Mehdi Zena: Veç tallavasë s’ekziston më këngë popullore e pastër!

Mehdi Zena: Veç tallavasë s’ekziston më këngë popullore e pastër!
 

 Mehdi Zena është personaliteti më i vlerësuar i këngës së Elbasanit e ndër më të dashurit ndër interpretuesit e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme. Sot, ai vjen me një përvojë të gjatë në skenë dhe mes njerëzve, me mbi 1000 këngë të interpretuara mjeshtërisht, me rreth 8 albume dhe qindra koncerte në skenat dhe ekranet shqiptare e mbarë botën. Mehdi Zena, njeriu babaxhan që të gjithë e njohin në Elbasan, i dashuruar me këngën e qytetit të tij të zemrës, erdhi nga Gjakova, ku ndodhej për një koncert. Pavarësisht moshës, Mehdi Zena nuk rresht së interpretuari, kur e ftojnë. Gjakova, qyteti i dytë në shpirtin e tij, e mirëpret gjithmonë! Një ngjashmëri notash e traditash, por edhe një afeksion njerëzor. Në këtë intervistë për “Albanian Free Press”, Mehdi Zena na tregon mbi jetën e tij, karrierën dhe koncertet, por shpreh edhe shqetësimin mbi gjendjen e këngës popullore sot, dhe të drejtën e autorit.

 intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Ju njiheni prej më shumë se 4 dekada, si ndër këngëtarët më të njohur të trevës së Elbasanit. Si ka nisur karriera juaj?

 

Karriera ime është e hershme. Ajo i ka fillimet në vitet ’56-’57, kohë në të cilën kam qenë në shkollë fillore. Kemi konkurruar gjatë kohës së shkollës, pastaj, siç ishte zakon, zhvilloheshin konkurrimet midis ndërmarrjeve. Unë bëja pjesë në ndërmarrjen e riparim-shërbimeve ku kishim një grup shumë të mirë dhe çdo vit nderoheshim me çmime. Po në atë kohë, profesori dhe muzikanti i njohur, Alfons Balliçi, më përzgjodhi dhe me ftoi të bëhesha pjesë e Estradës Profesioniste të Elbasanit. Ishte viti 1972, kur mora pjesë fillimisht, në festivalin e parë të këngës popullore qytetare, ky festival u përsërit për disa gabime ideologjike, u riorganizua pas një viti, me emrin tjetër Festivali i Këngës Popullore Qytetare. Në këtë festival kam kënduar një duet me të madhin, “Artistin e popullit”, Bik Ndoja. Më pas ishte normale dhe e kuptueshme që erdhi suksesi, vlerësimi dhe karriera ime vazhdoi në Estradën Profesioniste në Teatrin “Skampa”.

 

 

Sa ka ndikuar familja në pasionin për këngën popullore?

 

Për të gjitha arritjet në jetën time, - të cilat më ndjekin edhe sot, - nuk do të resht,  asnjëherë, së falënderuari familjen time! Nuk më ka penguar në asnjë çast, përkundrazi, më ka mbështetur në çdo hap.

 

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë? Kishit emocione? Keni qenë shpesh në turne, jashtë vendit?

 

Kam qenë një nga formuesit e ansamblit “Isuf Myzyri”. Pranë këtij ansambli, kam pasur një karrierë mjaft të gjatë, bashkë me aktivitetin në estradën profesioniste. Me këtë ansambël, kemi pasur mundësinë të shkojmë në turne jo vetëm në gjithë Shqipërinë, por edhe në vende të shumta të botës si, në ish- Jugosllavi, në Greqi, Gjermani, Suedi, Amerikë, Turqi dhe shumë e shumë vende të tjera. Gjithashtu, mbeten në kujtesën time Kosova e vitit 1981, kur ne kemi qenë vetëm 5 këngëtarë dhe me orkestrën e Radio Televizionit të Prishtinës, zhvilluam disa koncerte, në atë kohë filluan demonstratat, por ne vazhduam incizimet në radio, filmimet në televizion si dhe koncertet në disa qytete të Kosovës. Me Kosovën si trevë, kemi pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira, sidomos me qytetin e Gjakovës, atë të Pejës dhe Prizrenit. Qysh nga ajo kohë, unë kam mjaft miq të mrekullueshëm atje, mes tyre do të veçoja Shkëlzen Jetishin, Zenel Dolin, Ismet Pejën, Edi Furrën dhe shumë të tjerë.

 

Cili është mendimi juaj për gjendjen e këngës popullore sot, asaj të Shqipërisë së mesme, veçanërisht? A mendoni se bëhet mjaftueshëm nga institucionet për ruajtjen e folklorit?

 

Mendimi im për këngën popullore sot, nuk është i njëjti me atë të shumë viteve më parë, sepse në atë kohë, pavarësisht nga sistemi monist, kishte kujdes të madh dhe ruheshin bazat e folklorit, - e kam fjalën për pastërti folklori dhe sidomos kënga popullore, kishte vëmendje të veçantë. Kurse sot, është ndryshe. Veç tallavasë nuk ekziston më këngë popullore e pastër. E them këtë, sepse nuk ka asnjë lloj festivali popullor siç kishte në kohën më parë. Nuk ekziston më zinxhiri i talenteve, nuk punohet për të gjetur zërin dhe prirjet, siç bëheshin konkurrimet mes ndërmarrjeve apo shkollave nga ku dilnin talente të shumtë. Njëri nga ato talente, isha edhe unë. I tërheq vëmendje Ministrisë së Kulturës për këtë gjë, është tepër alarmante. Nuk duhet lënë folklori, krenaria dhe identiteti i kombit vetëm me një festival në Gjirokastër, një herë në 4 vjet.

 

Disqet me këngët tuaja dëgjohen, por edhe tregtohen në mbarë trevat shqiptare dhe diasporë. A keni shqetësim që artistët e suksesshëm shqiptarë si ju, nuk përfitojnë nga djersa e tyre?

 

Si kudo edhe në Shqipëri, duhet të respektohet e drejta e autorit dhe nuk bëhet, Ne lëndohemi dhe dëmtohemi, sepse kemi kontributin tonë, zërin, talentin dhe famën, të cilat i menaxhojnë dhe shesin kioskaxhinjtë. Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht, pasi artistët janë më të pambrojturit se asnjë kategori tjetër sot, ndërkohë që janë pasqyra më e vyer që kemi. Arti dhe muzika jonë është dinjiteti kombëtar. Artistët janë ata që më shumë se kushdo, mbajnë të ngritur lart emrin e mirë të Shqipërisë! Ndaj duhen respektuar dhe vlerësuar!

 

Keni ndonjë këngë të preferuar në repertorin tuaj?

 

Këngët e preferuara janë të shumta, por mua gjithmonë, nga të gjitha këngët që kam interpretuar, dhe ato janë rreth njëmijë këngë, është “S’paske pas një pikë mëshirë” e usta Isuf Myzyrit dhe “Kah dera të erdha” e Qamilit të vogël nga Gjakova.

 

Si ndiheni kur ju quajnë si trashëgimtarë të të madhit, Isuf Myzyri?

 

Këngën nuk e kam vetëm me punë, por në radhë të parë e kam traditë të trashëguar nga babai i cili ka qenë krahu i djathtë i usta, Isuf Myzyrit. Për mua nuk ka kënaqësi më të madhe se kjo, por do të ishte edhe më e madhe nëse do ta gëzoja këtë trashëgimi nga babai, por ai fatkeqësisht u nda nga jeta në moshën 50-vjeçare.

 

Koha prej 44 vjetësh me këngën popullore, më bën edhe sot që mos të ndahem nga Teatri “Skampa”. Nuk mund të ndahem prej miqve të mi sot. Edhe kur nuk kam punë, kaloj kohën me shokët e mi më të mirë, në kafenë e teatrit.

 

Sa ruhet sot kënga e traditës së Elbasanit? A e keni mëkuar traditën tuaj tek brezat e rinj?

 

Sot për sot, kënga popullore e trevës së Elbasanit, ajo e pastra fare, ruhet vetëm në qytetin e Gjakovës dhe në Pejë në Kosovë.

Me djalin tim, Aliun, kam kënduar që kur ka qenë 10 vjeç dhe gjithmonë mendoja se diçka do të arrinte. Por pavarësisht dëshirës time, nuk ndodhi ajo që mendova, sepse djali mori një drejtim tjetër. Ai ndoqi shkollimin për muzikë për piano. Megjithatë, përsëri është në fushën e muzikës.

 

 

Çfarë këshille do t’u jepnit këngëtarëve të rinj që duan të ndjekin gjurmët tuaja?

 

Këshilla ime është ajo që thashë edhe më lart. Më shumë takime dhe festivale popullore, sepse jo vetëm të moshuarit, por dhe rinia i pëlqen këngët popullore.

 

Të rinjve dhe të rejave dua t’u jap edhe një këshillë, të më shfrytëzojnë, dëgjojnë, ndjekin, adhurojnë deri sa të jem gjallë, se pastaj çdo këngë do të mbetet vetëm vjershë!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: