NËN TYMIN E TIRANËS - Nga PLATOR NESTURI

NËN TYMIN E TIRANËS - Nga PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shqipëria ka 300 ditë me diell çka përbën një luks klimaterik të cilën do e kish zili çdo europian i integruar. Por shqiptarëve, kjo dhurate e natyrës për vendin e tyre, duket se nuk u hyn shumë në sy ndërsa kushtet e jetesës, përsa i përket aspektit mjedisor, lënë shumë për të dëshiruar. Tymrat dhe pluhuri nga ndërtimet, mbetjet urbane që nuk përpunohen dhe digjen në natyrë, mungesa e infrastrukturës nëntokësore, deti që ndotet dhe fadromat që vijojnë të gërryejnë shtretërit e lumenjve, janë vetëm pjesa e dukshme e dhunimit të natyrës dhe të jetës qytetare.

Sidoqoftë, së fundmi Ministria e mjedisit prezantoi kohe me pare një studim të huaj ku Shqipëria përsa i përket parametrave të ndotjes së ajrit, cilësohej brenda standardeve të kërkuar, madje shumë përpara në klasifikim krahasuar me vende të tjera europiane. Për qytetarët shqiptarë, sidomos atyre në qytetet e mëdha, ky lajm u përcoll në mënyrë ironike. Diçka e ngjashme kish ndodhur edhe në vitin 1989, kur në kulmin e krizës dhe të urisë ne vend, Shqipëria merrte çmimin e Ushqimit nga OKB-ja.

Klasifikimi si një vend gati virgjërisht i pastër, në një kohë kur për kryeqytetin kishin nisur të lançoheshin një sërë kronikash në media për problematikën mjedisore, ka sjell shpesh përplasje deklarative midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit. Por ndërsa vijon pingpongu se kush mban përgjegjësi, situata është e njëjtë dhe nuk arrihet të shihet ndonjë opsion bashkëpunimi midis institucioneve për të përmirësuar jetesën e kryeqytetasve. Çështja e mjedisit është shndërruar në një sfidë, njëkohësisht edhe një kryqëzim në të cilin ndërthuren interesat e qytetarit përballë pushtetit qendror dhe atij lokal.

Ndërsa thuhet se një pjesë e problemeve të mjedisit shkaktohen nga ndërtimet, a ka kode, apo standarde në fushën e ndërtimit që mund të ndikojnë dhe në përmirësimin e kushteve mjedisore? Dihet se hartohet dhe një raport i vlerësimit Mjedisor, por si është realiteti dhe çfarë bën ndërtuesi ky është tjetër problem. A duhen sistemuar kjo çështje dhe si përdoren taksat që mblidhen prej tyre? Siç dihet 1 për qind e taksës që merret për ndërtimet është për projektet dhe infrastrukturën. Por sa realizohet nga kjo? Dhe nëse në Tiranë shfrytëzimi i kësaj takse është më i mirë, po në qytete të tjera çfarë ndodh?

Nëse sipas institucioneve ndërkombëtare vendi ynë është i pozicionuar mirë në klasifikimin mjedisor përsa i përket parametrave te ajrit, kjo nuk përbën ndonjë shkas për tu mburrur dhe për tu gëzuar. Por nëse do të fusim të gjithë parametrat mjedisorë, të gjitha barbaritë që i shkaktojmë natyrës apo si po i mirëmbajmë qytetet tona, vështirë të mendohet se sa shumë shkallë më poshtë do të ishte  Shqiperia në këtë renditje.

Çështja e mjedisit nuk është thjesht koncept i pastërtisë. Duke u fokusuar kryesisht për kryeqytetin, duhet thënë se rritja e taksës së pastrimit nga ana e bashkisë në 3400 lekë, natyrisht që do të ndikojë  që të kemi rrugë më të pastra. Sa më shumë para aq më shumë pastërti, është e natyrshme. Por çështjet e mjedisit nuk përmblidhen me kaq., Së pari lidhet me investimet publike dhe ky është detyrim si për pushtetin qendror ashtu edhe atë lokal. Deri më tani, shteti ka qenë shumë borxhli ndaj qytetarëve pasi nuk i ka paraprirë zhvillimit të kryeqytetit nëpërmjet investimeve në infrastrukturë dhe nga kjo situatë e trashëguar, zgjidhjet që kërkohen janë shpeshherë të ngutura dhe sa për të përballuar momentalisht situatën. Kryerja e investimeve të tilla që kërkojnë fonde të mëdha, janë së pari detyrë e qeverive dhe jo vetëm e pushtetit vendor. Kashari, Farka dhe të tjera zonat në kufi me kryeqytetin kanë patur një bum ndërtimesh, porse po aq të shumta janë dhe problemet e mjedisit në to. Dhe këto lagje të reja në kufijtë e Tiranës vetëm se fundmi varen nga bashkia e kryeqytetit. Agjencia Rajonale e Mjedisit, mori së fundmi një sërë masash në Kashar për të ulur ndotjen e ajrit nga kamionët që e përcjellin baltën drejt rrugëve të Tiranës. Por Kashari ka dhe probleme të tjera. Ndonëse janë ngritur blloqe pallatesh, në të mungojnë kanalizimet dhe tërë infrastruktura nëntokësore, ndërkohë që zgjidhja e vetme janë gropat septike. Situata është e ngjashme edhe në rajone të tjera të vendit. Rreth 1800 objekte ndotin mjedisin në Durrës, duke derdhur mbetjet e tyre direkt në det, gjë që e ka bërë plazhin e Durrësit në këtë gjendje. Njëkohësisht fadromat vijojnë të gërryejnë shtretërit e lumenjve duke dhunuar deri ekuilibrat e natyrës. Si duhet zgjidhur kjo, thjesht me gjoba apo me projekte dhe investime konkrete?

Ndërsa thuhet se një pjesë e problemeve të mjedisit shkaktohen nga ndërtimet, a ka kode, apo standarde në fushën e ndërtimit që mund të ndikojnë dhe në përmirësimin e kushteve mjedisore? Dihet se hartohet dhe një raport i vlerësimit Mjedisor, por si është realiteti dhe çfarë bën ndërtuesi ky është tjetër problem. A duhen sistemuar kjo çështje dhe si përdoren taksat që mblidhen prej tyre? Siç dihet 1 për qind e taksës që merret për ndërtimet është për projektet dhe infrastrukturën. Por sa realizohet nga kjo? Dhe nëse në Tiranë shfrytëzimi i kësaj takse është më i mirë, po në qytete të tjera çfarë ndodh? Njëkohësisht, për çdo ndërtim merret dhe leja mjedisore, çka tregon se praktika burokratike për këtë çështje është e kopsitur. Ekziston gjithashtu edhe Agjencia e Mjedisit. Por me se shumti ajo e ka pare veten si bllokuese për rastet flagrante të shkeljes apo gjobëvënëse, kur sipas dispozitave ligjore, ka të drejtën e rekomandimeve dhe orientimit të politikave në fushën e mjedisit. Dhe çështjet mjedisit shkojnë deri tek ndotja akustike, që siç dihet po shndërrohet një problem më vete në zonat të ndryshme të kryeqytetit, siç është rasti në zonën e ish Bllokut.

Deri më tani, në vend të studimeve të përbashkëta kemi veç polemika institucionesh. Por ky fakt nuk e ka ndryshuar realitetin. Ajri vijon të ndotet, mbetjet urbane gjithashtu digjen në natyrë dhe kanalizimet mbeten të amortizuara.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: