NALTSIM - Nga ARLINDA ÇAUSHOLLI

NALTSIM - Nga ARLINDA ÇAUSHOLLI
Nga ARLINDA ÇAUSHOLLI

Unë kam vështirësi të hipi në karrige nganjëherë, e Uta Ibrahimi ngjiti Everestin. Këtë i thashë vetes kur pashë foton e vajzës bionde nga Kosova, që kishte bashkuar flamurët shqiptarë në lartësinë prej 8840 metrash dhe shikimi i thellë i fliste më shumë se gjithçka.

E pashë gjatë fytyrën e Utës, si për të dalluar nga mund të burojë pasioni për lartësinë dhe për më tepër kurajë për ta pushtuar Everestin.

Por nuk dallova asnjë gjë të jashtëzakonshme përveç se një modeli flokësh të gëzueshëm, që ma shtoi buzëqeshjen akoma më shumë. Heronjtë janë të heshtur gjithmonë. Veprat e tyre thërrasin.

Uta Ibrahimi, do të mbetet në histori si femra e parë shqiptare që ngjiti majën më të lartë të Himalajeve, Everestin, nëse historia, me shpresë, do të shkruhet ashtu siç duhet.

Tetëmijë e tetëqind e dyzet metrat e Utës, janë 8840 metrat e çdo shqiptari. Është lartësia e një respekti ndaj flamurit që e kemi harruar sa vlerë ka, por që fatmirësisht ka si Uta dhe shumë të tjerë që na e kujtojnë sa herë që bëmat e tyre pëshpërisin nëpër cepa portalesh, kur dihet se koha do t’ia ngrejë zërin dhe lavdinë, duam apo s’duam ne. Naltsim, çdo emri që kujdeset për vendin tonë...

Ajo dhe ekipi i saj meritojnë vëmendjen e të gjithëve ne, për forcën, besimin, këmbënguljen, bashkimin e njerëzve që duhet për të kapur majën, për frymëzimin që uroj të sjellë te të gjitha vajzat që kanë një qëllim, tek ato që nuk arrijnë të flasin me zë të lartë - se nuk munden apo nuk i lënë - për të gjithë ata që kanë ëndrra dhe pengohen çdo ditë nga shkopinjtë e një shoqërie të mbyllur, që nuk arrin t’i ujisë njerëzit, por i lë të thahen me informacion dhe demagogji që nuk sjell asnjë begati.

8840 metrat e Utës, janë 8840 metrat e çdo shqiptari. Është lartësia e një respekti ndaj flamurit që e kemi harruar sa vlerë ka, por që fatmirësisht ka si Uta dhe shumë të tjerë që na e kujtojnë sa herë që bëmat e tyre pëshpërisin nëpër cepa portalesh, kur dihet se koha do t’ia ngrejë zërin dhe lavdinë, duam apo s’duam ne. Naltsim, çdo emri që kujdeset për vendin tonë...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: