Në Shkodër “përplaset” historia e futbollit shqiptar!

Në Shkodër “përplaset” historia e futbollit shqiptar!
Të shtunën në “Loro Boriçi”, luhet Vllaznia-Tirana - konsideruar finalja e mbijetesës. “Izolohen” të dy kampet, por bie në sy divorci i parakohshëm i Elis Bakaj me kuqeblutë, pas kërkesës për të mos luajtur ndaj ish-ekipit të tij. Vllaznia: falas hyrja e tifozëve në stadium 

Nga Aranit Muraçi

Rubin Hebaj, 18-vjeç, sulmues i talentuar i Vllaznisë, është një nga ata lojtarë që klubi më i vjetër i futbollit në Shqipëri, shpreson ta shpëtojë të shtunën nga rënia nga kategoria. Sfida e kësaj jave, në “Loro Boriçi” ku Vllaznia do të presë Tiranën, konsiderohet një “finale” për mbijetesë. Por, fatkeqësisht, kjo finale do të luhet mes dy ekipeve që kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar. “Askush nuk do të donte të shkonte deri në javën e fundit, beteja për të qëndruar në kategori,” – theksoi Hebaj. - “Ky është realitet, kështu që s’kemi çfarë të bëjmë, përveçse të shpëtojmë. Fatmirësisht luajmë në fushën tonë, kemi edhe mbështetjen e tifozëve shkodranë. Kemi në favor dy rezultate, barazimin dhe fitoren, ndaj jemi paksa më të qetë se Tirana. Shpresoj të marrim një fitore,” – shton ai, duke besuar se presioni është te Tirana.

Kjo ndeshje shihet si aq delikate, saqë edhe gjyqtarët shqiptarë të futbollit nuk kanë pranuar ta gjykojnë, nisur ndoshta edhe nga kontestimi që iu bë gjyqtarit Enena Jorgji, në ndeshjen e kaluar në Kukës, mes ekipit vendas dhe Skënderbeut, ndeshje që vendosi fatet e titullit kampion. FSHF-ja para një finaleje tjetër të madhe, përveç kërkesës së Tiranës për të pasur gjyqtar të huaj, duket se është edhe detyruar të gjejë “bilbila” nga jashtë për të gjykuar takimin, Vllaznia-Tirana.

 “Divorci” Bakaj-Vllaznia

Ekipi i Vllaznisë la dje Shkodrën për të udhëtuar drejt Ulqinit, ku do të qëndrojë i grumbulluar deri në prag të ndeshjes me Tiranën. Nën urdhrat e trajnerit Armando Cungo udhëtuan vetëm 16 futbollistë të ekipit të parë, pasi të tjerët nuk do të luajnë për arsye kartonësh apo dëmtimi. Për ndeshjen finale të mbijetesës ndaj Tiranës, Vllaznia mori lojtarë të ekipit të dytë, si Ruqi e Bega.

Kapiteni Shtubina nuk ka udhëtuar me ekipin, ngaqë nuk do të luajë këtë ndeshje për shkak të pezullimit. Shtubina ka qenë pranë ekipit para nisjes për t’i dhënë mbështetje duke u shprehur i sigurt se ata do t’ia dalin dhe Vllaznia nuk do të bjerë në një kategori më poshtë. Ai u kërkoi gjithashtu tifozëve që të mos krijojnë incidente dhe të rrëzojnë kërkesën për të pranuar tifozët e Tiranës në stadium.

Ndërkohë, ka rënë në sy mungesa e mesfushorit kryesor të Vllaznisë, Elis Bakaj. Lojtari ka biseduar me drejtuesit e klubit një ditë më parë duke parashtruar kërkesën për të mos luajtur ndaj Tiranës ngaqë më parë ka qenë pjesë e saj. Klubi kuqeblu konfirmoi se Bakaj nuk do të jetë ndaj Tiranës, madje e ka mirëkuptuar kërkesën e tij, megjithatë lojtari është kthyer në kryeqytet ditën e djeshme. Elis Bakaj, ende zyrtarisht, mësohet se i ka dhënë para kohe lamtumirë Vllaznisë pas kërkesës për të mos luajtur në ndeshjen vendimtare të këtij sezoni. Vllaznia zyrtarizoi sot se hyrja për tifozët e saj në këtë takim do të jetë falas.

Tirana

Trajneri Mirel Josa, e di më mirë se çdokush tjetër se çdo të thotë të bjerë Tirana në një kategori më poshtë. Në kohën e tij, për tifozët, lojtarët, drejtuesit dhe të gjithë dashamirësit bardheblu, Tirana kishte një mision: të luante për titullin kampion. E vetmja skuadër shqiptare, me plot 24 tituj kampionë, që nuk ka rënë asnjëherë në një kategori më poshtë në tërë historinë e futbollit tonë, i duhet të fitojë medoemos në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë, si mundësia e vetme për të mbijetuar. Trajneri Mirel Josa nuk ka pasur me grupin tjetër në seancat e dy ditëve të para të javës lojtarin Asion Daja, ndërkohë që është i plotë kontingjenti tjetër i lojtarëve.

Përveç presidentit Refik Halili, janë afruar edhe biznesmenë dhe donatorë që kanë premtuar shpërblim për fitore të Tiranës, që të sigurojë mbijetesën. Bashkia e Tiranës akordoi një shumë prej 400 mln lekësh në dispozicion të ekipit rreth dy muaj më parë, por për shkaqe të ndryshme mësohet se kjo shumë nuk është marrë ende, ndërkohë që rasti ideal është që të zhbllokohet para finales së mbijetesës. Tirana është izoluar në një nga hotelet e kryeqytetit prej ditës së djeshme, ku do të qëndrojë deri në mbylljes së finales së Kupës së Shqipërisë, ndeshje që mbyll edhe sezonin për bardhblutë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: