesat bankare në distancë përmes internetit

Një dukuri tjetër që vihet re si një trend i përhapur mjaft së fundmi është edhe ai i pagesave në distancë nga bankat, pikërisht përmes internetit. “Kohët e fundit, shërbimet “home banking” po marrin shtrirje gjithnjë e më të gjerë në tregun shqiptar”, pohojnë lidhur me një dukuri të tillë  vetë ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Teksa theksojnë faktin se në fund të vitit 2016, 14 nga 16 banka që ushtrojnë në total aktivitetin e tyre në vendin tonë, ofrojnë produkte të ndryshme të kësaj metode që njihet si “home banking”. Produkte këto që sipas tyre produkte mundësojnë pikërisht aksesimin e llogarisë bankare në distancë, nëpërmjet një linje interneti, linje telefoni apo një softuare-i që banka i vë në dispozicion klientit të saj. “Nga raportimet e bankave, vihet re një rritje e konsiderueshme prej 27.63% e vëllimit të pagesave “home banking” dhe e vlerës së transaksioneve prej 21.51%, krahasuar me një vit më parë”, cilësojnë ekspertët e BSH-së, lidhur me një dukuri të tillë. Më tej, ata argumentojnë se rritja e transaksioneve “home banking” dikton në një masë të madhe edhe zhvillimet e tregut në këtë drejtim. Duke shtuar këtu edhe faktin se prirja gjithnjë e në rritje e përdorimit të “home banking” lidhet ngushtë me ekzistencën e infrastrukturës, si edhe me përhapjen e mundësive për të aksesuar internetin edhe përmes disponimit të një “smart phone”.

Shtohen pagesat pranë POS, por bankomatet janë ende më të shumta

“Gjatë vitit 2016, vërehet një rritje e konsiderueshme e numrit dhe e vlerës së pagesave me karta në POS-e fizike dhe virtuale, përkatësisht me 28.9% dhe me 21.2%, duke vijuar prirjen pozitive të vërejtur gjatë viteve të fundit”. Ky është një fakt tjetër që vihet në dukje nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, referuar pikërisht pagesave që bëhen në pika të ndryshme të vendosura pranë bizneseve dhe që disponohen prej tyre. Duke shtuar në këtë kuadër se ndërsa në fund të vitit 2016, numri i terminaleve POS ka shënuar një rritje prej përkatësisht me nivelin prej 6.31%, ai i ATM-ve ka pësuar një rënie të lehtë me nivelin prej -3.15%, ku këto të fundit janë pikërisht ato që i njohim si bankomate. Por sipas ekspertëve të BSH-së, “pavarësisht prirjes pozitive të shtimit në numër të terminaleve POS, vlen të theksohet se përqendrimi i tyre vijon të jetë i lartë në qarkun e Tiranës, në masën 81.76%, ndërsa terminalet për përdorimin e kartave me para elektronike vijojnë të paraqesin ritme rritëse përkatësisht në masën 13.9% krahasuar me fundin e vitit 2015”. Për të konfirmuar kështu faktin se në rang vendi vazhdojnë që bankomatet të jenë ende më të pranishmet, në krahasim me sistemet POS të pagesave që kryesisht gjenden në kryeqytet.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: