Mjeku sportiv Lluka Heqimi, “Mirënjohje” e Qarkut të Tiranës

Mjeku sportiv Lluka Heqimi, “Mirënjohje” e Qarkut të Tiranës
Karriera e Lluka Heqimit, pas një jete të tërë në mjekësinë sportive ku punoi me plot pasion është vlerësuar me çmimin e Mirënjohjes nga Qarku i Tiranës.

Ish-mjeku i njohur i ekipit tonë kombëtar dhe i Partizanit, Lluka Heqimi, është i njohur jo gjerësisht. Për kontributin dhe punën e palodhur për dekade me radhë si dhe profesionalizmin e lartë në shërbim të Kombëtares shqiptare, Heqimi nderohet me çmimin e “Mirënjohjes”.

“Unë nuk jam shkëputur nga sporti, sepse unë funksionoj dhe jetoj me sportin. Jam pedagog në Universitetin Marin Barleti dhe të shtunën organizuam një konferencë Ballkanike për historinë e Sportit.”

Më pas ai foli për çmimin që mori nga bashkia. “Ndihem shumë i vlerësuar për çmimin, që përfshinte edhe punën 22 vjeçare për ekipin Kombëtar. Kjo mirënjohje më mobilizon edhe më tepër, në punën time për historinë e sportit, por sigurisht që ti shërbej edhe profesionit tim.”

Krahasimi i mjekësisë dhe sportit në përgjithësi me të kaluarën nuk është i lehtë. Mjeku Lluka Heqimi e sheh të ardhmen me optimizëm, të paktën për zhvillimin e brezave të rinj.

“Mjekësia sot është me e avancuar, më shpresëdhënëse, por ka një mangësi në humanizmin e vet. Përsa i takon sportit, e kam thënë që do të vijë koha kur do të prishim pallatet për të ndërtuar fusha sportive.”

“Deri më sot kemi menduar si të prishim fushat e sportit, për të ndërtuar pallate. Nevojiten kushte që të zhvillojmë sportin dhe që ai të marrë karakter masiv. Është diçka mjaft e mirë që sporti është pjesë e Ministrisë së Arsimit, pasi në këtë mënyrë sporti është te shkolla.”

Kualifikimin në Europianin 2016, edhe si një personazh që e ka kaluar jetën pranë sportit dhe Kombëtares, Heqimi e përcjell me një vlerësim.

“Shkallëzimi është i çuditshëm. Ne kemi fituar një Ballkaniadë në 1946, me lojtarë të cilët donin ta fitonin trofeun, por nuk e kishin të sigurt. Për një periudhë nuk po arrinim suksese, por më pas ekipi Shpresa ka fituar dy herë titullin më e mira e Ballkanit dhe më pas u kualifikua në tetëshen e Europës.”

“Më pas erdhi Kombëtarja e Shyqyri Rrelit, që vetëm për pak nuk arriti të kualifikohej në Botërorin e Meksikës. Tani erdhi De Biasi, i cili nuk i bëri kërcim së larti, pasi këto suksese kanë ardhur shkallë pas shkalle. Këto janë historitë tona, të cilat nuk duhet ti harrojmë kurrë.”

Pavarësisht ecurisë në kualifikueset e botërrorit rus, Lluka Heqimi shprehet optimist për të ardhmen.

“Kjo është Kombëtarja që na ka nderuar, që të kishim një skuadër të përfaqësuar diku në Europë. I jam mirënjohës presidentit të futbollit, Armand Duka, që ka bërë shumë për këtë arritje dhe sigurisht filozofit De Biasi.”

“Ai e ka njohur mirë filozofinë tonë dhe ka ditur të vjelë nga skuadra, e cila nuk ka emra, por ka një mobilizim të çuditshëm; kjo është diçka shumë e madhe. Unë i uroj De Biasit suksese të reja, edhe pse ne shqiptarët kemi zakon që kur fitojmë një herë biem në qetësi dhe pastaj ringrihemi sërish.”

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: