Muho Asllani: Ju rrëfej burgun dhe gjyqin qesharak të kafeve

Muho Asllani: Ju rrëfej burgun dhe gjyqin qesharak të kafeve
DOSSIER EKSKLUZIV/ Pas rënies së komunizmit, drejtuesit më të lartë të Partisë së Punës u arrestuan në një operacion “blitz”, brenda pak orëve. Ish-anëtari i Byrosë Politike rrëfen dëshmitë e montuara në gjyq dhe arsyet pse morri dënimin më të rëndë: Burgim të përjetshëm. Biskotat 10-lekëshe që i solli fshatari nga Kryevidhi dhe një histori pikante me Hekuran Isain. Arratisja në vitin 1997 dhe pafajësia. Tre momentet e jetës kur i kanë dalë lot nga sytë

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Pas rrëzimit të komunizmit, drejtuesit kryesorë të Partisë së Punës dhe e veja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, u burgosën. Një gjyq që filloi me akuza gjenocidi dhe u mbyll me dënime për shpërdorime financiare. I famshmi “gjyqi i kafeve” u shndërrua në një farsë teksa ish-drejtuesve të partisë-shtet dhe bashkëshortes së diktatorit u kërkohej llogari për kafet. Njëri nga të akuzuarit, ai që u dënua me burgim të përjetshëm, tregon se si dëshmitarët rrëzuan akuzat, por sërish u vendos dënimi. Për Muho Asllanin, një ndër momentet më të paharruara ishte mirënjohja e një fshatari që kishte ndikuar të lirohej nga burgu në kohën e komunizmit dhe që erdhi ta vizitojë në burgun e demokracisë...

Pas rënies së komunizmit, mbi ju ranë akuza të rënda...

Në fillim më akuzuan për genocid dhe doli se nuk kishte genocid, pastaj kaluan me internim-dëbimet. Por për këtë kishte një komision, ku bënin pjesë shumë drejtues të rrethit dhe kryesohej nga kryetari i komitetit ekzekutiv. Në një moment, kur Enver Hoxha pa se po keqpërdorej ky ndëshkim dhe po arrinte në shifra jashtë normales, ndryshoi procedurën dhe u vendos që në komisionet vendore të ishin sekretarët e parë që do të miratonin listat. Ishte një hallkë shtesë kontrolli. Kjo me qëllim që këta sekretarë, ta shikonin më me zemërgjerësi çështjen e familjeve që do të internoheshin. Presupozohej se këta sekretarë ishin njerëzit më të ndershëm. Ne kishim kompetencën të thoshim “Dakord” ose ta kthenim për rishqyrtim. Me këtë “dakord” na dënuan neve pas rënies së komunizmit.

Po si i shfrytëzonit ju kompetencën për të miratuar apo rishikuar vendimet e internimeve?

Natyrisht, me këto kompetenca ka ndodhur të mos jenë korrigjuar raste abuzimi, por ka patur edhe shumë njerëz që janë shpëtuar. Njëri nga këto raste është pronari i parë i këtij lokali ku jemi ulur ne. Ishte mirditor, Kolë i thoshin dhe çalonte nga njëra këmbë. Kola ishte vendosur të internohej familjarisht. Shikova relacionin e degës së Brendshme dhe pashë se e akuzonin se kishte kërcyer “amerikançe” në një gëzim familjar. U interesova për personin në fjalë dhe thërras kryetarin e degës së Brendshme. “Po, më tha, për këtë arsye ka vendosur internimin komisioni”. I them: Po çfarë amerikançe më thua, po a e njeh Kolën ti? Po ai edhe kur ecën duket sikur kërcen amerikançe”. Dhe kështu shpëtoi Kola. Si puna e atij kam shpëtuar shumë të tjerë, në Durrës dhe Shkodër.

Se sekretari i parë, kur vinte lista, kishte të drejtë të thërriste kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, që ishte edhe kryetar i këtij komisioni, dhe t’u thoshte: “Po shikojeni edhe një herë këtë apo atë person”. Dhe kur thoshte këtë sekretari i parë, kuptohej se tendenca ishte për ta lehtësuar personin dhe zakonisht ashtu bëhej. Në rast se nuk e pranonin, kisha të drejtë të ngrija edhe grup pune për të shqyrtuar raste të veçanta. Natyrisht, nuk i shpëtonim dot të gjithë.

Çfarë mund të tregoni sot për atë gjyq që bëri bujë?

Ishte qesharak. Mjafton t’ju tregoj dy episode. Më nxorën dy femra për të dëshmuar kundër meje, gruan e Mihallaq Ziçishtit dhe një grua të moshuar nga Shkodra.

Thirrën gruan e Mihallaq Ziçishtit, që e kam patur mik dhe e pyetën për internimin e saj, që kisha firmosur unë. Ajo tregoi për afinitetin familjar që kemi patur. “Edhe po të ishte burri im në vend të këtij, do firmoste për këtë ashtu siç ka bërë Muho Asllani, se ashtu ishte ligji”, tha ajo grua intelektuale. “Por unë ia di për nder Muho Asllanit që, pasi i dërguam një letër, ndërhyri që nëna ime 70-vjeçare të mos shkonte për t’u paraqitur përditë përpara operativit”. E nxorën jashtë.

Pas kësaj erdhi një e moshuar, Zade quhej. I shoqi i saj ishte vrarë në kufi në tentativë arratisje, në vitin 1952. E shau komunizmin dhe sekretarin e parë sa më zi nuk bëhet. E dëgjova pastaj u çova dhe kërkova leje për ta pyetur dëshmitaren. Gjyqtari ma ndaloi, me pretekstin se ishte e moshuar. I thashë se është e drejta ime të bëj një pyetje. Atëherë i thashë gjyqtarit se po ja bëj atij pyetjen. “Bëje”, më tha. E pyeta sa ishte datëlindja ime. Doli se në atë periudhë për të cilën fliste e moshuara, unë isha vetëm 12 vjeç.

E mendonit se do të përfundonit në burg pas komunizmit?

E dija që do më futnin në burg. Më paralajmëroi një njeri i njohur që punonte në ato organe dhe më sugjeroi të ikja nga vendi. Por unë isha i bindur se nuk kisha bërë asgjë për t’u dënuar. Aq më tepër që, për ngjarjet që përfliteshin, unë kam qenë i vogël dhe në Byro Politike kisha ardhur shumë vonë. Megjithatë, ndodhi. Brenda dy orëve na kanë arrestuar të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike.

Arrite të marrësh ndonjë masë përpara arrestimit?

Para se të më arrestonin, takoj pikërisht atë Kolën që kisha shpëtuar nga internimi. Ky kishte ngritur lokalin pikërisht përpara shtëpisë sime. I thashë: Të lutem, ti e di se gruan ma kanë hequr nga puna, mua nuk i dihet si më vjen puna, ma merr si kamarier njërin nga djemtë në këtë lokal që të paktën te ketë më çfarë të jetojë familja. “Mos ki merak”, më tha Kola dhe për dy vjet familja ime ka jetuar vetëm me rrogën e kamarierit te Kola, ndërsa unë isha në burg.

Erdhi koha kur morët dënimin më të rëndë për kohën: Burgim të përjetshëm...

Unë kam folur shumë nëpër mbledhje, më shumë se shumë të tjerë. Edhe në gjykimin e famshëm “të kafeve”, nuk rrija pa folur, prandaj më dhanë dënimin më të rëndë nga gjithë Byroja Politike: Burgim të përjetshëm.

Sa vjet burg bëtë përpara se të arratiseshit?

Kam bërë katër vjet e gjysmë burg. Gjykata e faktit të Tiranës më dënoi me burgim të përjetshëm, Apeli e zbriti në 18 vjet, ndërsa Gjykata e Kasacionit më dha pafajësinë.

Burgun e bëra në Tepelenë, në burgun e sigurisë së lartë të Bënçës. Atje ishte edhe Fatos Nano, edhe Nexhmije Hoxha dhe gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Nexhmije Hoxha dhe Lenka Çuko kishin një dhomë me vete, Fatos Nano një dhomë tjetër, ne anëtarët e Byrosë Politike ishim në disa dhoma të tjera.

Me kë ishit në dhomë?

Në dhomë isha me Rita Markon, Prokop Murrën dhe Simon Stefanin. Kemi kaluar mirë me njëri-tjetrin. Prokopi u sëmur i shkreti, i dridhej dora. Unë e kisha në krevat poshtë meje, se ishim në krevate marinari. Prokop Murrën e kisha pikë të dobët, se kisha qenë ndihmësi i tij në Shkodër, kur ai ishte sekretar i parë dhe nuk bija të flija pa e mbuluar në krevat Prokopin.

Në burg, edhe në Tiranë, edhe në Bënçë, na kanë trajtuar mirë. Zbatonin rregulloren. Por kishte edhe ndonjë rast që ishte për të qeshur kur e kujtoj sot.

Mund të tregoni një të tillë?

Ne na sillnin ushqime nga shtëpia, por nuk kishim frigorifer. Ndodhte që na ushqimet fillonin të prisheshin. Kështu i ka ndodhur Hekuran Isait që e zuri barku dhe i binte derës me grusht. Erdhi polici dhe hapi sportelin. “Më ka zënë barku, të lutem ma hap derën”. “Ti e di rregulloren, i thotë polici. S’mundem”. Se me rregullore ishte parashikuar vetëm tre herë në ditë, me orare në mëngjes, drekë dhe darkë, kur mund të shkoje në tualet. Hekurani kërkon drejtorin. Vjen drejtori i burgut, një mirditor që ka ikur në Amerikë tani dhe më merr në telefon çdo vit për të më uruar Vitin e Ri. Duket i kishin thënë për çfarë bëhej fjalë. Hap sportelin. “Vdiqa”, i thotë Hekurani. Drejtori nxjerr rregulloren. “Kush e ka firmosur këtu?” “Unë e kam firmosur”, u përgjigj Hekurani. “Rri pra aty, se mirë je. Po pse e ke firmosur?” “Po ku ta dija unë se do vija vetë këtu”.

Në të vërtetë, rregulloret ishin që të kohës së Kadri Hazbiut, por kur ai “e hëngri”, në të gjitha rregulloret u zëvendësua emri dhe firma e tij me atë të ministrit të ri, Hekuran Isait.

Po juve, si ju trajtonin në krahasim me të tjerët?

Mua ma hapnin derën kurdo që dëshiroja. Isha më i privilegjuar se të tjerët për një arsye të thjeshtë: Kisha qenë sekretar i parë edhe në Kukës, edhe në Burrel, edhe në Shkodër e Malësi të Madhe. Kam ndihmuar shumë familje, ndër të cilët edhe nga ato të persekutuara dhe nga kjo shtresë u morën policët e burgjeve. Mua ma bënin këtë privilegj, megjithëse pa folur. Por duhet të them se, ndonëse policët ishin përgjithësisht nga shtresa e të persekutuarve dhe ne ishim armiqtë politikë, janë sjellë në mënyrë korrekte.

Si u kthyet në jetën normale pas burgut?

Pas dënimit, kam dalë nga burgu në 1997 dhe ika jashtë vendit. Jam kthyer pas nja 6 muajsh, kur doli dekreti për faljen. Hyra në Shqipëri nga Hani i Hotit dhe më pritën familjarët, që kishin shtruar organizuar një festë të vogël për kthimin tim, ku kishin ftuar gjithë farefisin. Aty pashë ca prej kushërinjve që vinin vërdallë nëpër qoshe, por nuk vinin të më jepnin dorën. E pyes vëllanë: Si mor s’po vijnë me na taku? Lene, më thotë vëllai, se kanë kalu me Salën. E pyes nëse e kanë mohuar gjakun dhe vëllai më thotë: Po i kam dëgjuar ca herë që thonë: “Nga fshati e kemi patur Muhon, por s’e kemi patur gjë”.

Po bëj një parantezë. Familjarët më kanë ruajtur shumë, janë munduar të mos më shkaktonin probleme për të cilat më pas do më duhet të përgjigjesha edhe unë. Por edhe ata kanë përfituar prej meje, ato privilegje të vogla që mund të kishin në kohën e komunizmit. Duke qenë unë në ato detyra, nuk i merrte dot kush nëpër këmbë, se emri i sekretarit të parë nuk ishte i pakët. Financiarisht nuk i ndihmoja dot, se rroga shteti kishim. Më e larta që kam patur ndonjëherë ishte 13 mijë lekë të vjetra kur isha ministër shteti. Por kanë patur favorizime edhe atje ku kanë jetuar, në fshat. Dikush u bë traktorist, dikush karrocier, dikush shofer, dikush brigadier, dikush agronom, dikush magazinier...

Dhe rikthehemi te ai banketi i famshëm. Pashë se ata që kishin përfituar më shumë në komunizëm nga emri im, më kishin mohuar të parët. Aty ua kam thënë dy fjalë: Dëgjoni, ju që rrini andej nga fundi dhe që jemi rritur bashkë. Ma keni pa hajrin, por tash po ma shihni edhe sherrin”. Natyrisht që ua thashë për t’i ngacmuar. “Këtej nga anët tona është kthy prapë gjakmarrja. Unë nja pesë vjet burg i kam ba, i arratisur kam qenë, burgun e bana si shtëpinë teme, po vras ndonji dhe po ua la gjakun në shpinë” u thashë. Ishte një shaka, por besoj se i bëra të reflektonin për sjelljen e tyre.

Si i keni patur marrëdhëniet me njerëzit pas vitit 1991?

Ka shumë njerëz që bëjnë sikur nuk më shohin në rrugë, madje edhe nga ata që u kam bërë ndere. Por ka shumë të tjerë, dhe janë shumica, që më respektojnë dhe më përshëndesin përditë. Ka edhe nga ata që më përshëndesin e më ndalojnë në rrugë pa i njohur, se kam qenë nga ata sekretarë që shkoja në çdo ndërmarrje dhe më njohin, por unë nuk i mbaja mend të gjithë.

Më kujtohet një ngjarje e kohës kur kam qenë Sekretar i Parë në Durrës. Një fshatar nga Kryevidhi kishte vjedhur një viç dhe ishte dënuar me burg. Kryetari i kooperativës më sqaroi se ishte një familje e këputur, por e ndershme. Kishin gjashtë fëmijë për të ushqyer. Viçin e kishte vjedhur nga halli, që të mos turpërohej me miqtë që kishte thirrur në dasmën e djalit të madh. Në atë kohë nuk gjeje mish në dyqan dhe kryetari i kooperativës më tha se edhe ai nuk kishte arritur dot ta furnizonte.

Thirra një gjyqtar, që edhe sot e kam mik dhe i shpjegova rastin. Ai më premtoi se do ta shikonte rastin me kujdes. Dhe ashtu u bë. Në gjykimin në shkallë të dytë, u dënua me kusht dhe u lirua.

Kur isha në burg, erdhi të më shikonte, bashkë me djalin. Më sollën nja dy pako biskota, 10-lekëshe, siç ishin atëherë. Kishte mbetur i varfër edhe në demokraci, por vazhdonte të ishte i ndershëm. Ato biskota të atij njeriu mirënjohës më kanë shijuar më shumë se çdo gjë tjetër.

Ju keni qenë një ndër drejtuesit e shtetit deri në vitin 1991. Me çfarë të ardhurash jetoni sot?

Jetoj me pensionin tim dhe të gruas. Nuk kam asnjë të ardhur tjetër.

Është e vërtetë se nuk e ktheni kokën kur ju thërrasin “zotëri” në rrugë?

Po, në qoftë se më drejtohen me zoti Muho, nuk e kthej kohën. Kur më thonë shoku Muho, përgjigjem gjithmonë. Këtë zakon timin e njohin jo vetëm në Durrës, por edhe në Shkodër dhe miqtë e mi më ngacmojnë ndonjëherë.

Me një karakter prej malësori, ju keni kaluar shumë në jetë, për mirë dhe për keq. Ju kanë shkuar ndonjëherë lot nga sytë?

Edhe burrat mund të qajnë, por në mënyrën e vet, jo si gratë. Tre herë më kanë shkuar lot prej syve: Kur më vdiq babai, kur më vdiq nëna dhe kur më njoftuan se djali ishte zhdukur në det. Pyeta: Është mbytur apo ma kanë vrarë? “Është mbytur”, më thanë. Në këtë rast më ka lëshuar zemra, tani nuk më lëshon më.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: