Muho Asllani: I tregova Enverit se njerëzit po hanë bukë me uthull

Muho Asllani: I tregova Enverit se njerëzit po hanë bukë me uthull
Ish-anëtari i Byrosë Politike tregon diskutimin në Byronë Politike për gjendjen e vështirë ekonomike të punonjësve të bujqësisë. Si e kundërshtuan në Byro, ndërsa Enver Hoxha mbante shënime. Kur e ka ndjerë veten më ngushtë Muho Asllani dhe një detaj me ca njerëz që dikur mbanin portretin e tij në festë. Si filloi rënia e komunizmit me vështirësitë ekonomike, aq sa nuk kishte më mundësi as për të organizuar paradat festive. Një rrëfim për ngjitjen “e rrufeshme” në postet më të larta të shtetit të djalit të një karrocieri që kishte mbaruar Institutin e Kamzës me  rezultate të shkëlqyera.

Muho Asllani ishte vetëm 34 vjeç kur u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në vitin 1971, duke qenë njëkohësisht sekretari i Komitetit të Partisë për Shkodrën që mbulonte çështjet e bujqësisë dhe ekonomisë. Ishte vetëm 44 vjeç kur u zgjodh anëtar i forumit më të lartë të partisë-shtet, Byrosë Politike. Njëkohësisht Sekretar i Parë në një nga rrethet më të rëndësishme të vendit, Durrësit.

Një ngjitje e rrufeshme që mund të prishte karakterin e një karrieristi, por jo të njeriut që e mbaroi shkollën e lartë me triko e çorape leshi.

Në një intervistë për “Albanian Free Press”, Muho Asllani rrëfen historitë e tij të 1 Maj-eve, që nga momenti kur parakalonte si student me portretin e Kadri Hazbiut në dorë e deri kur u vendos që në vitin 1990 të mos parakalohej më. Komunizmi nuk kishte më para as për të bërë parakalimet festive dhe i dërgoi punonjësit të festonin në piknikë në natyrë me shpenzimet e veta.

Por në rrëfimin e Muho Asllanit ka edhe një moment që ka parë me sytë e tij: Punëtorët e bujqësisë që hanin vetëm bukë me uthull.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Si ndodhi që u zgjodhët anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës që në moshën 34-vjeçare?

E kam filluar punën si agronom, porsa mbarova studimet në Institutin e Lartë Bujqësor dhe pak muaj më vonë më ngarkuan detyrën e instruktorit të Komitetit të Partisë për çështjet e bujqësisë. Duket moshë e re, por jetën e partisë si komunist e kam filluar që kur isha student.

Në këtë periudhë zhvillohet një mbledhje e zgjeruar për çështjen e bujqësisë në fermën “Perlat Rexhepi” me mbi 140 komunistë. Vjen Hysni Kapo. U ngrita dhe diskutova. Kisha një përgatitje të mirë jo vetëm profesionale, por edhe politike. Kisha mbaruar shkëlqyeshëm Institutin e Kamzës dhe vazhdoja me korrespondencë Kursin e Lartë të Filozofisë ose, siç njihej ndryshe, Shkollën e Partisë. Pas mbledhjes, Hysni Kapo më pyeti hollësisht jo vetëm për gjendjen e bujqësisë në rrethin e Shkodrës dhe problematikat, por edhe për jetën studentore dhe Institutin e Kamzës. Pas bisedës, Hysniu më thotë: Drekën do ta hamë bashkë. Ishte organizuar një drekë në Velipojë. Duke ngrënë drekë, më pyeti me hollësi për gjithë jetën time, familjen, punën...nuk di t’ju them sa me detaje ishte i interesuar. Më vonë, në vitin 1971, unë dola direkt anëtar i Komitetit Qendror, pa e kaluar fazën e kandidatit, sikurse ndodhte me shumicën e të zgjedhurve. Padyshim, ajo bisedë e gjatë me Hysni Kapon ishte vendimtare, pasi Hysniu ishte njeri me shumë peshë, ishte zëvendësi i Enver Hoxhës në parti. Besoj edhe sot se ngjitja ime e shpejtë ka ardhur si pasojë e aftësisë që kishte Hysni Kapo për të zgjedhur njerëz të devotshëm, të ndershëm e të përkushtuar.

Kjo ishte një diçka e veçantë dhe shumë mbresëlënëse për mua, pasi në atë kohë në Shkodër kishte shumë kuadro, madje edhe nga ata që kishin bërë luftën, ndërsa unë isha një agronom i thjeshtë, bir i një fshatari nga Bërdica. Natyrisht, këtu ka ndikuar edhe familja. Babai im ka qenë partizan, xhaxhai partizan, ndërsa gjyshi ra dëshmor kur Esat Pashë Toptani u dorëzoi malazezëve Shkodrën, në vitin 1913. Isha edhe i martuar. U dashurova me gruan që kam prej 50 vjetësh që kur isha student dhe u martova që i ri. Në moshën 21-vjeçare u bëra baba. Jeta familjare ishte një tjetër faktor që ndihmonte, pasi morali i kuadrove drejtues ishte shumë i rëndësishëm në atë kohë.

Si arritët të shkolloheshit në kushtet kur ishit gjashtë fëmijë?

Për të qenë më i saktë, ishim tetë fëmijë, por dy motra kanë vdekur që të vogla nga malarja, menjëherë pas çlirimit. Babai shiti edhe kaun e parmendës që të blinte kinina, por nuk arriti t’i shpëtonte.

Nga gjashtë fëmijë, katër u bënë me shkollë të lartë. Babai preferonte të rrinte edhe pa bukë që ne të mund të studionim. Ai vetë ishte pa shkollë, ishte anëtar partie, por punonte si karrocier, se nuk kishte shkollë. Jetonim në një dhomë e një kuzhinë dhe nëna ime e ndjerë, i shtronte dyshekët përtokë horizontalisht që të rrinim tre fëmijë në një dyshek.

Kemi qenë shumë të varfër dhe nuk e kam harruar kurrë fëmijërinë e vështirë. Kjo më ka bërë që të punoj edhe më me përkushtim, duke menduar se si ndryshoi jeta jonë. Nëna ime mësoi shkrim e lexim në kurset që hapi partia kundër analfabetizmit dhe e mbaj mend si sot kur lexonte vargjet e Naim Frashërit për Skënderbeun, teksa me këmbë tundte djepin për të vënë në gjumë fëmijët e vegjël. Ajo ishte në kurs, unë isha në klasën e parë.

E kam mbaruar Institutin Bujqësor me triko e çorape leshi, me xhaketë doku e pantallona kadife. Nuk kam patur as pallto derisa jam martuar.

Kur mendoja se çfarë kishte bërë partia dhe Enver Hoxha për të ndryshuar jetën e qytetarëve dhe fshatarëve, ndjeja detyrim për të punuar edhe më shumë, me më shumë devotshmëri. Por kisha edhe sedër, pasi më vinin shumë fjalë nga shkodranë që më shikonin me përbuzje duke thënë: Hë, u bë ky fshatari, ky bërdicjani sekretar i Shkodrës, kur Shkodra ka tërë ato kuadro...

Por edhe ruhesha shumë të mos ushqeja përshtypje të këqija te njerëzit. Nuk kam mbajtur as syze dielli kur isha agronom, nga frika mos dukesha si mendjemadh.

Edhe frikë kisha, nuk mund ta mohoj. Kishim parë si ishin dënuar shumë ish-drejtues të partisë dhe ruhesha shumë të mos gaboja, që të mos e pësoja. Ndoshta, më shumë se frika, ishte sedra e malësorit.

Keni qenë sekretar i parë në gjashtë rrethe. Si i keni njohur njerëzit në zonat ku keni drejtuar?

Në Burrel dhe Kukës kishte një burrni. Po të të thoshin se kjo punë bëhej brenda afatit të caktuar, ishte e kryer. Kishte vështirësi për t’i bindur njerëzit se detyra mund të kryhej, por po t’i bindje dhe të jepnin fjalën, nuk kishte nevojë për t’i kontrolluar. Në Shkodër, nga ura e Bahçallëkut deri në Velipojë, ka qenë ndryshe. Të premtonin, por gjenin gjithfarë justifikimesh kur i gjeje me punën e pakryer. Nuk e them për të ulur një zonë apo për të ngritur një zonë, por për të treguar se duheshin pasur parasysh edhe këto gjëra në mënyrën e organizimit të punës me njerëzit.

 

Ku e keni ndjerë veten më ngushtë?

Më ngushtë se kudo, në Shkodër. Kisha gjithë rrethin e familjarëve dhe të njohurve dhe i kisha shumicën te dera që në 7 të mëngjesit. Kush kërkonte të drejta studimi për fëmijët, kush kërkonte të vinte nga fshati në qytet, kush kërkonte punë më të lehta... Ishin si nga rrethi im familjar, ashtu edhe i gruas, se ajo ishte qytetare denbabaden.

Kur u zgjodha në Komitetin qendror, një këshillë më ka dhënë im atë: Dëgjo, bir! Mos fol çfarë të të vijë për goje dhe mos bëj çfarë të të vijë për dore! Këtë këshillë e kam kujtuar shpesh, e kam patur gjithmonë parasysh. Këshilla e dytë ishte: Respektoji të gjithë, por më shumë ata që kanë bërë luftën.

Dhe vërtet, veteranët e luftës i kam pritur vazhdimisht, ngado që vinin. Më kanë marrë kohë boll, por besoj se i kam lënë të kënaqur. Por çdo gjë kthehet. Edhe unë kur shkoj sot nëpër zyra të shtetit, më ulin e më respektojnë.

Por edhe në Burrel. Ishte hera e parë që më caktonin sekretar të parë të një rrethi, në vitin 1974. Kam shkuar në një periudhë të vështirë, në mes të një dimri të ashpër që kishte bllokuar rrugët dhe kishte probleme furnizimi. Ditën e parë që kam mbërritur, kisha veshur një xhup ushtarak dhe mbaja kokore. Askush nuk më njihte. Ecja në këmbë dhe shikoj shumë njerëz të mbledhur para një dyqani-barakë. Çfarë ka dalë? Pyes njerëzit. Uthull, më thonë. Ika. Thirra kryetarin e komitetit ekzekutiv për gjendjen në furnizimin e qytetit. Gjendja ishte e vështirë dhe kryetari më numëroi gjithë mallrat ushqimore që mungonin, duke përfshirë edhe uthullën. Mora në telefon drejtorin e ndërmarrjes së furnizimit në Shkodër, që e kisha mik që kur punoja si sekretar. A ke uthull? e pyeta. Po! më tha. A po më nis nja dy fuçi? Jo mor, po të nis një autobot. Dhe kështu solla një ZIS “Molotov” me dy tonë uthull që u shit brenda pak ditësh.

Po pse pikërisht uthull?

Fshatarët e zonës së Burrelit mbushnin shishe me 2/3 ujë, 1/3 uthull, i hidhnin ndonjë lugë sheqer dhe me të hanin bukën. Ishte e tmerrshme. Këtë problem e kam ngritur edhe në mbledhjen e Byrosë Politike. Nja dy shokë u hodhën përpjetë dhe m’u kundërvunë, duke thënë se s’është e vërtetë, s’ka mundësi që punonjësit e bujqësisë të hanë bukë me uthull. Por unë i kisha parë me sytë e mi.

Enver Hoxha dëgjonte dhe mbante shënim. Më bëri vetëm një pyetje: Kështu është, Muho? Kështu është, shoku Enver, u përgjigja unë.

Enver Hoxha e kishte si parim që verifikonte gjithçka që ne i raportonim dhe unë këtë e kisha kuptuar. Ishte mënyra e tij që të merrte informacione sa më të sakta. Dhe unë përfitova nga rasti në shumë raste të siguroja paradhënie për kooperativat bujqësore, kur u mungonte buka. Qeveria ngulte këmbë që kooperativat të paguanin borxhin që kishin marrë më parë, ose të bënin punë të ndryshme. Nuk toleronte Mehmet Shehu. E zgjidhëm pikërisht duke i ngarkuar kooperativat me punë shtesë gjatë dimrit për t’u siguruar bukën kur nuk e kishin. Ose duke organizuar aksione.

Le të kthehemi edhe një herë te buka me uthull. Ju thatë se Enver Hoxha e dinte nivelin e varfërisë ku jetonin shumë shqiptarë...

Çështja e varfërisë ishte e ndjeshme. Edhe shoku Enver ishte i informuar. Më pyeti një herë për punën e furnizimit dhe i thashë se në Shkodër merrnim vetëm një pako margarinë në javë. “Po a ju del? më pyeti Enveri. Si ja bën ajo nëna jote në Shkodër?”. “Me thënë të drejtën, i thashë, kur bëjmë makarona, e hedhim të gjithën në tenxhere dhe aq është”.

Por Enver Hoxha, me gjithë dëshirën e mirë, nuk i zgjidhte dot të gjitha problemet.

Ka patur një traditë organizimi të festës së 1 Majit në Tiranë...

Për 1 maj kemi parakaluar gjithmonë. Parakalonin fillimisht veteranët, pastaj kolektivat më të dalluar dhe përfaqësues nga rrethet që kishin arritur rezultate të larta, njerëz që kishin bërë shpikje e racionalizime. Në fillim parakalonin edhe me kafshë, me dele, me lopë, me qerre e kuaj, me produkte bujqësore e blegtorale, gozhdëve, xhamave e plot të tjera. Bënim parapërgatitje të mëdha për paradat e 1 Majit, pa neglizhuar asnjë detaj. Mbaj mend edhe kur na zuri një rrebesh shiu, por nuk u larguam. U strehuam poshtë urës së Lanës derisa pushoi shiu i madh, pastaj vazhduam përgatitjet. Zakonisht, parakalimin e mbyllnim ne studentët, që vendoseshim në formacion sportiv dhe mbanim në duar edhe portretet e udhëheqësve, të anëtarëve të Byrosë Politike. Unë kam mbajtur portretin e Kadri Hazbiut, që më është dukur gjithmonë më popullor.

Por erdhi një moment që votuat për përjashtimin nga partia të Kadri Hazbiut...

Po, është e vërtetë. Edhe kam diskutuar në atë mbledhje.

Ndërkohë, ju u bëtë anëtar i Byrosë Politike dhe u ngjitët ju në tribunën e 1 Majit, ndërsa studentët këtë radhe mbanin portretin tuaj në duar...

(Qesh) Po, është e vërtetë, dhe shumë njerëz më kanë pyetur se si më dukej vetja në atë kohë. Të them të drejtën, kam pyetur shpesh herë veten nëse e meritoja që të më mbanin portretin në parakalim. Por jam munduar ta justifikoj me punë këtë nder që më bëhej. Tribunat nuk i kisha qejf. Edhe për 1 Maj, mundohesha të rrija nga fundi, se edhe isha më i ri, ndërsa të tjerët shtyheshin për të qëndruar sa më pranë shokut Enver.

Shokët më ngacmonin, më thoshin se duhet ta lidhja më mirë kollaren e plot batuta të tjera.

Por nuk do t’i harroj edhe ca njerëz që në atë kohë mbanin në duar portretin tim dhe më dërgonin puthje nga bulevardi. Jam përplasur me njërin prej tyre në një bisedë televizive shumë vite pas rënies së komunizmit. Ishte bërë një nga drejtuesit e të djathtës.

Por në vitin 1990 nuk u zhvillua parada tradicionale e 1 Majit. Çfarë ndodhi?

Ishim në gjendje varfërie të madhe. Kishte filluar kriza. Duheshin para edhe për të organizuar festimet, ndërsa me shpenzimet ne ishim te minimumi i minimumit. Dhe kështu u vendos që 1 Maji të festohej ndryshe, duke bërë piknikë në natyrë nga vetë ndërmarrjet. Dhe kështu u bë. Unë në atë kohë isha sekretar i parë i Durrësit dhe organizuam aktivitete në natyrë, në kodrat e qytetit, në plazh. Rezultoi diçka shumë më e bukur se në vitet e tjera dhe njerëzit u kënaqën, megjithëse me kushte modeste. Shumë njerëz nuk morën pjesë, sepse secili do bënte shpenzime për veten e vet, por tradita e atij viti u përsërit dhe vazhdoi edhe pas rënies së komunizmit.

Por vitet e fundit duket se është zbehur ndjeshëm kjo traditë...

Po, dhe më vjen shumë keq. Pavarësisht ndryshimeve, edhe sot 1 Maji duhet të festohet. Është dita e klasës punëtore dhe më vjen keq që po humbet ajo traditë solidariteti që ne filluam. Çfarë i kushton sot një biznesmeni të organizojë diçka në këtë ditë për të kënaqur punonjësit e ndërmarrjes së tij private? Mund ta heqë mënjanë gjatë vitit atë fond të vogël që i duhet për këtë ditë, por edhe vetë biznesmenin do ta ndihmonte të kishte marrëdhënie më të afërta me punonjësit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: