MENDIMET BIO - NGA JUELA MEÇANI

MENDIMET BIO - NGA JUELA MEÇANI
NGA JUELA MEÇANI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një psikologe italiane shkruante në një blog të sajin: “Cilësia e mendimeve të tua, është vendimtare për cilësinë e jetës”. Janë këto pak fjalë, të thjeshta dhe të qarta, të cilat janë bazë e një jete shpirtërore, personale, private, origjinale. Sapo i lexova, mendova, menjëherë, se sa e thjeshtë është, ndonjëherë, të kuptosh prioritetin e gjërave për veten, por edhe se sa e vështirë është ta zbatosh atë.

Sa bio i kemi mendimet, në të vërtetë? Sa janë ato vërtetë tonat, të pandikuara, pa asnjë tutelë, censurë apo autocensurë?

Nuk kam ndonjë përgjigje të saktë për këtë, por mendoj se, në kohët që jetojmë, është bërë gjithmonë dhe më e vështirë që edhe mendimet të jenë bio. Si kështjella e fundit e mbetur në këmbë, si e vetmja hapësirë lirie që kemi, si e vetmja dhomë me lule kur jashtë bie shi dhe “gjëmon” trishtim. Mendimet kisha dhe kam, ende, shpresë se janë më afër të qenit bio nga çdo gjë tjetër përreth.

Si aktorë të një eksperimenti apo iluzioni masiv, ndërtuar rreth nesh prej disa dekadash, bota e madhe bëhet e vogël, dominohet, ndikohet, tkurret apo shpërthen me një komandë, sepse fijet e kibernetikës na kanë lidhur të gjithëve. Globalizim traditash, mënyrash, shprehjesh, gjestesh. Por vetëm mendimet tona na shpëtojnë. Deri diku, të paktën.

Mbi të gjitha ka një hile, ka një kleçkë; duhet të mësohesh që të jesh padron i mendimeve të tua. Duhet, pra, një portë e mbyllur në komunikim, por me një dritare të vogël hapur, për ajrosje.

Nëse do të arrijmë, sigurisht, me pjekurinë e moshës dhe përvojës, të shohim tek mendimi i lirë bio, forcën e stimulimit të ideve, rinovimit, të krijimtarisë, atëherë do ta kemi të lehtë edhe të zbulojmë arsyen se përse mendimi bio të bën edhe tërheqës, të zbukuron sytë e t’i mbush me botë, të vesh me klas apo elegancë, me sharm të veçantë, edhe pse nuk je më një djalosh apo çupëlinë.

Mendimi bio është margaritari i kohëve të rënda që jetojmë. Është barka jonë e shpëtimit, e cila na zbraz shpirtin nga negativiteti dhe na jep arsye për të buzëqeshur. Tek mendimet tona, ato origjinalet, të cilat nuk i bërtasim, kurrë, në publik, qëndron pavarësia jonë e përjetshme, madje, edhe lidhja jonë me dashurinë, shpresën dhe besën.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: